Shtetasi i Maqedonisë dëbohet nga Kroacia pasi sulmoi një fokë

56 vjeçari, shtetas i Maqedonisë ka paguar gjobë prej 200 eurove në Kroaci, pasi ka qëndruar pa leje në këtë shtet. Ai është kapur nga policia pasi ka sulmuar një fokë të mbrojtur në plazhin në Pulla.

Përveç dënimit me të holla shtetasi i Maqedonisë është dëbuar nga shteti kroat.

Gazetat kroate shkruajnë për sjelljen e çuditshme të shtetasit të Maqedonisë. Siç shkruajnë gazetat, incidenti ka ndodhur të dielën rreth orës 15:30 në Pulla. Edhe pse në plazh ka pasur tabelë që shkruante se është e ndaluar shqetësimi i fokave, shtetasi i Maqedonisë për dallim nga shtetasit e tjerë që pushonin në plazh ai nuk ka respektuar këtë rregull.

“Ai është afruar në hapësirën ku ka qenë e rrethuar dhe ndalohet noti, disa herë e ka goditur fokën dhe e ka larguar nga plazhi” shkruan Jutarni list.

Policia menjëherë ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se shtetasi i Maqedonisë e ka thyer ligjin për mbrojtje të ambientit dhe e kanë dënuar me 200 euro. Pasi që është konstatuar se shtetasi nuk ka leje qëndrimi në Kroaci ai është dëbuar nga shteti kroat.

Sipas ligjit kroat turistët dhe banorët e vendit e kanë të ndaluar t’iu afrohen fokave, të mos i prekin me dorë dhe të mos e sulmojnë me gurë. Shtetasi i Maqedonisë është nga Kriva Pallanka, por policia Kroate nuk bën të ditur identitetin e tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button