Shkupi si kryeqendër e shqiptarëve

Shpesh të krijohet përshtypja se Shkupinuk bën pjesë të qytetet me rëndësi shqiptare dhe kjo falë edhe vetë politikës shqiptare në Maqedoni. Mos harrojmë se evenimentet më me rëndësi të shqiptarëve këtu, si dhe të gjithë partitë shqiptare në Maqedoni, PPD, PDSH dhe së fundi edhe BDI, kryeqendrën e tyre e kanë pasur dhe e kanë në Tetovë.
Mbase është rast unik në botë ku kryeqyteti i një vendi nuk shpallet si kryeqendër e etnicitetit tjetër. Mos harrojmë se një rast të ngjashëm si Maqedonia kemi edhe Bosnjën, ku serbët si kryeqendër e kanë Sarajevën edhepse Banja Luka është qyteti më i madh me serbë.

Pavarësisht të tanishmes dhe gabimeve që kanë ndodhur, Shkupi ka luajtur rol mjaft të rëndësishëm në vitet e pavarësisë. Këtë e dëshmon më së miri edhe librat e autorëve të huaj për Shqipërinë, ku ky qytet zë një vend të veçantë. P.sh, Oliver Schmidt në veprën e tij “Skënderbeu”, e përmend Shkupin 22 herë, ndërsa historiania franceze, Nathaly Clayer, në librin e saj “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”,  e përmend plot 56 herë.

Sipas të gjitha dokumenteve dhe përshkrimeve, Shkupi ka qenë qyteti më i madh i shqiptarëve gjatë vitit të shpalljes së pavarësisë. Mes 50 mijë banorëve që e popullonin, më se 40 mijë ishin shqiptarë, 4 mijë bullgarë e mbetja, kombësi të tjera. Si qendër e madhe qytetëse, në të ishin vendosur një mori konsulatash dhe dilnin gazeta e qarkullonte shtyp periodik shqiptar. Shkupi i kish tërë cilësitë e vlerat për t’u bërë kryeqendra shqiptare për shpalljen e Pavarësisë. Mid’hat Frashëri, në kujtimet e tij të udhëtimit, e përshkuan Shkupin e 1912-s, “…një vend thjesht Shqipëri, ku njerëzia është, jo vetëm në shumicë shqipëtare, por kjo racë formon tërërisë…”.

Shkupi, meritor për shpalljen e pavarësisë së shqiptarëve

Në “Federation Balkanoque”, Vjenë, në numrin e 1 dhjetorit 1928, poligloti shqiptar, Fan Noli, shkruan se “…sikur të mos ishin tradhëtuar prej krerëve, Shqiptarët (në Shkup) do ta kishin proklamuar që athere independencen e tyre”.

Bëhet fjalë për disa vite para vitit të pavarësisë, 1912, ku elita shqiptare e asaj kohe akoma ishte në mëdyshje mbi autonominë ose pavarësinë e shqiptarëve nga Perandoria Osmane. Kjo vonesë, karakteristike e periudhave shqiptare, pamundësoi shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në Shkup me ç’rast shqiptarët do humbitnin Shkupin edhe në kufijtë e 1913.
Historianët shqiptarë me të drejtë theksojnë se sikur krerët shqiptarë të merreshin vesht në Shkup për pavarësinë e Shqipërisë, kufijtë e saj do ishin më në favor të tyre, ku me domosdoshmëri Shkupi do ishte pjesë e saj dhe me gjasë edhe kryeqyteti. Pas disa kohësh, krerët shqiptarë do takoheshin përsëri, por kësaj here në Vlorë, një qytet gjeostrategjik por jo i përmasave që kishte Shkupi.

Që të mos e mbyllim këtu, më poshtë do sjellim disa citate nga personalitete të huaja dhe shqiptare, sesi ata në dëshmitë e tyre okulare ose të dokumenteve, e shikojnë Shkupin.

