Basha, takim me Nuland: Vendosmëri për mbrojtjen e shtetit ligjor dhe demokracisë

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euro-aziatike, Victoria Nuland u prit sot pasdite në një takim nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Duke ndarë vlerësimin për arritjen e Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat dhe duke e konsideruar këtë një shans të madh për ecjen e vendit drejt hapjes së negociatave për anëtarësim, Basha e siguroi Nuland për përkushtimin e Partisë Demokratike në përparimin e vendit drejt standarteve europiane dhe euroatlantike.

Basha e njohu Nuland me shqetësimet e opozitës për zhvillimet në vend. Duke theksuar nevojën për konsolidimin e sistemit të drejtësisë, duke luftuar rastet e korrupsionit dhe duke rritur pavarësinë e tij, Basha tha se kjo mund të bëhet vetëm përmes bashkëpunimit më të gjerë të mundshëm mes forcave politike, drejtësisë dhe institucioneve ndërkombëtare.

Po ashtu, Basha shprehu vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të mbrojtur vlerat e demokracisë, shtetit ligjor, të drejtave dhe dinjitetit të individit, si vlera të ndara me demokracinë e madhe amerikane dhe si rruga e drejtë për të ecur përpara për mirëqënien dhe sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button