Protestat, shenjë e pakënaqësisë së përgjithshme

Protestat e ditëve të fundit në Shkup dhe qytete tjera të Maqedonisë, nuk janë vetëm shprehje e pakënaqësisë ndaj gjykimit për rastin “Monstra“, por edhe kundër qeverisjes aktuale dhe në përgjithësi klasës politike, përfshirë këtu edhe opozitën.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike duke komentuar rastet e fundit, kur gjatë protestave në shënjestër ishin edhe selitë partiake ndërsa dëgjoheshin brohoritje kundër liderëve të tyre.

“Protestat kanë disa dimensione, së pari ato kanë të bëjnë me rastin ‘Monstra’, por pakënaqësitë janë edhe ndaj partive politike,jo vetëm ndaj partisë shqiptare në qeveri, BDI-së, por edhe ndaj asaj opozitare, apo gjysmë opozitare, PDSH-së”.

“Qytetarët, në këtë mënyrë, dëshirojnë t’ju tregojnë partive politike, se nuk se ata nuk pajtohen që votën e tyre të zhvleftësojnë dhe të luajnë me vullnetin e tyre. Mesazhi është shumë i qartë, ne ua kemi dhënë votën, por ne nuk pajtohemi që ju të luani me të“, thotë Arsim Sinani, profesor i shkencave të komunikimit dhe njohës çështjeve politike.

Edhe Sasho Klekovski, analist vlerëson se në shenjë pakënaqësie ndaj partive politike për të realizuar kërkesat e tyre dhe në mungesë të ndonjë alternative të tretë, qytetarët kanë zgjedhur protestat si formë demokratike për të artikuluar kërkesat e tyre.

Sipas tij, protesta kundër vendimeve gjyqësore, janë mbajtur edhe më parë, por ato para selive partiake duhet të shërbejnë si mesazh për liderët se besimi i tyre është në rënie e sipër.

“Mund të them se nuk është hera e parë që shqiptarët protestojnë kundër proceseve gjyqësore, por kësaj radhe ata protestojnë edhe kundër partive politike shqiptare për të cilat kanë votuar. Kjo dëshmohet edhe me rastet e fundit kur protestuesit hodhën gurë edhe ndaj selisë së BDI-së. Në fakt kjo nuk është hera e parë pasi protesta para selive të partive kanë ndodhur edhe më parë”.

“Kjo tregon pakënaqësinë e shqiptarëve që ekziston ndaj përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, pra si ndaj BDI-së ashtu edhe ndaj PDSH-së. Ata kanë zgjedhur mënyrën e shprehjes së pakënaqësisë në rrugë pasi nuk ka as opsion të tretë politik. Sidoqoftë, dy partitë këtë duhet ta kuptojnë si shenj të mosbesimit që ekziston ndaj tyre nga ana e qytetareve shqiptar“, thotë Sasho Klekovski, profesor universitar dhe njohës i çështjeve politike.

Lidhur me ngjarjet e fundit janë prononcuar edhe liderët partiak, kryeministri Nikolla Gruevski dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, por vetëm katër ditë pas protestave që degjeneruan në dhunë me policinë.

Ata kërkuan përmbajtje nga aktet e dhunës, ndërsa Ahmeti tha se ngjarjet e tilla e dëmtojnë sipas tij, zgjidhjen e problemit përmes institucioneve të sistemit.

Analisti, Arsim Sinani prononcimet e tilla në veçanti të partisë shqiptare i quan të vakëta dhe pa ofrimin e ndonjë zgjidhje konkrete.

“Deklarimi i partive politike shqiptare është i vonshëm, mos të them i vakët, thjesht deklarime pa ndonjë ide se si të dilet nga situata. Mendoj se partitë politike shqiptare duhet të dalin me deklarime të qarta, jo pas katër pesë ditëve, por kur ndodhin ngjarjet për shkak se kjo lejon të krijohen trazira dhe më me seriozitet t’i qasen kërkesave të qytetarëve shqiptarë“, tha Sinani.

Ndërsa duke komentuar deklaratën e Gruevskit, se bëhet fjalë për individ që synojnë të realizojnë agjenda të caktuara, Sinani thotë se në fakt për fjalë për pakënaqësi të përgjegjshme e jo për individ apo grupe të caktuara.

Ndryshe, thirrje për protesta ka edhe për ditët në vijim ndërsa veç në Shkup kanë nisur të mbahen edhe në qytete tjera.

Përveç, në Tetovë, ku pati përleshje me policinë, në qytetet tjera ato janë zhvilluar të qeta dhe pa incidente./ REL

Lajme të ngjashme

Back to top button