“Bota” flet shqip në “Karlovy Varyt” të Çekisë

Shqipëria e Kosova janë prezantuar me prodhimin e përbashkët kinematografik në festivalin prestigjioz të Karlovy Varyt.

Filmi “Bota” bashkëprodhimi parë mes Kosovës dhe Shqipërisë është shfaqur premierë botërore në festivalin prestigjioz të Karlovy Vary në Çeki.

Filmi me regji e skenar të Iris Elezit dhe Thomas Logorecit është shfaqur në kuadër të garës “East of the West” të festivalit që ka nisur më 4 korrik dhe do të zgjasë deri më 12 korrik 2014.

Karlovy Vary International Film Festival është festival i kategorisë A dhe prezantimi i filmit në vendin e mbërritjes së yjeve të kinemasë, regjisorëve dhe producentëve nga e gjithë bota është mundësi e mirë për të prezantuar kinematografinë shqiptare, por edhe për të promovuar vendin tonë.

Artistët pjesëmarrës në film janë Flonja Kodheli, Artur Gorishti, Fioralba Kryemadhi, e madhja Tinka Kurti, Guljelm Radoja, dhe Alban Ukaj.

Brenda 100 minutave të filmit, përmes personazheve të tre të rinjve sillet një tablo e Shqipërisë sot. Filmi, siç dhe ka shpjeguar regjisorja, fokusohet në jetën e një komuniteti të vogël të ish të përndjekurve politikë të harruar nga koha dhe nga vetë ne, buzë një kënetë në Sektorin C. Skena ku Elezi ka vendosur filmin e saj është Adriatiku i Lushnjës, një fshat i vogël e i largët ku familjet e tre personazheve kryesorë kanë mbetur aty që kur ish regjimi i kishte internuar. 

“Bota” është kafja ku “takohen” personazhet. Në filmin e Elezit copëza historish bëhen bashkë për të rrëfyer universalen. Në të ndërthuren ëndrrat e një 20- vjeçareje që kërkon t’i shpëtojë izolimit të “botës” së vogël të fshatit të saj për t’u bërë banore e botës së madhe. Ecejaket e një 40-vjeçari për t’i dhënë një motiv jetës së tij, histori të së shkruarës që rikthehen dhe një autostradë që nis të ndërtohet.

“Bota” është bashkëfinancuar nga Qendrat Kinematografike të të dyja vendeve ndërsa është ndihmuar edhe nga MIBAC (Ministria e Kulturës Italiane), me mbështetjen e EURIMAGES.

Lajme të ngjashme

Back to top button