Pse të mos jetë fitore Viktorija?

Njëra prej vizitave më të rëndësishme të rajonit dhe më e rëndësishmja për Maqedoninë u zhvillua javën e kaluar për të sjellë në Shkup mesazhe të qarta në një situatë dhe klimë të paqartë politike në vend. Ajo vizitë ishte e ndihmës-sekretares amerikane të Shtetit Viktoria Nuland, e cila gjatë turneut të saj në Ballkan ishte edhe në Shkup. Ku ajo kryesisht theksoi nevojën për përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit, si një kusht të domosdoshëm për të ardhmen e shtetit.

Ndonëse disa aspekte nga kjo vizitë tani më u trajtuan në opinion mbeti habia se si kjo vizitë nuk iu duk aq e madhe përfaqësuesve politik shqiptarë, së paku krahasuar me vizita të ngjashme më parë. Mbetet të shihet nëse kjo ka të bëjë me delegjitimimin që është duke ju ndodhur aktualisht këtyre përfaqësuesve, sidomos atyre në pushtet me të vetmit prej të cilëve zgjodhi të takohet z-nja Nuland, apo sipas kuptimit të emrit të saj Viktorija (fitore) nuk solli asnjë fitore as për ta e as për tjerë në Maqedoni.

Çështja tjetër që ka të bëjë direkt me qytetarët shqiptarët e që u ngrit me rastin e kësaj vizite ishte edhe vënia në pah e një disproporcionaliteti në investime dhe zhvillim të rajoneve ku banojnë kryesisht shqiptarët. Një çështje që po ashtu ka lidhje me delegjitimimin e përfaqësuesve politik shqiptarë, pasi është një çështje që gati asnjëherë nuk u ngrit nga ata. Së paku jo nga dy partitë më të mëdha, të cilat ishin ortakët dhe mundësuesit kryesor të shumicës politike me të cilën udhëheq kryeministri aktual, i cili është më meritori për këtë disproporcionalitet. Ashtu Maqedonia edhe në këtë vështrim u pa si një shtet ku theksi është venduar vetëm në ndonjë pjesë apo grupi etnik të saj. Se ku shpie ky disbalans deri në diskriminim mbetet të analizohet edhe më tej, por edhe në këtë vizitë u shpreh qartë dëshira miqësore nga SHBA për të ndihmuar në këtë aspekt me mundësi investimi.

Sigurisht që shtjellimi dhe vazhdimi i trajtimit të këtij problemi aq të madh për Maqedoninë është dhe mbetet punë kryesore e përfaqësuesve politik shqiptarë. Kjo së pari është një pozitë fillestare e madhe për ata të cilët do donin dhe dinin të bënin politikë. Dhe jo sikur deri tani, të sillen sikur janë vetëm administratorë dhe të punësuar qeveritar të cilët nuk arrijnë të zbatojnë vullnetin dhe legjitimitetin e marrë nga votat.

Sigurisht që shtjellimi politik ka parakusht kuptimin e situatës aktuale ku qartas shihet tendenca që shteti të uzurpohet në fillim për një etni, mandej për një parti të vetme dhe në fund vetëm për një familje, e cila përbëhet nga ca kushërinj dhe kumbarë. Kjo duket se është esenca e gati krejt vërejtjeve që i bëhen Maqedonisë kohëve të fundit, për problemet me shtetin ligjor, lirinë e medieve dhe dyzimin parti-shtet.

Shqiptarët edhe me protestat e fundit treguan se janë të vetmit që mund të arrijnë që të ndalin këtë tendencë, por mbetet që kjo të artikulohet politikisht. Pasi diçka që është bërë me politikë, me politikë edhe do ndryshojë. Ashtu edhe hileja politike që në këtë shtet nisi para tetë vjetëve vetëm me politikë do zhbëhet. Çdokush që do i rreket kësaj udhe besoj do dije të shtjellojë edhe çështjet që u ngritën nga kjo vizitë e rëndësishme, por edhe të dijë të ndihmohet me solidaritetin gjithëshqiptarë që kësaj here, si asnjëherë më parë, u shfaq në shume rrethe shqiptare me ndikim në diasporë dhe në Kosovë e Shqipëri.

Ashtu mund të vijë ndonjë fitore politike për shqiptarët dhe Maqedoninë, më se e nevojshme për normalizimin dhe stabilizimin e një shoqërie që dita-ditës zhytet në dhunë, varfëri dhe pa perspektivë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button