Mu aty te kushtetuta

Shpesh janë të mërzitshme, përsëritjet shpesh janë edhe të padëshirueshme. Por, ato janë të arsyeshme dhe të nevojshme sidomos kur bëhet fjalë për nënvizim të ndonjë momenti ose ndodhie. Ashtu ngjarja që mendoj se meriton përsëritje për nënvizim është ndryshimi i fundit i Kushtetutës që ndodhë aktualisht në Maqedoni.

Me një aspekt nënvizimi i kësaj ndodhie mund të duket jo edhe aq i arsyeshëm pasi ai kryesisht ka ndodhur në disa gjëra që nuk kanë lidhje me kërkesa që definojnë shtetin si të tërë dhe sidomos jo pasi ndryshimet e fundit nuk kanë ndonjë karakter etnik e që do mund edhe të ishin me ndonjë rëndësie të madhe për shqiptarët, aq sa ti nënvizojmë dhe përsëritim ato aq edhe në gjuhën shqipe.

Por, ngase kanë të bëjnë me forcimin e shtetit si të tillë, në një kohë kur trendi politik shkon tatëpjetë në uzurpimin e tij të tërësishëm vetëm nga një etni, kjo është më se e rëndësishme për tu nënvizuar nga gjithë qytetarët. E sidomos nga ata që mbesin jashtë këtij uzurpimi.

Rëndësia tjetër është pjesëmarrja politike shqiptare në këto ndryshime që bëhet mu nga BDI, një parti që së fundmi morri votat më të shumta nga qytetarët shqiptarë dhe kështu e bart atë legjitimitet në nivelin më të lartë të politikbërjes: ndryshimin e Kushtetutës së një vendi. Pra rëndësia e kësaj, shkurt thënë, qëndron në atë se sa shumë jepet dhe në atë se sa hiç nuk merret.

Por, të shkojmë me radhë deri në historinë e subjektit që aprovon këto ndryshime nga ana e shqiptarëve. Kjo parti, BDI, u themelua si një parti tematike pa ideologji dhe e cila me ngulm thekson se i përfaqëson interesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Atë e formuan shumë njerëz prej atyre që një herë me zor, e ndryshuan kushtetutën e këtij shteti. Duke bërë të mundshme Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, pas një konflikti të ndodhur në Maqedoni në vitin 2001 dhe inkorporimin e shumë çështjeve nga kjo Marrëveshje edhe në Kushtetutën e vendit në vitin 2002.

Tani në vitin 2014, dymbëdhjetë vite më vonë, ata të njëjtit njerëz votuan për ndryshime kushtetuese, sipas të gjitha gjasave, sebep ndonjë zori jopolitik. Se ky zor i supozuar është jopolitik, mund të kuptohet jo vetëm nga fakti se në ndryshimet e fundit kushtetuese nuk kishte asnjë kërkesë politike shqiptare, por edhe nga ajo se këta politikisht me asgjë nuk morën pjesë, në asnjë nga këto ndryshime. As me propozime për ligje e as me debat. Përveç me një mbrojtje të këtyre ndryshimeve në Kuvend, mbrojtje të një vullneti dhe politike të huaj.

Por, historikisht dhe simbolikisht, vetëm me këtë mbrojtje, ata skajshëm u delegjitimuan në këto dy rrafshe; simbolikë dhe histori, pasi ishin të njëjtit që njëherë ndryshuan kushtetuan me zor, e tani prej zorit.

Kjo gjë dhe ky moment është ajo që meriton sipas meje nënvizim dhe përsëritje, qoftë deri në bezdisje, për një gjë kaq të madhe. Pavarësisht se kjo ndodh në gjëra që duken se nuk kanë lidhje shumë direkte me qytetarët shqiptarë. Fakti që dikush bën politikë pa politikë dhe përkundër legjitimitetit politik të marrë me vota tërësisht transformohet në vetëm implementues të vullnetit të huaj është katastrofë ne vete. Implikimet e një kësi vdekje politike, ndonëse tani ndodhë në teori shumë shpejt do shihen në praktikë.

Andaj në vend të një titulli “mu aty te shtatë zymbylat” erdhi “mu aty te kushtetuta”, vetëm sa për të mbet e shënuar se ku dhe kur ndodhi kjo vdekje politike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button