Thaçi i vetmuar!

Pas daljes së rezultateve preliminare më 8 qershor se PDK-ja bashkë me partnerët e koalicionit ka dalë partia e parë, nga ”Jerusalemi i PDK-së” në Prizren, Hashim Thaçi dukej i ”relaksuar” se edhe këtë herë pa problem do ta formojë Qeverinë dhe do të bëhet kryeministër për herë të tretë. Jam i sigurt se nuk do t’i ketë shkuar në mendje që opozita do bëhej bashkë kundër tij, në mënyrë që mos ta lënë ta krijojë edhe njëherë Qeverinë, apo Thaçi 3. Por, kjo ndodhi. Pas dy ditësh LDK-AAK-NISMA nënshkruan marrëveshje për krijimin e Qeverisë. Ky koalicion i opozitës mori mbështetjen edhe të VV-së së Albin Kurtit. Thaçi u step. E quajti marrëveshjen e opozitës si të paligjshme. Filloi ta kërcënoj opozitën dhe Presidenten, se vetëm ai ka të drejtë ta formojë Qeverinë. Kërcënonte se do ta dërgoi vendin prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme, nëse ai nuk mund ta formoj Qeverinë. Pas kërcënimeve të tij bërë Presidentes që ta mandatoj PDK-në për formimin e Qeverisë, ajo ia dërgoi disa pyetje Gjykatës Kushtetuese se kush ka të drejtë dhe kë duhet ta mandatoj. Gjykata Kushtetuese i interpretojë dy mundësitë për krijimin e Qeverisë, që do të thotë se opozita s’ka bërë asgjë të kundërligjshme dhe ka të drejtë në krijimin e Qeverisë.

Hashim, urime opozita!

Thaçi më në fund ka ngelur i vetmuar. I provoi të gjitha manovrimet e paligjshme për të thyer marrëveshjen e lidhur mes LDK-AAK-NISMA, madje duke tentuar edhe t’i blejë disa deputetë nga partitë e koalicionit, por asnjëra nuk i ndezi. Kur e pa që iu shterrën të gjitha mundësitë e ”akrobacioneve”, u gjunjëzua dhe filloi të bëjë oferta nga më të ndryshme partive opozitare, por asnjë parti shqiptare nuk po dëshiron të bëjë koalicion me të për formimin e Qeverisë, pavarësisht ofertave tepër ”joshëse” të tij! Ai madje e hodhi në ”ankand” postin e kryeministrit, duke iu bërë ofertë partive të bllokut opozitar. Por as posti i kryeministrit dhe gjysma e ministrive të Qeverisë të ofruar nga Thaçi, nuk e lëkundi për asnjë moment koalicionin opozitar LDK-AAK-NISMA, por as VV e Albin Kurtit. HashimThaçi kishte angazhuar njerëz të ndryshëm, për t’i dërguar si ”mësit” te Isa Mustafa, Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj. Të gjithë ndërmjetësuesit e Kryetarit të PDK-së, të nisur në LDK, VV, AAK dhe NISMA tashmë janë kthyer duarbosh në selinë e PDK-së.
Secili prej atyre ”mësitëve” është kthyer tek Thaçi me mesazh negativ. Askush nga opozita nuk dëshiron as të bisedojë me Kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçin.
”Askush nuk dëshiron, as të takohet për të biseduar”. Këto ishin mesazhet e ”mësitëve” të Thaçit!
Koalicioni opozitar dhe VV-ja janë duke i qëndruar besnik marrëveshjes së tyre për të mos iu përgjigjur ftesës së Thaçit dhe PDK-së për krijimin e Qeverisë.
Telashet e Thaçit nuk mbarojnë me kaq. Nga partia e tij veçse kanë filluar dorëheqjet. E para që u largua ishte Ministrja në detyrë e Intregrimeve Evropiane Vlora Çitaku, e cila një javë më parë dorëzoi mandatin e deputetes, por dje dha dorëheqje edhe nga detyra e ministres. Por nuk vonoi aq shumë dha dorëheqje nga mandati i deputetit edhe ”daja” i madh i Hashim Thaçit, Azem Syla.
Derisa për Hashim Thaçin telashet nuk po kanë fund, partnerët e koalicionit LDK-AAK dhe Nisma, tashmë kanë vendosur të hyjnë si një grup i përbashkët parlamentarë në kuvend, në mënyrë që atyre t’iu takoj posti i kryetarit të Kuvendit si dhe i kryeministrit. Nëse shkon çdo gjë sipas procedurave ligjore dhe PDK-ja nuk e bllokon formimin e qeverisë duke e dërguar prapë në Gjykatën Kushtetuese, para shtatorit do të kemi qeverinë e re të formuar mes LDK-AAK-NISMA me mundësi edhe VV-ja. Thaçi duhet të pajtohet se ka humbur dhe të mendojë si të veprojë në opozitë. Nuk është fundi i botës. Hashim, urime opozita!

Ps: Hashim Thaçi dhe PDK-ja duhet ta pyesin veten, pse të gjitha partitë shqiptare e refuzuan për krijimin e Qeverisë? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Askush nuk dëshiron të futet në koalicion me një parti që për dy mandate ka keqqeverisur, është zhytur thellë në korrupsion, në krim të organizuar dhe ka prodhuar me qindra-mijëra skandale. Në opozitë PDK-ja duhet të reflektojë, përndryshe problemet e kësaj partie s’do të kenë fund!

Lajme të ngjashme

Back to top button