Shabani: Plani urbanistik në qendër është miratuar kundër ligjit

Miratimi i planeve të reja urbanistike në Këshillin e Komunës Qendër është kryer në kundërshtim me ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Kështu u shpreh Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Lirim Shabani duke pranuar se vendimet në të duhet të miratohen përmes sigurimit të shumicës absolute të votave të këshilltarëve. Shabani tha se deri tani, në dikasterin e tij ende nuk ka arritur ndonjë ankesë nga Komuna Qendër për mosrespektim të ligjit të lartpërmendur.

“Këshilli komunal në kuadër të dispozitave të veta mund të miratojë programe, statuse dhe vendime të tjera të cilat janë në pajtueshmëri me ligjin. Këto dispozita këshilli komunal duhet t’i miratojë me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i të gjithë këshilltarëve komunal. Ligji për Vetëqeverisje Lokale gjithsesi vlen për të gjitha komunat dhe këshillat e tyre si tërësi në Maqedoni. Deri tek ministria jonë nuk ka arritur asnjë ankesë zyrtare lidhur me këtë që ju e thoni, nëse vjen ndonjë ankesë atëherë me siguri se do të merren masa adekuate përmes inspektoratit përkatës që kemi në Ministri’, tha Lirim Shabani, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Dje zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov tha se planet e reja urbanistike, janë miratuar në mënyrë të paligjshme nga Këshilltarët e VMRO DPMNE-së. Ai tha se është shkelur nenin 62 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit procedurat në këshill mund të kalojnë vetëm me shumicë absolute të këshilltarëve të përgjithshëm.

“Nuk kemi përse referohemi ndryshe; ligji është i qartë dhe i prerë. Neni 62 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, për vendime të llojit të tillë parashikon shumicë absolute, jo të kualifikuar. Në fakt për miratimin e Planit Urbanistik  duhet të  votojnë më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të këshilltarëve në Këshillin përkatës. Në rastin konkret në Komunën Qendër, për miratimin Planeve Urbanistike që ishin në rend dite, duhej të votonin të paktën 12 këshilltarë”, tha dje Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së.

Prej 23 përfaqësuesve në Këshillin e Komunës Qendër, vetëm 11 këshilltarët e VMRO DPMNE-së votuan ‘PRO’ planeve të reja urbanistike, kryesuesi i këshillit Mirosllav Shipoviq votoi ‘kundër’. Këshilltarët e LSDM-së e kishin braktisur sallën që më herët, pasi u miratua rendi i ditës, me votën abstenim të kryetarit Shipoviq, në miratimin e rendit të ditës, ku bënin pjesë edhe planet urbanistike.

Lajme të ngjashme

Back to top button