Mid’hat Abdyl Frashëri – politikan, themelues i librarisë së parë shqiptare

Para pesë viteve shikoja që në Shkup nuk ishte e ngritur ndjenja kombëtare, ndërsa sot shikoj ndryshime mjaft të mëdha në këtë drejtim. Shumë prej djelmoshave kanë një program kombëtar, punojnë me vullnet dhe  çape të sigurt, gazetat që mbahen, shoqëritë, grupet muzikore, shkollat që po gatuhen, të gjitha na dëftejnë rrugën e zënë.  Klubi kulturor “Djalëri e Mëmëdheut” si dhe dy gazetat “Shkupi”, shqip dhe turqisht dhe “Luftimi Kombtar” turqisht, bënë të vetën në ringritjen e ndjenjës kombëtare, por gjithashtu edhe mizoritë e Turgut Pashës dhe Xhavidit e ftohën më shumë respektin që kishin shqiptarët për osmanët.

Shkupi, me gjithë rëndësinë gjeografike, ka edhe një rëndësi të madhe për ne shqiptarët nga pikëpamja e tregtisë, me vendin e tij në udhën e hekurt të Selanik-Beograd-Vjenë dhe si krye e një udhe tjetër për në Mitrovicë, këto dy udhë të hekurta dhe udhët tjera për në mes të vendeve, e bëjnë Shkupin një ndër qytetet më tregtare të Rumelisë.

Edhe gjithë këta tregtarë, gjithë këta njerëzit e pazarit, do dyqanxhinj të vegjël dhe artizanë të mëdhenj qofshin, janë pothuaj të gjithë shqiptarë. Një tregti e madhe bëhet me Selanikun, Vjenën dhe Budapeshtin dhe natyrën shqiptare e këtij qyteti mund ta kuptojmë se tre të katërtat e tregtisë të Shkupit bëhet nga njëkombasit tonë. Prej 5000 shtëpive që ka Shkupi vetëm 120 janë shtëpi serbe, ndërsa bullgarët që duken se kanë shumicën, edhe ata  s’kanë më shumë se 1500 shtëpi. Sa për vilajetin e Shkupit, kur ky të mirret si Kosovë, është si e dëgjojmë dhe e kuptojmë ne shqiptarët, një vend thjesht Shqipëri, ku njerëzija është, jo vetëm me shumicë shqiptare, por kjo racë formon tërësinë. – Elita Shqiptare – Midhat Frasheri,  fq 546-547

Nathaly Clayer – historiane franceze
-Në Maqedoni kishte po ashtu një bashkësi të vogël katolike në Shkup, e krijuar nga familje tregtarësh shqiptare, të ardhura nga Shkodra, nga e cila më vonë do dilte edhe e famshmja Nënë Tereza.
-Sanxhaku i Shkupit kishte 350.000 deri 400.000 banorë ndërsa vetëm Shkupi 45.000 banorë, prej të cilëve më shumë se 35.000 ishin shqiptarë.
Në sanxhakun e Shkupit kishte 43% shqiptarë.  – Në fillimet e nacionalizmit shqiptar – Fq 71, 132.

Franz Nopca – paleontolog hungarez

Xhonturqit, në një mënyrë aspak të zgjuar, çuan deri në tronditjen e themeleve të forta të Perandorisë Osmane dhe kësisoj në krijimin e lidhjes ballkanike. Shqiptarët, të dobët brenda përbrenda, nëpërmjet fitores së tyre në Shkup çuan pjesërisht në rrëzimin e Turqisë. Tanimë filluan të veprojnë edhe një herë faktorë të fuqishëm, duke parashtruar kërkesat më të forta ndaj këtyre mureve të dobësuar.  –Kujtime nëpër Ballkan

