Pse gënjejnë liderët dhe pse gënjehemi ne?

Në psikologji gënjeshtra shpeshherë është mekanizëm mbrojtës. Vëjeni veten në pozitë të një njeriu që ka bërë diçka keq apo ka shkaktuar dëm. Kur ballafaqoheni me dëmin apo personin të cilit i keni gabuar, reagimi i parë do të ishte të gënjeni, të krijoni dhe inskenoni fantazi tuajën për të mbrojtur një të vërtetë e cila nuk është e vërtetë. Njejtë, edhe në rast të një humbjeje të madhe shpirtërore, njerëzit që kanë pësuar humbjen – përshembull humbjen e një personi të familjes, gati gjithmonë e mohojnë humbjen.

Politikanët në përgjithësi, por në mënyrë më të theksuar e shfaqur tek liderët e vendit, kanë krijuar një rrjet gënjeshtrash dhe të pavërtetash me të cilat na ushqejnë neve, popullit përditë. Të marrim shembullin e një lideri të madh botëror, Putinit rus. Do ju lë juve të bëni analogjinë me liderët që i doni më së shumti, e që janë pjesë e jetës tonë të përditshme.

Kur u shkatërrua BRSS në vitin 1991 dukej sikur popullit rus i qe ofruar shansa e fundit për t’u bërë qytetarë të një demokracie normale perëndimore. Kontributi i tmerrshëm i Putinit në historinë ruse ishte drejtimi i vendit të tij drejt një rruge krejt tjetër. Megjithatë shumë rusë, të shtyrë nga interesi vetjak apo nga mohimi, nuk kanë dashur kurrë ta shohin z. Putin për atë që është me të vërtetë.

Rrëzimi I aeroplanit të Malaysia Airlines dhe vrasja e 300 njerëzve të pafajshëm nga ana e separatistëve rusë që veprojnë në Ukrainë është mbi të gjitha një tragjedi e madhe për ata shpirtra njerëzish që u dogjën kot dhe për familjet e tyre që i vajtojnë. Por është edhe një matës I dëmit që ka bërë Putini dhe Rusia. Nën sundimin e tij, Rusia është bërë sërish një vend ku e vërteta dhe gënjeshtra nuk janë më të ndryshme, dhe faktet vendosen në shërbim të qeverisë. Lideri rus e përcakton veten si patriot, por ai në fakt është një rrezik, që i kanoset normave ndërkombëtare, vendeve fqinje por edhe vetë rusëve.

Ndërkaq në vetë Rusinë propagandohet që qeveria ukrainase është qeveri demoniake e cila kanos Rusinë. Propagandohet madhështia e liderit rus që po mbron popullatën ruse jashtë atdheut. Rejtingu i tij është rritur me 30% që nga fillimi i luftës në Ukrainë dhe sot gëzon mbështetje nga 80% e popullsisë.

Pse ndodh kjo? Pse glorifikohen liderët e gabuar? Edhe kjo është psikologjike. Dhe ka të bëjë me gënjeshtrën dhe fanatizmin me të cilin ndiqen liderët. Në psikologji njihet si IDENTIFIKIM. Faktikisht është mekanizëm mbrojtës që ndodh kur një person ju shmanget mendimeve dhe ndjenjave të dhimbshme duke u identifikuar me burime simbolike të fuqisë. Njerëzit që kanë jetë të vështirë shpeshherë identifikohen me heronjtë e filmave, aktorë të serive (turke e spanjolle), sportistë të famshëm ose parti dhe liderë politikë.

Këtë sindrom e kemi ne – populli i thjeshtë, sindromin e identifikimit. Sepse në vend që të identifikohemi me Messin apo me Robert de Niron, ne identifikohemi me politikanët e mjerruar të vendit. Të njejtën gjë e bëjnë edhe rusët. Të njejtin problem e kanë edhe shumë popuj tjerë. Fatkeqësia më e madhe e disa popujve është se kanë udhëheqës së gabuar.

Te ne glorifikohen figurat e Brankos, Nikollës apo Aliut dhe Menduit. Këta njerëz kanë krijuar përshtypjen në shtet se gënjeshtra dhe realiteti janë të pandashme, dhe faktet vendosen gjithmonë në shërbim të politikës ditore. Gjithmonë na servojnë të vërtetën e tyre, shpeshherë të kundërt me të vërtetën e taborit tjetër, varësisht ideologjisë politiko-partiake. Dhe ne jemi të detyruar të zgjedhim mes dy të vërtetave që në të vërtetë nuk janë të tilla, apo janë gjysmë të vërteta. E vërteta e drejtë nuk ekziston sepse nuk është e paraqitur. Prandaj edhe nuk e shohim. Prandaj edhe nuk mund ta kuptojmë. Prandaj edhe e kemi të vështirë të ndalim këtë katrahurë, këtë blasfemi të intelegjencës njerëzore dhe empatisë shpirtërore të cilën e quajmë realitet. Përderisa jetojmë në gënjeshtër, përderisa nuk e hapim mendjen dhe të largojmë gënjeshtrën dhe mohimin nga sintaksa jonë, do të mbetemi robër të të pavërtetave të dikujt tjetër.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button