Gaza: Armëpushim 3 ditor mes Izraelit dhe Hamasit

Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për një armëpushim humanitar 72 orësh, i cili do të nisi në 08:00 të së premtes, me orën lokale. Në një deklaratë të përbashkët mes Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon thuhej se “gjatë kësaj kohe forcat ushtarake do të qëndrojnë në pozicionet e tyre në terren”.

“Ne i bëjmë thirrje palëve që të veprojnë me përmbajtje gjatë kësaj kohe dhe më pas të respektojnë armëpushimin e arritur, i cili do t’i vijë në ndihmë civilëve të pafajshëm”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Gjatë armëpushimit, civilët në Gaza do të marrin ndihmë urgjente humanitare, me ndihma ushqimore, gjithashtu do t’i vihet në ndihmë personave të plagosur.

Në deklaratën thuhej gjithashtu se përfaqësuesit e Izraelit dhe të Palestinës do të nisin menjëherë negociatat me qeverinë e Egjiptit, pasi pranuan ftesën e kësaj të fundit.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë 84 palestinezë, duke e çuar numrin e të vrarëve në 1442 dhe 8300 të plagosur nga fillimi i ofenzivës në Gaza. Ndërsa nga ana izraelite, kemi 60 të vrarë, ku vetëm 3 kanë qenë civilë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button