E gjithë Bota me sy nga Maracana

Një finale që nis pikërisht me kujtimet e së kaluarës. Nga Beckenbauer, te Maradona, duke kaluar përmes duarve të Lothar Matheus. Historia rikthehet sërish për të dyja këto kombëtare, pikërisht aty ku mbeti në finalen e 24 viteve më parë. Gjermania nuk fiton një titull Botëror që prej atij kompeticioni, ndërsa Argjentina që nga ajo kohë nuk arrin në finale. Sot në mbrëmje historia do të përsëritet, me dy vendet që do të kenë si pengesë pikërisht njëra-tjetrën për të arritur mbi çatinë e botës.

Në orën 21:00, dy përfaqësueset do të zbresin mbi tapetin e “Maracana-s” dhe çdo ëndërr që ishte thurur përpara fillimit të këtij kompeticioni do të marri formë në fushë. Do të jetë përballja mes dy shkollave të ndryshme futbolli që gjithashtu në këtë eveniment kanë pasur një stil të ndryshëm. Argjentina bashkë me Brazilin është konsideruar gjithmonë si toka e futbollit spektakolar, por balanca e kësaj të fundit në këtë kompeticion anon më shumë nga gjermanët, që kanë realizuar deri në këto momente plot 17 gola kundrejt 9 të “La Seleccion”.

Argjentinasit kanë Messin por gjithashtu dhe një lojë të organizuar ndërsa Gjermanët pa yje të veçantë kanë treguar se forca e tyre e përhershme mbetet grupi. Low e ka izoluar skuadrën në prag të finales duke dashur që të tijtë të jenë të përqendruar totalisht te finalja. Më e rëndësishmja për trajnerin e “Panzerave” është të mos lejojë të tijtë të përfshihen nga euforia për suksesin 7-1, pasi çdo ndeshje është histori më vete, dhe fakti që gjermanët në të kaluarën kanë humbur katër nga shtatë finalet e luajtura tregon se përqendrimi në një ndeshje të tillë është ai që ka më shumë rëndësi. Riaftësimi i Hummels është lajmi më i mirë për teknikun gjerman, ndërsa nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha krahasuar me ndeshjen me Brazilin, ku Muller, Kroos dhe Ozil do të jenë pas shpatullave të Miroslav Kloses, kryegolashënues i historisë së kampionateve botëror.

Te Argjentina një plus i madh për finalen është prania e Di Marias, që u mendua se e kishte mbyllur Botërorin e tij. Pikërisht lojtarit të Realit i druhen më shumë dhe gjermanët, aq më tepër që me të në fushë dhe Messi ka tjetër efektshmëri. Aguero mendohet se mund të luajë nga minuta e parë në vend të Lavezzit ose Higuain, ndërsa kapiteni Messi deri tani nuk ka shënuar asnjëherë në Botëror pas fazës së grupeve, por një gol në finale mund të ishte dhurata e tij më e mirë për miliona argjentinas.

Ka shumë prej atyre që e konsiderojnë këtë finale dhe si një sfidë brenda sfide mes Messit e Muller, por duke marrë parasysh dhe kundërshtarët që do të kenë në portë, Neuer e Romero, kjo e sotmja duket një ndër ato finale, ku çdo episod duhet shfrytëzuar në favor. Në fund të fundit në një finale, ka vend vetëm për një fitues.

Lajme të ngjashme

Back to top button