Ngjarjet në Maqedoni temë e diskutimeve në takimin Meta dhe Nuland

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, kanë diskutuar në takimin në Tiranë edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon.
Meta ka shprehur mirënjohjen për rolin e SHBA-ve në forcimin e demokracisë në Kosovë, duke theksuar se për sa u përket ngjarjeve të fundit shqetësuese në Maqedoni, “Shqipëria mbështet dialogun konstruktiv mes palëve në frymën e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, duke mos harruar se çdo hap që hidhet në rajon duhet t’i shërbejë klimës së mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe forcimit të paqes, stabilitetit dhe progresit ekonomik të të gjithë qytetarëve tanë”.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, në drejtim të forcimit të institucioneve demokratike, si dhe për rolin personal të Nuland në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Ndihmës Sekretarja e Shtetit Amerikan e uroi Metën për miratimin e statusit të vendit kandidat për në BE, duke nënvizuar se ShBA-të do të qëndrojnë edhe më pranë Shqipërisë në drejtim të avancimit të të gjitha reformave të nevojshme për progresin e vendit drejt perspektivës evropiane.

Ndërsa, Meta shprehu bindjen se qytetarët shqiptarë presin që politikë bërja e Shqipërisë dhe e rajonit të afrohet me standardet evropiane dhe në këtë drejtim Kuvendi do të shërbejë si një platformë solide e dialogut politik dhe e  transparencës në mënyrë që reformat e ndërmarra të japin rezultate të prekshme.

Në këtë kuadër, mirëpritet dhe inkurajohet kontributi pozitiv i opozitës dhe bashkëpunimi i të gjitha palëve politike, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile.

Lajme të ngjashme

Back to top button