Vjedhja, kjo dukuri e shëmtuar

Vjedhjet dhe Problemet vazhdojnë, kurse udhëheqësit tanë luajnë ‘syfshehtaz’ me shpresë se dot behët mirë një ditë.

Si çdo vend në botë edhe vendi ynë ka probleme. Mbase të kërkosh vend pa probleme fare është pothuajse absurde, por poenta qëndron në atë se si t’i mbajmë problemet sa më pak dhe sa më të vogla. Në anën tjetër, janë disa probleme ndaj të cilave nuk mund dhe nuk guxojmë të heshtim. Si fjala vjen vjedhjet dhe grabitjet me armë, të cilat po bëhen për ditë e më të theksuara në vendin tonë. Vetëm gjatë vitit të kaluar 2013, në Kosovë, janë regjistruar rreth 9,000 vjedhje, vjedhje të rënda dhe grabitje në lidhje me të cilat janë arrestuar 2,532 persona. Ndërsa në gjashtëmujorin e parë, Janar-Qershor, të këtij viti ka pasur mbi 3,000 vjedhje, vjedhje të rënda dhe grabitje, e për këtë janë arrestuar afro 1,214 persona, sipas të dhënave të policisë së Kosovës. Kjo është vetëm një fushë e problemeve dhe sfidave me të cilat ballafaqohet vendi ynë i vogël. E ku janë problemet tjera të cilat gati se kanë kapluar çdo fushë apo segment.
Papunësia po shënon rekord bashkë me mos-funksionimin e fabrikave. Është për keqardhje të shohësh se si ato fabrika për të cilat janë premtuar miliona investime sot janë shndërruar në gërmadha.

Nuk do mend fare se ngjyra e sundimit të ligjit është ajo më e theksuara. Në Kosovën tonë që aspirohet për integrime evropiane ka tendenca absurde për ikje nga realiteti, për fshehje të vërtetave dhe për manipulim me popullin. Janë sigurisht dështimet e njëpasnjëshme të politikës për të bërë ndryshimet e kërkuara ato që qëndrojnë prapa kësaj klime në të cilën rriten dhe ushqehen vetëm ekstremitet. E në anën tjetër ngërçet politike për qëllime tipike vetjake dhe inate individësh shihen si një ogur i zi për të ardhme të ndritur të vendit. Siç thotë një fjalë e urtë popullore “këtu nuk ka asgjë për riza të Zotit”, por për interesa personale apo partiake. Shumë pak jemi duke e parë të ngrihet dikush të punoj për të mirën e vendit, të lodhet e të mundohet, ani pse vendi ynë gjithsesi se ka burra të mëdhenj me vizion të qartë, por ja që nuk po ju jepet shansi dhe po pengohen bile disa nga ta edhe po akuzohen.

Janë këto punë të liga të cilat po e pamundësojnë integrimin e vendit tonë në struktura veri-atlantike, bile po e ndalojnë edhe nga lëvizjet e lira brenda kontinentit të vjetër. Ku janë premtimet e zonjushës “së ikur nga skena politike” e cila gjatë mandatit të vet tha se do të lëvizin lirshëm qytetarët nëpër Evropë? Ku është zhvillimi ekonomik, ku është sundimi i ligjit, ku është ndalimi i vjedhjeve dhe korrupsionit dhe mënyrave tjera të abuzimit dhe keqpërdorimit të djersës së qytetarët. Nuk ka përparim pa sinqeritet dhe sundim të ligjit. Hajnat duhet kapur dhe duhet dënuar rënd. Krimi nuk duhet mëshiruar, mëshira ndaj njerëzve të ligë, ndaj hajnave dhe kriminelëve është krijim i një hapësire të re për vazhdimin e atyre krimeve. Nuk ka kuptim liria e as shteti nëse nuk ndihen të lirë e të sigurt qytetarët në shtëpitë e tyre, në pronat e tyre. Zoti e drejtoftë këtë popull, dhe na i sjelltë në pushtet ata që ia kanë frikën Zotit lartë në qiell dhe i mëshirojnë njerëzit poshtë në tokë dhe punojnë për të mirën e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button