Situata e pritshme politike për shqiptarët në Maqedoni

Analiza shkencore detyron gjykim me maturi e gjakftohtësi.

Jemi të bindur se, faktori atdhetar shqiptar në Maqedoni, i përfaqësuar veçanërisht nga rinia dhe inteligjencia, po ecin dhe po bëjnë gjënë e duhur, në kërkim të drejtësisë, të dinjitetit kombëtar, kundër diskriminimit brenda një shoqërie aspak demokratike. Kjo është rruga e drejtë, që në format demokratike, të shprehim vullnetin tonë, për të drejta dhe liri njerëzore, për të drejta të pamohueshme shtetformuese, për të cilat situata e pas viteve 90-të ka pjekur mendimin politik pozitiv, në luftën kundër padrejtësive shoqërore e politike.

Për kundër deklaratave dhe rekomandimeve, që burojnë nga çdo anë dhe përpiqen të diktojnë apo të imponojnë me frymë “patriotike”, deklaratën për pragun e krijimit të një partie të re politike, të quajtur “Opozita Shqiptare”, e shikojmë me rezerva në planin e përfitimeve politike, në raport me hapësirën dhe kohën në të cilat kanë ndodhur dhe vazhdojnë protestat popullore qytetare të shqiptarëve në Maqedoni.

Hapur dhe me sinqeritet, pa doza të patriotizmit romantik dhe emocional, do të deklaroja se, dalja në këto kushte me një formacion të ri politik (parti), është veprim politik i nxituar i organizatorëve, që synojnë të shkojnë kaq herët drejtë një partie të re politike të shqiptarëve në Maqedoni. Ky do të ishte një veprim taktikisht i gabuar, që do t’a nxiste luftën brenda faktorit shqiptar (në biologji përcaktohet “lufta brenda llojit”), në kushte aspak të favorshme dhe aspak të barabarta. Luftës së hapur midis PDSH dhe BDI, do t’i shtohej edhe një formacion tjetër, i cili në kushte nxitimi, nuk do të jetë në gjendje të bindë opinionin shqiptar për programin dhe kërkesat organizative, të nevojshme për një ndërmarrje të tillë.

Entuziazmi që sjellin protestat dhe vullneti rinor e atdhetar, nuk janë një arsye për të dalë në përfundim të nxituar. Ata që e marrin përsipër këtë përgjegjësi, nuk mund të justifikohen lehtë në të ardhmen se, “vepruan mirë apo keq”, pasi mjaftë eksperimente janë bërë dhe po bëhen, që pas viteve 90-të, pas shkatërrimit të PPD-së. është luajtur rëndë politikisht me energjitë e shqiptarëve në Maqedoni, dhe ja ku jemi. Në një situatë aspak të lakmueshme, shumë të mbingarkuar me tensione, me pasoja shumë të rënda, për të cilat përgjegjëse është vetëm politika.

Deri më sot përvoja ka treguar se, askush për këto pasoja nuk ka bërë ndonjëherë analizë serioze dhe të mbajë përgjegjësi për dështimet. Faji politik dhe social ka mbetur jetim, pasojat i ka akoma mbi shpinë populli dhe njerëzit e thjeshtë. Dhe më tej, për shkak të kësaj papërgjegjshmërie politike, pasojat janë ndjerë edhe në planin kombëtar. Jam i bindur se një analizë politike shkencore e situatës së kaluar, nuk do të lejojë të hedhim hapa të nxituar, e cila përjashton në çdo rast veprimet e ngutura emocionale dhe euforike. Rruga e përmbysjes së raporteve të deritanishme social politike të dështuara brenda shtetit të Maqedonisë, është një rrugë e gjatë, shumë e vështirë dhe që nuk pranon më gabime të përsëritura.

E kemi të nevojshme në kufijtë e domosdoshmërisë, që më së pari të analizojmë, rregullojmë dhe të përmbysim praktikat e vjetra në marrëdhëniet brenda vetë faktorit shqiptar dhe në një hap të dytë, koha do të sjellë me siguri nevojat adekuate në interes të unitetit kombëtar të shqiptareve, me një formacion politik solid, si një opozitë e bashkuar me fryme demokratike dhe me fuqi të madhe përfaqësuese, vendimmarrëse dhe shtetformuese. Rekomandojmë me shume dashamirësi, konsulencë, analizë shkencore të situatës dhe maturi, të mos ketë ngutje, duke respektuar maksimalisht të gjitha potencialet atdhetare të inteligjencies dhe rinisë brenda popullsisë shqiptare në Maqedoni. Gjithmonë do të respektojmë vullnetin dhe vendimmarrjen e udhëheqësve dhe strukturave qytetare të protestave, duke shpresuar se do të jemi përherë bashkë në rrugët dhe zgjidhjet më të mira me interesa kombëtare.

Dr. Sulejman Abazi (NESHAJ)

TIRANË.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button