Porosia

Doli me duar në xhepa nga shtëpia. Shkoi në shitore, i shkundi xhepat, i mblodhi do monedha të verdha dhe ia dha shitëses.

“Bukë”, i tha. “Sa bukë vjen me këto para”?

“Një”, u përgjigj shitësja. “Por”, vazhdoi ajo, “kemi edhe bukë të djeshme. T’i jap dy nga të djeshmet”…

Ai i mori heshtazi dy, bukë. Shitësja ia fali edhe një strajcë najloni. Duke dalë nga dyqani, te dera i pa gazetat. U ndal dhe u hodhi një sy titujve. Kur e kapërceu pragun me njërën këmbë, shitësja i foli:

“Merre një gazetë, z. N. M’i sjell paratë një ditë tjetër”. Asaj as që i shkonte mendja t’i marrë para N-së për gazetën, por nuk donte ta lëndojë, nuk donte ta prekë në krenari një njeri që tërë jetën kishte punuar si një njeri e ekspert i respektuar në Kosovë në kohën e ish Jugosllavisë, kurse tash jetonte me thërrime. Ai e mori gazetën heshtazi, me një falënderim të cilin ia gulçonte turpi dhe doli. Ndjeu një siklet të paparë, prandaj kur iu afrua derës së shtëpisë u ndal. Ndenji pak duke shikuar papërcaktueshëm në një pikë të largët dhe u kthye. Nuk hyri në shtëpi, ndonëse e shoqja e priste me bukën. Shkoi pak më tutje – në park dhe u ul. E ndezi një cigare. E la strajcën mënjanë dhe e hapi gazetën. Gjithandej shkrime për shqiptarët. Natyrisht asnjë për së mbari. Këtë e kishte të njohur, prandaj i la. E shfletoi edhe një herë. Përsëri shqiptarët. Shqiptarët nuk i lëkan maqedonasit të bëjnë komuna maqedonase në Shqipëri. Atij i shkoi ndërmend ndarja territoriale e Shkupit dhe e disa komunave të tjera me shumicë shqiptare në Maqedoni. Sa të vendosur që janë mediat. E pa edhe një artikull ku një ish diplomat i imët mundohej të polemizojë me kancelaren, zonjën Merkel. Nuk i bëri përshtypje as kjo, sepse e dinte si vjershë atë që mund ta thoshte ky diplomat i vogël. E la gazetën dhe i hodhi një shikim blerimit të dendur të parkut, që sivjet ishte tepër i bujshëm nga shirat e shumtë që ranë kësaj pranvere e kësaj vere. Pastaj fryu një erë e lehtë dhe e shpaloi gazetën. Kur mori ta palojë dhe ta fusë në strajcën e najlonit me bukë, i ra në sy një titull i gjatë që paralajmëronte shtrenjtime të reja. Iu kujtua llogaria që i kishte ardhur për rrymën elektrike. Të rrahurat e zemrës iu shpeshtuan. Janë munduar burrë e grua të kursejnë sa kanë mundur, por prapë u ka ardhur një shumë e papërballueshme. Mendoi e çmendoi: ku t’i marrë paratë?! Miq nuk i kishin mbetur. Të gjithë e konsideronin si për gjynah. E konsideronin, por askush nuk merrte as një gram nga pesha e halleve të tij. Barra i mbetej N-së ta mbaj mbi supet e lodhura.

“Phu nanën”! shau. “Pse s’ia mbatha diku nëpër Evropë kur ishte koha. Sot do të jetoja si njeri, jo si tash, me borxhe që s’paguhen dot, me  çmimet që trokasin me kërcënime që të bëhen të papërballueshme.

E mori najlonin dhe u drejtua kah shtëpia. Hipte ngadalë në këmbë shkallëve në katin e pestë sepse ashensori ishte prishur dhe s’kishte kush e ndreqë. Lere ashensorin, por edhe një gyp kanalizimi ishte zënë dhe as për të nuk çante kokë kush.

Trokiti në derë sepse kishte kohë që zilja nuk i punonte. Trokiti tri herë, që e shoqja ta dinte se kush është. Se kohëve të fundit thonë që shpesh u kanë hyrë hajnat njerëzve nëpër shtëpi. JO që kishin se çka marrin në shtëpinë e N-së, por do të mjaftonte ta trishtojnë të shoqen e tij shëndetligë.

“Ku mbete”? e pyeti e shoqja. “Kafeja u ftoh”…

“A paska kafe, a? Ku e more”?

“Po a harrove, a? A nuk ishin para dy ditëve ish kolegët tu nga Prishtina? A nuk the vet se e paskan bërë mirë me këtë kafe”?

Gruaja ishte një shpirt njeriu. E butë. E pa të shoqin të mërzitur, me fytyrën të cilës i kishte ikur ajo pamja e rëndomtë dhe e kishte pushtuar një ngjyrë që flet për mërzinë e cila e brente.

“Mos u mërzit”, i tha ajo. “Zoti s’na lë në këtë derexhe”!

Ai e surbi një gllënjkë. Iu duk e hidhur si dertet që kishte.

“Nuk i paske qitur sheqer”, tha.

“Nuk na ka mbetur”, iu përgjigj gruaja.

I shikoi librat në të tri faqet e murit të renditura në bibliotekën familjare. Mendoi: sikur t’i shisja! Pastaj qeshi hidhur. Kush blen sot libra?! Mund t’i nxjerrë në rrugë, t’i lësh aty, askush nuk i prek. Veç kësaj, shumica e librave janë serbisht. Sot serbishtja nuk e ka atë status të dikurshëm kur na thoshin: “Fol serbisht të të kuptojë Zoti”, ose “Fol serbisht të të kuptojë tërë bota”! Sot serbisht nuk të kupton kush.

U ngrit, e mori një libër të Teki Dervishit. U ndal te vargjet e mjeshtrit të madh:

“… në kokë më oshëtinte
edhe porosia e sime amë
“Biro, puna fizike sjell leverdi
s’është marre të pastrosh nevojtore
ne jemi njerëz të thjeshtë
ti s’je profet
ti s’je për punë krijuese, për lavdi
për punë hyjnore… shpirtërore…”

A nuk na porosisin kështu edhe politikanët, nga fodullët partiakë deri te kryeministri? Pastaj iu drejtua gruas:

“A e pe bukën? E solla”.

“Po”,  iu përgjigj gruaja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button