Rama: Partneriteti me Kosovën, jo patriotiko-elektoral, por strategjik

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë zunë një vend të rëndësishëm në analizën e 300 ditëve të para të qeverisë Rama. Kryeministri theksoi se qeveria e tij transformoi veç të tjerash edhe partneritetin me Kosovën, duke e kthyer nga një partneritet patriotiko-elektoral në një partneritet strategjik, përmes disa aksesh që qeveritë e dy vendeve po bashkëpunojnë dhe përafrojnë me njëra-tjetrën.

Këtu Rama përmendi marrëveshjen unifikimit të sistemit arsimor, por edhe hapjen e autostradës energjetike të Kosovës që u mbajt e bllokuar për vite të tëra.

“Ne kemi bërë një hap që është vonuar për vite të tëra duke e kthyer partneritetin me Kosovën nga një partneritet patriotiko-elektoral në një partneritet strategjik. Sot ne jemi krenarë se në 300 ditë kaluam nga politika e abetares, te realizmi i marrëveshjes për unifikimin e sistemit arsimor Shqipëri-Kosovë. Në 300 ditë hapëm autostradën energjetike me Kosovën, e cila u mbajt e bllokuar për vite të tëra vetëm për arsye të një tenderi. Po ashtu, në 300 ditë kemi vënë në vijë dhe një sërë projektesh të tjera që do të realizojmë në 4 vitet e mandatit tonë qeverisës”, tha më tej Rama.

Nisur edhe nga ngjarjet e ditëve të fundit të protestave në Maqedoni, dhe të një fryme nacionalizmi që u përhap edhe në qytetet të tjera ku jetojnë shqiptarë, Rama tha se sot ka ardhur koha që shqiptarët të marrin një rol të ri në Rajon, duke ndryshuar imazhin negativ që të huajt kanë krijuar për ne, dhe duke kërkuar më tepër vlerësim.

“Të triumfojmë në opinionin ndërkombëtar mbi imazhin negativ të krijuar për shqiptarët si njerëz të lidhur me krimin dhe me gjithë të këqijat e kësaj bote. Ne këtë imazh do ta zhbëjmë dhe do ti themi botës me fakte dhe jo me rrahje gjoksi nacionaliste se shqiptarët meritojnë të vlerësohen më shumë dhe të duhen më shumë, dhe kushdo që i do shqiptarët kanë arsye të besojnë se bashkë me ta e ardhmja është më e sigurt, kjo vlen për gjithë Rajonin, dhe gjithë Evropën”, tha Rama gjatë aktivitetit për prezantimin e 300 ditëve të para të punës së qeverisë së tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button