Vëlla, ishte nje jetë e bukur!

Pikëllimi dhe dëshpërimi nga ndërrimi jetë i vëllaut tim të madh na goditi të gjithëve shumë fuqishëm. Për ata që e njihnin ai ishte njeri I madh, më I gjërë sesa vetë jeta. Shumë shpesh dëgjova këto ditë që Zoti ka kërkuar një engjull të ri dhe e ka gjetur në të. Nuk dua të mendoj që kjo është vetëm një ngushëllim.

Duke ndarë dhimbjen me shokun tim të ngushtë, më përkujtoi në një film të vjetër të vitit 1946 të quajtur “It’s a wonderful life”. Po e bëj një sinopsis të shkurtër të filmit sepse dua ta lidh atë me jetën dhe veprën e vëllaut tim. Filmi flet për një njeri që jeton në një qytet të vogël, me ëndërra të mëdha për të shëtitur botën. Por jeta, si shumë herë e drejton atë në një kahje larg realizimit të ëndërrave të veta. Qëllimi jetësor i personazhit kryesor bëhet mbajtja gjallë e biznesit të babait të tij dhe shpëtimi i qytetit dhe qytetarëve nga lakmia mëkatare e kapitalistit të madh. Kuptohet që barra e madhe dhe loja e fëlliqur e biznesit e sjell personazhin kryesor në prag të vetëvrasjes. Zoti dërgon një engjull për ta ndihmuar këtë njeri që ka bërë kaq shumë për të gjithë. Engjulli me fuqitë e veta mbinatyrore e dërgon personazhin në një botë imagjinare në të cilën ai nuk është vetëm se një hije, të shkatëruar nga korrupsioni dhe mëkati, ku shumë nga familjarët dhe miqtë e tij ose nuk janë gjallë ose janë të zhytur në baltë. Pasi kupton domethënien e jetës së vet, personazhi kthehet në jetë me fuqi akoma më të mëdha për të vazhduar rrugën të cilën e kishte nisur. Të gjithë familjarët dhe miqtë e tij e ndihmojnë në momentet e tij të vështira. Në këtë mënyrë ai triumfon mbi jetën, sepse e kupton që jeta e tij ka patur impakt të madh në jetët e të gjithëve që e rrethonin.

Duke e njohur vëllaun tim, kjo ka qenë edhe esenca e jetës së tij. Ai ishte këtu, si një engjull për të ndihmuar të tjerët. Ishte themeluesi dhe sjellësi në Maqedoni I kompanisë Western Union në vitin 1999. E mbaj mend që reklamat e para të kompanisë shkonin në gazetat shqiptare me parullën “Tek ne flitet shqip”. Presionet e mëdha politike nga qeveritë e ndryshmë të Maqedonisë për të ndaluar punën e kësaj kompanie që shihej si një kompani shqiptare – megjithëse e përmasave globale – ai i tejkalonte me urtësi dhe me një erudizëm të paparë. I tillë ishte vëllau im, i matur, i ditur, i vendosur që të realizonte qëllimet e veta. Shembull për komunitetin e biznesit në vend e më gjërë. Ai e dinte që bota do të ishte më e keqe pa të, pa ndihmën dhe pa intervenimin e tij. Një njeri që kishte kohën dhe urtësinë të dëgjonte dhe të këshillonte të gjithë që i kërkonin vëmendje.

Teksa më fliste shoku im për personazhin e filmit, kuptova që në të 70 vjet më parë ishte përshkruar njeriu ideal me ideale të pastërta dhe fisnike. Ishte përshkruar vëllau im, Fisniku. Nga ai kuptuam se madhështia e jetës është modestia dhe pranimi. Të jesh modest e të mos mburresh për të arriturat e tua jetësore është një veti e cila vështirë mund të haset në një njeri që ka arritur aq shumë për një kohë të shkurtër. Dhuntia e pranimit dhe e urtësisë e shndërruan atë në më të dashurin e rrethit të vet të gjërë. Fisniku ishte njeri që vlerat patriotike nuk i shihte në fjalë të mëdha, por në vepra të mëdha. Prandaj edhe ashtu veproi përgjatë jetës së vet. Gjithmonë kërkonte që mëkëmbjen e popullit shqiptar ta shohim me seriozitetin e punës dhe ambicjes për të mbijetuar edhe kur rrethanat ishin të pamundshme. Mesazhi i tij gjithmonë nisej nga toleranca, sidomos në mënyrën se si e kuptonte botën e biznesit. Kishte aftësinë e madhe të liderit për soft-poëer, karakteristikë e liderëve modernë. Ai dinte të dëgjonte në mënyrë aktive, duke lënë larg punës paragjykimet, të perceptonte thelbin dhe të shpaloste argumentat e veta të shprehura në vizion.

