Krasniqi: Kushtetuesja nuk mund t’ia bëjë numrat PDK-së

Ish-kryetari i dy legjislaturave të Kuvendit dhe tani kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Jakup Krasniqi, në një intervistë për Rtv21 komentoi kërkesën e PDK-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të pezullohet zgjedhja Isa Mustafës kryetar i Kuvendit. Krasniqi pret nga Kushtetuesja vendim profesional, por tha se kjo gjykatë nuk mund t’ia bëjë numrat në Kuvend asnjë subjekti politik.

“Zgjedhjet bëhen për t’i bërë numrat për Kuvend. Konsideroj se në seancën konstituive u pa se kush i ka e kush si ka numrat. Unë jam i bindur se Gjykata Kushtetuese si institucion që e interpreton Kushtetuën nuk mundet me ia ba numrat asnjë subjekti politik në Kuvendin e Kosovës. Pres që vendimi të jetë profesional dhe në bazë të kompetencave që i ka kjo gjykatë”, tha Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Për dallim nga drejtuesit e PDK-së që vlerësuan se gjatë seancës konstituive u bënë shkelje të kushtetutës dhe të procedurave, ish-bashkëpartiaku i tyre Jakup Krasnqi mendon se shkeljet u bënë pikërisht nga kryesuesja e seancës.
“Në rendë të parë seanca nuk është dashur të ndërpritet ashtu. Veprimi i kthimit të deputetëve ka qenë në rregull, nuk kanë dasht të konfrontohen. Kryesuesja nuk ka dasht ta qet mocionin në rend të ditës dhe deuptetët pasi e dhanë betimin, nëse e përbëjnë shumicën kanë të drejtë me marr vendime. Blloku opozitar u përball menjë uzurpim që është bërë kryesimit të seancës dhe ulseve”, theksoi Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Krasnqi tha se është fat që seanca ishte e hapur dhe u pa se kush bëri shkelje të procedurave.

” Veprimet e grupit jo opozitar, por grupit më të madh parlamentar dhe të dy të tretave të deputetëve ishte konform rregullave. Mendoj se kanë bërë mirë që deputetët kanë ba mocion dhe u ba zgjedhja e duhur. Është fat që seanca ka qenë transparente dhe çdo zhvillim është përcjellur. Konsideroj që secili qytetarë ka pasur mundësi të vërej se kush kanë qenë ata që kanë bërë shkele të procedurave”, ka shtuar Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës dorëzoi dje në Kushtetuese kërkesën, që të pezullohet procedura e zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar i Kuvendit. Ende nuk dihet se sa kohë do të marrë interpretimi i kësaj nga ana e Gjykatës Kushtetuese./rtv21

Lajme të ngjashme

Back to top button