Kush ua shkroi komunikatën e njëjtë BDI-së dhe PDSH-së?

Ajo që ka rënë në sy sot pasdite, është komunikata e njëjtë që u dërguar mediave nga selitë e BDI-së dhe PDSH-së.

Ndonëse me nënshkrimin partiak të partive përkatëse, bie në sy se konstrukti i fjalive i cili është tërësisht i njëjtë si në komunikatën e BDI-së ashtu edhe në atë të PDSH-së.

Për shembull komunikata e BDI-së fillon me fjalinë në vijim: “Në lidhje me paralajmërimet në rrjetet sociale për mbajtjen e protestave ditën e premte, më 11 korrik, në Shkup…”. Ndërsa ajo e PDSH-së me këtë fjali: “Në lidhje me përshkallëzimin e protestave të javës së kaluar dhe paralajmërimet në rrjetet sociale për mbajtjen e protestave ditën e premte, më 11 Korrik 2014, në Shkup…”.

Fjalia e dytë e komunikatës së BDI-së është kjo: “…me konsideratë ndaj apeleve të unifikuara të komunitetit ndërkombëtar në vend,…”. Kurse e PDSH-së është kjo: “…me konsideratë ndaj apeleve të unifikuara të komunitetit ndërkombëtarë në vend”.

Të njëjta janë edhe tre pikat në vijim: “Bashkimi Demokratik për Integrim, fuqimisht fton të gjithë qytetarët që të janë të qetë dhe të përmbahen nga veprime të dhunshme. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe t”i shfaqin pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore por jo edhe të përfshihen në veprime destruktive apo të dhunshme. Bashkimi Demokratik për Integrim fton institucionet kompetente që të merren me këtë rast gjyqësor duke respektuar tërësisht standardet ndërkombëtare”. Dhe Partia e Thaçit: “Partia Demokratike Shqiptare, fuqimisht fton të gjithë qytetarët të janë të qetë dhe të përmbahen nga veprime të dhunshme. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe t’i shfaqin pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore por jo edhe të përfshihen në veprime destruktive apo të dhunshme. Partia Demokratike Shqiptare  fton institucionet kompetente të merren me këtë rast gjyqësor duke respektuar tërësisht standardet ndërkombëtare”.

Se a është rastësi kjo apo jo, gjykoni vet të nderuar lexues! As nga BDI e as nga PDSH, nuk ka treguar se cila është ajo “dorë” që e ka shkruar këtë komunikatë. / Shenja

Lajme të ngjashme

Back to top button