Fisniku krijoi shumë nga asgjëja. Vinte nga Dibra – një qytet i vogël. Megjithë shkollimin e tij të suksesshëm në Zagreb, njohja e tij nga rrethi I elitës vendase ishte e paktë. Sepse fundja ishte vetëm një diplomant me shumë pak eksperiencë që kishte një ëndërr të madhe. Ishin të paktë ata njerëz që besonin në fuqinë dhe ambicjen e tij, por ata të paktë që dalluan këto veti në të ia besuan dhe i ofruan ndihmën e tyre për të etabluar në Maqedoni një ndër kompanitë më të mëdha dhe më me renome në botë. Ishte pastaj vetë Fisniku me gjithë karakterin e vet që krijoi një gjigand ekonomik në vend. Me të drejtë më thoshte që kjo botë është e egër, dhe duhen mbajtur sytë hapur gjithmonë. Por sipas tij, me lidhjet dhe me njohjen e njerëzve të duhur gjithçka ishte më e lehtë. Këtë ai diti ta shfrytëzojë, sepse me karmën e tij pozitive ai diti të bëjë për vete të gjithë bashkëpunëtorët e tij të ardhshëm.

Asnjëherë nuk u lëkund në vizionin e tij për sukses përskaj gjithë pengesave që i dolën përgjatë udhëtimit të tij. Dështimet i pranonte si mësim për të përmirësuar modelin e tij të punës. Dinte gjithmonë të gjente ekuilibrin mes palëve të ndryshme. Mesazhi i tij ishte të ushqejmë kuptim, simpati, njohje e pranim; ndërsa amaneti i tij ishte falenderimi, sepse ndihej i realizuar dhe i lehtë, edhe në sëmundjen e tij të rëndë.

Më duken të pakta këto rreshta për të pasqyruar madhështinë e forcën e tij dhe dëshirës së tij për jetë, sepse mënyra e tij e kuptimit të jetës dhe mënyrës se si diti të funksionojë në këtë botë të pamëshirshme, aq më tepër për një shqiptar, janë mësim për të gjithë ne. Veprimtaria e tij do të duhej të ishte një model se si të bëhesh I suksesshëm dhe të mbahesh aty – në majat e suksesit në një mënyrë të paqtë dhe të dëshirueshme nga bashkëpunëtorët.

Fisniku sot prehet i qetë në krahët e engjujve dhe Zotit të madh, që e kërkoi atë më shpejtë në atë botë të amshueshme. Sikur duket i duhej fisnikëria që nëpërmjet vëllaut tim ia kishte dhuruar njerëzimit. Uroj që mesazhet e tij të kuptohen dhe të përqafohen nga njerëzit e kësaj bote. Unë të paktën kurrë nuk do t’i harroj!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Pohoj se yt vëlla ishte i tillë, i qetë, i matur në llafe dhe mbi të gjitha ndëgjues i mirë dhe shumë, shumë tolerant. Këto tipare rrallë kush i posedon. Dhe në fund ke bërë një shkrim te shkëlqyeshëm.

  2. Parimi i ” vogel”…keshtu te kam njohur une si vellau i Fisit. Une u mallengjeva shume, perseri, tek sa lexova me nje fryme keto rrjeshta tuajat per vellaun e madh. I ke thurrur aq bukur e aq me çiltersi ashtu si e meriton vete Fisniku. Jeta per nje njeri qe dhuron shume dashamiresi, mbetet gjithmone e bukur.

  3. Tekst i prekshem, i bukur!
    Dikush jeton gjate, ama kot, as per vete as per tjeret.
    Fisniku, paqja e Zotit qofte mbi te, jetoi shkurt por mire dhe bukur, siq i ka hije Njeriut.
    I dobishem edhe per familjen, edhe per shoqerine.
    Ne fakt njeriu jeton aq sa jetojne pasvdekjes se tij kujtimet dhe fjalet e mira per te.
    Edhe ti Parim, edhe Adelina jeni te denje te jeni vella-moter e Fisit fisnik.
    Per Meriten qe luftoi si luaeshe per ta mbajtur sa me gjate ne jete bashkeshortin e saj – poashtu nuk kam fjale!

Back to top button