MOS PRIT TË TË HARROJ

MOS HARRO SE TË PRES!

Sa herë që mbyllte syçkat, seç ja puthte veshin pëshpërima e tij.

Ai ishte shumë larg, por fjalët e tij i dëgjonte sërish këtë natë.

Kishte frikë të hapte sytë, se ashtu do zhdukej zëri i tij aq i ëmbël, siç zhduket shiu i verës, shpejt e shpejt, por të le të qullur deri në palcë.

Kur afrohej mesnata dalëngadalë me hapa nusërorë ajo ndjente gishtërinjtë e tij në lëkurën e ftohur se si po krijonin poemën e përkryer.

Ai zbukuronte pa pikë turpi atë dhe gjithçka të sajën sa herë  që i shfaqej në ëndrra.

Ajo përqafonte vetminë  për të ndalur krojet e mallit që po e mbytnin.

Mungesa e tij ishte prezent në çdo dej të saj.

Dhe yjet e kishin braktisur qiellin për  t’ia shtuar skëterrën shpirtërore ende më shumë.

Ora e murit si çekan i rrihte mbi kokë: “Kaloi edhe një ditë pa të’’– sikur i thoshte me  ca sarkazëm të lehtë.

E ëmbël si shegë ishte aroma që ndjehej gjithnjë e më rrallë në këmishët e tij.

Këmisha të lagura nga shiu i shtatorit, e të thara nga zjarri i mallit të saj.

Letra të shkruara, të grisura, të rishkruara,…

Letra të padërguara vërshonin dhomën e saj.

Nuk shkruante më.

Nuk fliste më.

Por s’ka gjë, ajo dinte ta dojë edhe në heshtje, e donte vrazhdë, në mënyrë posesive, por sinqerisht.

E ndonjëherë seç dëshironte që jeta t’ia priste rrugën atij , diku ku ai fshihej, dikur kur ai të ishte në kulmin e lumturisë dhe t’ia thyente eshtrat, t’ia grithte lëkurën deri në plagë, ta shtrëngonte për fyti, dhe ashtu të përgjakur t’i pëshpëriste se ajo e dashuronte.

 

L.B.

Lajme të ngjashme

Back to top button