Mediat maqedonase ndezin zjarr duke akuzuar mediat shqipe

Nëpër mediat maqedonase kanë qarkulluar lajme që i kanë akuzuar mediat shqiptare se i kanë fryrë pakënaqësisë që protestuesve shqiptarë për dënimet e shqiptuara në rastin “Monstra”.

Më e shquara ka qenë gazeta “Dnevnik”, e cila ka kritikuar raportimet në mediat shqipe në të cilat janë cituar personat që kanë deklaruar se rasti është i montuar dhe se të akuzuarit në të vërtetë janë të pafajshëm.

Gazeta ka përmendur tekste të publikuara në mediat shqipe, përfshirë edhe “Portalb” dhe “Zhurnal”, në të cilin ka reagime të disa qytetarëve dhe juristëve, të cilët kanë deklaruar se nuk ka “prova të mjaftueshme” për vendimin e këtillë të gjyqit.

“Dnevnik” thirret edhe në qasjen e analistëve si Mersel Bilalli për Portalb, ku thotë se “protestat nuk duhet të ndalen, por duhet të vazhdojnë me kërkesa konkretisht të definuara”.

Transmetohet edhe deklarata e analistit dhe gazetarit Xhelal Neziri për Portalb se “vendimet gjyqësore i sjell politika, ndërsa protestat janë rezultat i gjyqësisë së partizuar dhe institucioneve shtetërore”.

Inixhiniering i dirigjuar nga lartë 

Kryeredaktori i Revistës “Shenja”, Ismail Sinani, thekson për “Zhurnal”, se akuzat e këtilla që vijnë nga mediat e kontrolluara apo që janë nën ndikimin e VMRO DPMNE-së, paraqesin edhe një dëshmi se në Maqedoni vepron një inxhiniering i dirigjuar nga lartë, i cili sipas nevojave, përdoret për ta lavdëruar pushtetin apo për t’i satanizuar të gjithë ata që nuk veprojnë në përputhje me agjendën politike të Qeverisë së Gruevskit.

“Dhe, duke qenë situata e këtillë, protestat e fundit dhe raportimi i mediave shqiptare për atë se çfarë në të vërtetë po ndodh në terren, bie ndesh me agjendën e politikës qeveritare. Në një situatë të këtillë, detyrë e mediave maqedonase të kontrolluara nga Qeveria, është ta minimizojnë atë që në fakt realisht po ndodh në terren.

Gjithsesi se kjo revoltë i shpërfaq problemet të cilat prej disa vitesh dikush tenton t’i fsheh si të paqena dhe kjo si pengon as Qeverisë ashtu edhe mediave të kontrolluara prej saj”, deklaron Sinani.

Ndërkohë, Elida Zylbeari, kryeredaktore në Portalb.mk, thekson se reagimi i këtillë mund të kuptohet si presion klasik ndaj gazetarëve shqiptar që mos të shkruajnë për atë që ndodh realisht në opinionin shqiptar në Maqedoni.

“Kërkojnë të heshtet rasti në fjalë, nëpërmjet etiketimit se po nxisim situatën. Ky reagim i mediave maqedonase është i pakuptimtë dhe mund të interpretohet si tentativë për të larguar vëmendjen nga problemet dhe shkaqet e vërteta për zhvillimet e fundit në vend.

Një gjë është e sigurt, të mbulosh dhe heshtësh, ose t’i paraqesësh ‘të zbukuruara’ zhvillimet e fundit në lidhje me rastin ‘Monstra’ nuk është zgjidhje dhe nuk kontribuon në qetësimin e situatës, aq më shumë – e ngulfat atë”, thotë ajo për “Zhurnal”.

Mediat maqedonase kanë humbur pavarësinë 

Nga ana tjetër, analisti politik Ibrahim Mehmeti thotë se mediat luajnë rol jashtëzakonisht të madh, qoftë për nxitjen, por edhe për parandalimin e tensioneve ndëretnike. Sipas tij, në rrethanat tona, kryesisht mediat janë më “efikase” kur për nxitjen, sepse praktikisht është një situatë midis konflikteve dhe qetësimeve të përkohshme, që përsëritet.

“Është e qartë se kohëve të fundit, mediat maqedonase në masë të madhe e kanë humbur pavarësinë dhe nuk e luajnë rolin që ndoshta e kanë luajtur më parë, kur kanë bërë përpjekje për afrimin e palëve ose për sqarimin e mosmarrëveshjeve.

Nëse e shohim rastin në ‘Gjorçe Petrov’ mund të shihet qartazi se keqinformimi, një shtrembërim i fakteve solli në konflikte, duke prodhuar dëme jo vetëm materiale por edhe të raporteve ndëretnike”, ka thënë Mehmeti, për “Zhurnal”.

Ai thotë se mediat luajnë një rol shumë të rëndësishëm, edhe pse ato kanë rregulla të funksionimit dhe të veprimit. “Megjithatë, mediat duhet të jenë të vetëdijshme se janë pjesë e ambientit të përgjithshëm dhe nuk duhet që të sillen sikur nuk iu interesojnë pasojat e informimit të tyre”, ka thënë Mehmeti.

Informata të paketuar në ambalazh proqeveritar 

Më tutje, gazetari Ismail Sinani, thekson se nuk duhet harruar që mediat pro-qeveritare maqedonase tani nuk mund më t’i akuzojnë dy liderët e partive shqiptare ngase nëse analizohen prononcimet e tyre, “në thelb nuk dallojnë prej deklaratës që e dha ditë më parë Nikolla Gruevski, se pas protestave ka një agjendë të caktuar”.

“Në këtë situatë, mediat maqedonase e kanë për obligim ta shpikin ‘armikun’ që e prish rehatinë. Pra, në rastin konkret janë mediat shqiptare, të cilat në realitet vetëm se po e kryejnë punën e tyre”, ka thënë Sinani.

Pastaj, gazetarja Elida Zylbeari thekson se kur flitet për profesionalizëm, kjo qasje bie ndesh me parimet e gazetarisë profesioniste. Ajo thekson se qytetari ka të drejtë të informohet në mënyrë objektive, jo-manipulative dhe t’i mundësohet qasja në mendimet e ndryshme.

“Mediat maqedonase me çdo kusht tentojnë t’i paketojnë informatat me ambalazh të bukur pro-qeveritar dhe kush guxoi të flasë ndryshe menjëherë gjendet në shënjestrën e tyre”, thotë Zylbeari.

Reagimit së fundmi i është bashkëngjitur edhe botuesi i gazetës “Lajm”, Fejzi Hajdari. “I bëj apel policisë, që në të ardhmen, kur të kenë ndërmend të arrestojnë gazetarë, të mos arrestojnë gazetarë të rinj si kolegu i ‘Lajm’ Besim Ibrahimi, por le të më arrestojnë mua”, ka shkruar në “Facebook” Hajdari.

Ndryshe, në një deklaratë të dhënë së fundi, Federata e Gazetarëve Evropianë ka theksuar se është shumë e shqetësues fakti se në Maqedoni nuk ka kushte për të ushtruar gazetari në mënyrë të lirshme.

Deklarata është bërë ndërkohë që në Shkup janë zhvilluar protestat e shqiptarëve. Federata e Gazetarëve Evropianë thekson se dënimi i pesë shqiptarëve të akuzuar për përfshirje në vrasjen e pesë të rinjve maqedonas mbartë në vete potencial për tensione ndëretnike.

Lajme të ngjashme

Back to top button