Shqipëria do t’u marrë para kosovarëve në Rrugën e Kombit

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur që ndërtimin e rrugëve të reja dhe mirëmbajtjen e disa akseve ekzistuese ta kalojë me koncesion tek privatët.

“Ne kemi pamundësi për shkak të situatës financiare të trashëguar, kemi pamundësi të ofrojmë shërbimet. Do të duhen një mënyrë tjetër, ajo është ofrimi i operatorëve privatë për të ofruar shërbime publikut me kosto racionale dhe me shërbime të përmirësuara”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Ahmetaj sqaroi para deputetëve se vendimi është marrë pas një studimi të hollësishëm mbi gjendjen e infrastrukturës kombëtare.

“Nuk ka kufizim. Jemi duke parë disa akse në veri dhe në jug që janë sot pengesë për zhvillimin ekonomik dhe që buxheti i shtetit nuk ka mundësi t’i financojë. Jemi duke parë me vëmendje në mënyrë që t’ia ofrojmë për partneritet privatëve”, deklaroi Ministri Ahmetaj, raporton TCH.

Rruga e parë që pritet të bëhet me pagesë për qytetarët është ajo Durrës-Kukës, kostoja e së cilës vazhdon të rritet pafund. Qeveria shpreson që veç mirëmbajtjes, të financojë përmes privatëve edhe përfundimin e saj.

Erjon Braçe, deputet i PS, kryetar i Komisionit të Ekonomisë, tha: “Pra edhe pse kemi shpenzuar 1.1 miliard euro për këtë rrugë duhet të paguajmë prapë?”.

“Jo 1.1 miliard. Më shumë se 1.1. Ka shkuar 1.3 miliard dhe kërkon minimalisht 100 milion të tjera”, tha Ministri Ahmetaj.

Vitet e fundit ndërtimi i rrugëve ka marrë mesatarisht 500 milionë dollarë në vit, nga buxheti, të financuara përmes taksave të qytetarëve apo borxhit publik.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik tha se kostoja e anulimit të koncesioneve, që sipas tij qeveria e kaluar ka dhënë në kundërshtim me interesin publik, mund të shkojë deri në 2.5 për qind e Prodhimit Kombëtar.

“Nëse të gjitha koncesionet që ne kemi gjykuar që janë ndërtuar përtej transparencës do të rrëzoheshin, dhe është një alternativë, kostoja për buxhetin e shtetit kalon mbi 250 mln euro. Imagjinoni se çfarë ngarkesë i kanë lënë buxhetit të shtetit dhe qytetarëve qeveria që shkoi”, shtoi Ahmetaj.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. I nderuar portalb,
    ky titull eshte shum bombastik dhe rrit perqarjen midis Shqipetareve.
    Shqiperia nuk u merr para Kosovareve, por te gjithe atyre qe perdorin autostraden ose ndryshe sic njihet, rruga e Kombit. Pra eshte e njejta gje, qe pagon gjithkush nga Kumanova deri ne Struge.
    Lirisht mund te zgjidhen rruge dytesore. Autostrada do mirembajtje, prandaj edhe duhet paguar, jo vetem tek ne por gjithkundi ne bote. Edhe Gjermania eshte duke debatuar fort ne keto dite per punen e pageses se autostradave.

Back to top button