A do të na fshini?

Po të më thoshte dikush më herët nuk do ta besoja, madje s’do ta lija as ta përfundojë fjalinë. Por e lexova vetë me sytë e mi, e dëgjova vetë me veshët e mi dhe po e përjetoj vetë në lëkurën time. Mbreti i Maqedonisë, Nikolla Gruevski paska propozuar regjistrim administrativ të popullsisë, me të cilin do të regjistroje vetëm ata qytetarë të cilët ndodhen aktualisht në Maqedoni. Ndërsa, ata si ne, që në kompjuterët e evidencës së policisë figuron që kemi lëshuar kufirin, nuk do të pranohen si pjesë e popullsisë së Maqedonisë. Domethënë u bëmë thjesht numra, u bëmë thjeshtë të dhëna administrative dhe statistikore të cilët mund të fshihen me një DELETE në tastierën e administratës së Gruevskit. Këtij të fundit nuk i hidhërohem aq shumë, sepse ky dhe kolegët e tij maqedonas na kanë parë sherrin neve mërgimtarëve shqiptarë gjithmonë. Në fakt sherin ia kanë parë ata vetëvetes kur tentonin ti shkelin e ti zhdukin familjarët tanë që ndodhen atje e kur ua jepnim përgjigjen e papritur. Habia më e madhe është kur dëgjoj se çfarë përgjigje japin sot shokët tonë të dikurshëm mërgimtarë të cilëve ju dhamë gjithçka që sot të vijnë atje. Ne i sollëm që të na shkarkojnë nga arkivat e kompjuterëve dhe të na bëjnë qytetarë të barabartë të atij vendi dhe jo të na fshijnë me një delete. E këtyre shokëve tanë ju hidhërohem kur dëgjoj se ende kanë dilema, madje çështë më e keqja edhe anojnë kah mendimi për të pranuar këtë dënim që na përgatitet neve.

Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi i cili deri dje ishte mërgimtarë si ne, tani paska thënë se nuk është kundër regjistrimit administrativ, shkruan në disa portale maqedonase dhe ato në gjuhën shqipe. Unë nuk lexova dikund demant prandaj me shumë dhimbje e marr si të vërtetë. Pranon një regjistrim të popullsisë në një formë që nuk ka ndodhur askund në botë dhe që botërisht dihet se përgatitet kundër nesh. Paska shtuar se ka kundërshtuar vetëm pjesën ku duhet të fshihen ata që janë rregjistruar se kanë kaluar kufirin. Aman, por kush do të na garantojë se do të regjistrohemi në atë listë ku do të regjistrohen ata që nuk e kanë kaluar kufirin? Apo nuk e kuptoni këtë pjesë? Përse qëndroni pra ende aty nëse nuk e kuptoni këtë lojë kaq të thjeshte ose atë proces aq të ndërlikuar, si të doni qujeni. Madje nëse shikojmë hollë e hollë edhe Xhaferit nuk duhet ti hidhërohem ashtu siç nuk po i hidhërohem Nikolla Gruevskit. Mbaroi koha kur ju nevojiteshin paratë tona, u mbyllën fondet e mërgatës dhe disa mërgimtarë i ranë me shkelëm fukarallëkut, e fituan nënshtetësinë, i fshinë paditë dhe fletarrestet. E pse t’ju duhemi ne sot? Kaloi edhe koha kur duheshin vullnetarë që do t’ua hapnin atyre me gjak rrugën e rikthimit në atdhe, e pse t’ju duhemi sot kur ata rijnë këmbëkryq në kancelaritë më të shtrenjta të atdheut tonë? Kaloi koha besa edhe kur duhej të na bindnin për vota, sepse sot kanë bërë para, ndërsa kanë varfëruar familjarët tonë atje dhe votat e tyre i marrin shumë lehte, më frikë, me kërcënime me blerje. E pse ju duhemi ne? Kështu do t’na ktheni? Ju lumtë, por mos harroni, ne i shkulëm ata që ua kishin zënë vendet tuaja dhe nuk ju lejonin juve të ktheheni në atdhe. Mendojeni sa më lehtë e kemi me ju sot, të nderuar ish mërgimtarë, të verbuar nga pushteti i rrejshëm.

( Autori Jeton dhe vepron në Zvicër)

Lajme të ngjashme

Back to top button