Presidentja do ta mandatojë koalicionin paszgjedhor!

Pikë së pari duhet theksuar se Kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa, u zgjodh në mënyrë të ligjshme me 65 vota kryetar i Kuvendit, si dhe dy nënkryetarët z.Glauk Konjufca dhe zonja Duda Balje. Kjo gjë s’mund të zhbëhet për një arsye: sepse 120 deputetët e Kuvendit bën betimin dhe ishte vullneti i shumicës për t’i zgjedhur organet e Kuvendit, kryetarin dhe dy nënkryetarët. Kështu që do të ishte kundër vullnetit të shumicës dhe shkelje e Kushtetutës nëse çdo gjë kthehet nga pika ”zero”. Puna e konstituimit të Kuvendit ka marrë fund, pavarësisht veprimit skandaloz të Gjykatës Kushtetuese. Kthim prapa nuk ka. Me këtë fakt duhet të pajtohet edhe koalicioni i PDK-së, por edhe filiali i saj juridik Gjykata Kushtetuese që po merrë vendime arbitrare dhe të njëanshme në favor të PDK-së.

”Topi” është tek Presidentja!

Presidentja Jahjaga pa nevojë është futur në konflikt me koalicionin LDK-AAK-NISMA. Shqetësimet e koalicionit LDK-AAK-NISMA, janë shumë të arsyeshme duke parë veprimet e saja të njëanshme, të pamatura dhe shpesh herë të çuditshme. Veprimet e njëanshme të Presidentes nuk kanë qenë shqetësuese vetëm për koalicionin, por edhe të popullit. Duke e parë indiferencën e Presidentes ndaj zhvillimeve të fundit, është shumë i arsyeshëm që koalicioni LDK-AAK-NISMA ka ngritur dyshimin për paanshmërinë e saj. Presidentja e Kosovës si e para e vendit, nuk duhet të rrijë indiferente për çdo çështje madhore. Ajo për çëshjet e mëdha duhet të reagojë, në bazë të kompetencave që i ka. Nuk është e arsyeshme që ajo t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për çdo gjë. Kur ka pranuar të jetë Presidente e një shteti, ajo është dashur ta dijë që posti i Presidentit është me përgjegjësi të madhe dhe përgjegjësisë nuk guxon t’i ikë për t’i zgjidhur problemet madhore, e aq më pak një ngërçi politikë të shkaktuar nga PDK-ja dhe ”filiali” i saj juridik Gjykata Kushtetuese. Një pjesë të fajit për këtë ngërç politikë e ka edhe Presidentja Jahjaga. Pikë së pari ajo s’ka pasur nevojë t’i dërgoj pyetje fare Gjykatës Kushtetuese, por në bazë të kompetencave që i ka, t’i thërras koalicioniet që kanë shumicën për kirjimin e Qeverisë. E dyta, Gjykata Kushtetuese nuk është e thirrur t’i komentojë çështjet politike, kështu që Presidentja Jahjaga ka bërë shkelje të ligjit duke iu drejtuar Kushtetuesës.

”Tash ‘topi” është tek Presidentja Jahjaga dhe asaj i takon që ta zgjidh këtë ”ngërç” politikë të shkaktuar nga PDK-ja dhe ”filiali” i saj juridik Gjykata Kushtetuese. Çdo gjë tash varet nga Presidentja dhe ajo si e para e vendit në bazë të kompetencave që i ka duhet të reflektojë, e jo të rri duarkryq. Presidentja Atifete Jahjaga në bazë të kompentecave që ka, ajo duhet ta thërras koalicionin që ka shumicën ta mandatojë për krijimin e Qeverisë. Për të mos humbur më shumë kohë, Presidentja Jahjaga duhet ta thërras koalicionin që ka shumicën dhe mund ta krijojë Qeverinë. E, duke e ditur që PDK-ja respektivisht koalicioni i PDK-së nuk i ka numrat e nevojshme, atëherë ajo duhet ta mandatojë koalicionin LDK-AAK-NISMA për krijimin e Qeverisë. Kosova s’ka nevojë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme vetëm për dëshirat e PDK-së, kur kemi koalicionin LDK-AAK-NISMA që ka votat e mjaftueshme për krijimin e Qeverisë. Nëse Presidentja Jahjaga donë t’i evitojë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe të tregoj se me të vërtetë është e paanshme, ajo duhet ta mandatojë koalicionin LDK-AAK-NISMA për krijimin e Qeverisë. Nëse ajo vepron ndryshe, me të vërtetë do të ishte skandaloze dhe antikushtetuese, dhe me këtë do tregonte se edhe ajo sikurse Gjykata Kushtetuese është vegël e PDK-së. Kam bindjen se Presidentja Jahjaga s’do të bie pre e provokimeve dhe kërcënimeve të koalicionit të PDK-së, por do të veprojë sipas vullnetit të shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button