Nga do shkojnë protestat?

Pasi u mbajtën edhe në javë të dytë protestat e shqiptarëve të Shkupit me rastin dhe pretekstin e gjykimit për vrasjen në Smilkovci të para dy viteve më parë, këtë herë në formën më të mirë dhe më të qetë të mundshme, ato nxorën në pah shumë gjëra me rëndësi për të ardhmen e Maqedonisë.

E para dhe më e madhja që u duk dhe që mbetet ende më shumë të trajtohet është se edhe këtë herë u pa se problemi më i madh i Maqedonisë është mospasja e një përgjigje për shqiptarinë e saj. Më saktë për shqiptaren në Maqedoni me gjithë trajtimin e shtetit ndaj qytetarëve shqiptarë, por edhe të shqiptarëve ndaj institucioneve.

Ashtu krahasuar me gjithë problemet e dukshme dhe të padukshme tjera të Maqedonisë u pa qartë se shqiptarët janë esenca dhe arsyeja e këtij shteti. Gjithë tjerat si problemi me emrin me Greqinë, me historinë me Bullgarinë dhe me kishën me Serbinë, nëse asgjë tjetër, krahasuar me çështjen e shqiptarëve, janë probleme të prolongueshme.

Njashtu u pa se edhe çfarëdo bojkoti i opozitës, edhe si ky aktual ky ajo bile as nuk pranon rezultatin zgjedhor nga zgjedhjet e fundit dhe kërcënon me bojkotim total të institucioneve, nuk është çështja kryesore atëherë kur institucionet ballafaqohen me kundërvimin shqiptar qytetar.

Bile atë që e bënë shqiptarët me dy palë protesta nuk kanë arritur ta bëjnë as BE ja, NATO dhe SHBA-të që shpesh viteve të fundit, me të drejtë, kanë konstatuar se institucionet janë të zaptuara nga një rreth i ngushtë partiak dhe shteti ka problem me sundimin e së drejtës në te.

Është qartë se këto protesta ndonëse nisën me një tjetër shkas akumuluan një momentum të ri politik që nëse arrin të trajtohet denjësisht nxjerr në shesh faktin ashiqare se shteti është zaptuar nga disa kushërinj që nuk kanë arritur ti zaptojnë ende vetëm shqiptarët e papërfaqësuar politikisht. Ndonëse me hile të ndryshme politike kanë arritur ti parakalojnë partitë e ashtuquajtura shqiptare me çka kanë forcuar uzurpimin dhe instalacionet e tyre prej Gjykatës kushtetuese e deri nëpër komuna.

Ashtu edhe kapitali politik i akumuluar tani nga ky kundërvim shqiptarë mbetet të shkojë në drejtim të ndërtimit të shtetit ligjor ku kryesore do jetë fakti se sa qytetarët shqiptarë do arrijnë në këtë betejë të kyçin edhe maqedonasit dhe të tjerët për të kthyer Maqedoninë në një shtet të denjë të vazhdojë në rrugën e përcaktuar evropiane.

Kahja e dytë do jetë përmirësimi i përfaqësimit politik shqiptarë. I cili përmirësim tani e ka patjetër të ndodhë edhe i shtyrë nga gjithë ai solidarizim që u bë për Shkupin dhe shqiptarët e Maqedonisë nga diaspora, Shqipëria dhe Kosova. Pasi askush më nga këto vende nuk i merr seriozisht si organizime politike në lidhje me shqiptarët e këtushëm disa ish struktura politike që aktualisht mund edhe të udhëheqin me ministri, drejtori dhe komisione lustrimi, por që ja kanë mbet, vetëm nëpër rrjete sociale të merren me atë se kush i paska organizuar protestat e kush kinse po dëshiron të përfitojë prej tyre?!

Ashtu jehona dhe zëri i artikuluar me rastin e këtyre protestave edhe gjatë kohë do kumbojë në realitetin politik në Maqedoni dhe besoj se do shkojë duke u qartësuar edhe më shumë.

Kush do dëshirojë punë dhe përmirësim të vërtetë do jetë në anën e këtij zëri në të ardhmen kurse dështakët mund të vazhdojnë të shkruajnë sharje koti për njerëzit dhe mediet nëpër Fejsbuk, ndonëse dita-ditës jo veç mundësia për politikë, por edhe qasja e tyre në internet do jetë në mëshirën e Gruevskit i cili po u rrëzohet para syve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button