Eqerem Bej Vlora – rilindas shqiptar
Tani takoja në çdo hap shqiptarë të armatosur, që së bashku me banorët vendas kalonin të qetë nëpër rrugë. Të gjitha tregtoret ishin në punë, të gjithë dyert e shtëpive të hapura. Nëpër kafene shihje madje edhe oficerë turq (por natyrisht, jo Turq të Rinj) zyrat e administratës së vilajetit dukej se punonin, së paku, nëpunësit ishin në krye të detyrës, nëpër qytet silleshin, e madje krejt të patrazuar edhe të huajt, ndërsa edhe serbët edhe bullgarët e urryer. Vetëm klubi i Turqve të Rinj (It-tihat ve terak-ki) ishte pushtuar nga shqiptarët. Flamuri osman varej në të gjitha ndërtesat publike. Ishte një revolucion, gjë që vihej re në të gjitha pamjet e jetës publike, por një revolucion pa teprime, pa tubime, pa britma, pa dhunën e skllevërve që kanë shpërthyer burgun, ishte protesta e një populli zotëri kundër fyerjeve të pësuara. Asnjë komb në botë, pas dy kryengritjeve të shtypura përgjakshëm, pas një suksesi siç ishte pushtimi i kryeqendrës së provincës, pa organizim ushtarak, pa një hierarki të qartë e të njohur ligjërisht, pa ju trembur pasojave të një veprimi të dhunshëm, pa asnjë kontroll, të mund të sillen në mënyrë kaq të shkëlqyer, kaq të qytetëruar dhe njerëzorë, si këta fshatarë të varfër të “Shqipërisë së egër” të cilët shpesh, me një përkujdesje fëmije, zbërthenin nyjën e shamisë së tyre për të nxjerrë që andej një piastër, mbase të fundit, e të blinin me të pak bukë e djathë, ndërkohë që mbronin interesat e bashkësisë. Vetëm se ky popull zotëri, të cilin unë, si atëherë edhe sot, e dua me gjithë shpirt, sepse ai, me vetitë dhe veprat e tij fisnike përfaqëson këngën e fundit të eposit heroik evropian. Ky popull nuk ka pasur kurrë fat me udhëheqësit e vet, të mëdhenj a të vegjël, e sidomos me ata, të cilët në kontakt me kultura të huaja kanë humbur autoktoninë e trashëguar! Shtresa e mesme dhe e lartë e Shqipërisë, me pak përjashtime, që nga mesi i shek. të 19-të e sot kanë qenë shpirtërisht, shpesh, në lartësi, por moralisht të padenjë për të udhëhequr këta njerëz të mrekullueshëm. Më sa duket kontakti me botët e huaja, jo vetëm i vyshk, por edhe i kalb fare lulet në kohën e pjekurisë dhe frutat e vjetra dhe të reja të natyrës shqiptare.

(Eqrem Bej Vlora, Fragment nga libri: Kujtime, f. 279)

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. I nderuari Fitim,duhet te kuptoje me mire pse partite shqiptare kane perqendruar aktivitetin e tyre kryesor ne Tetove.Aresyeja e pare eshte se ne kete qytet,i banuar pothuaj teresisht me shqiptare,mbeshtetja ndaj aktivitetit te tyre ne favor te ceshtjes shqiptare eshte me inkurajuese dhe per fat te keq tuajin ne Shkup,ku popullsia eshte heterogjene dhe me shumice maqedonase,nuk do te kishte ate mbeshtetje qe e gezojne ne Tetove.Por,megjithe kete aresye,duhet qe vendosmerisht me kushtet aktuale qe jane krijuara tani pas Marreveshjes se Ohrit,partite shqiptare duhet qe ta zhvendosin aktivitetitn e tyre politik krahas me partite maqedonase,dhe patjeter duhet te aktivizojne miltantet e vet edhe ne pjesen tej Vardarit,mbi Shkup,pra te shtrijne aktivitetin e tyre ne tere teritorin e Maqedonise,sepse vetem keshtu do te kete nje nderveprim e kuptim me te thelle rreth asaj se per c’fare perpiqen dhe c’fare kerkojne shqiptaret si popullsi me numer me te madh pas maqedonasve.Nga artikujt politike dhe pershkrimet e tjera politike,deri me sot nuk kam degjuar,bile as edhe ne debatet qe zhvillojne politikanet shqiptare te Maqedonise,se sa ata e shtrijne aktivitetin e tyre ne te gjithe Maqedonine.Vetem duke qene te pranishem ne te gjithe territorin,politikanet shqiptare do te bejne me te vetedijshem jo vetem opinionin maqedonas,por edhe ate Ballkanik,por edhe europian.Njohja e vlerave te vetvetes dhe percimi i tyre drejt popujve te tjere duhet te jete nje hap tjeter konsistues drejt politikave dhe programeve ne te ardhmen.

Back to top button