Keqinterpretim i rezultatit të votave nga PDK-ja!

Shkruan: Faik Krasniqi

PDK-ja respektivisht koalicioni i PDK-së ka fituar më së shumti vota, por nuk është fituese e zgjedhjeve. Sidomos jo në rrethanat e krijuara pas zgjedhjeve. Vendi i parë nuk të kualifikon për asgjë, përveç se, varësisht nga rezultati i partive tjera, mund të jetë përparësi në garën për formimin e koalicionit qeverisës.

Në momentin kur nuk gjen partnerë të nevojshëm në Parlament për formimin e qeverisë, vendi i parë për nga numri i votave, përveç disa përparësive në komisione parlamentare dhe propagandës mediatike nuk ka ndonjë vlerë të madhe. Gara elektorale nuk është kampionat i futbollit ku ai që grumbullon më së shumti pikë shpallet kampion! Në zgjedhje respektivisht pas zgjedhjeve partia e dytë e tretë dhe e katërt mund t’i bashkojnë pikët dhe ta kalojnë bindshëm partinë e parë. Gjë që është plotësisht legjitime dhe e praktikuar në të kaluarën dhe aktualisht në mjaft vende të ndryshme të Evropës. Ja një shembull. Në zgjedhjet parlamentare të Norvegjisë partia e parë Arbeiderpartiet kishte 30.9%, partia e dytë Hoyre 26,8%, partia e tretë Fremskrittpartiet 16,3%, partia e katërt 5,6%… Megjithatë qeveria u formua nga partia e dytë me 26,8% dhe nga partia e tretë me 16,3% nën udhëheqjen e Erna Solberg.

Përbërja e Stortingut-Parlamentit norvegjez. E gjithë kjo ka ndodhur në fund të vitit 2013 dhe jo në shekullin e kaluar. Kush është fituesi, Stoltenbergu i Socialdemokratëve që humbi rreth 5% (ngjashëm si PDK-ja në Kosovë) apo Partia e Solberg që u rritë dukshëm, por përsëri ishte vetëm e dyta?! Çfarë ka fituar Partia Socialdemokratike e Stoltenbergut me “vendin e parë”?! Asgjë! Ja një shembull tjetër edhe më eklatant… Zgjedhjet Parlamentare në Landin/ Republikën e Baden-Württemberg të Gjermanisë 2011: Partia e parë: CDU (partia kancelares Merkel) 39,0 % apo 60 mandate në Parlament. Partia e dytë: Grünen 24,2 % apo 36 mandate në Parlament. Partia e tretë: SPD 23,1 % apo 35 mandate në Parlament. Partia e katërt: FDP 5,3 % apo 7 mandate në Parlament.

Si rezultat i këtij konstelacioni për herë të parë pas një qeverisje të vazhdueshme 58 vjeçare të CDU (në koalicion apo e vetme) qeveria e kësaj Republike u formua nga ish-opozita respektivisht nga Grünen+SPD nën udhëheqjen e Kryeministrit nga radhët e Grünen (partia e dytë sipas votave dhe mandateve). Edhe në Suedi Partia Socialdemokrate është shumë më madhe se Partia moderate që qeverisë këtë shtet. Socialdemokratët në zgjedhjet e fundit fituan fituan më shumë vota dhe dolën në vendin e parë. Edhe pse dolën të parët mbetën në opozitë dhe nuk e bëjnë të madhe atë punë, as që e diskutojnë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button