Shtrenjtime! Cunami çmimesh në vjeshtë!

Firmat e industrisë ushqimore i filluan llogaritjet – pas shtrenjtimit të rrymës elektrike, një pjesë e madhe e kompanive i filluan llogaritjet për shpenzime më të larta, e disa kanë edhe humbje. Një pjesë e firmave nga industria e miellit paralajmëruan çmime më të larta të bukës. Shtrenjtime të mundshme llogarisin edhe kompanitë e industrisë së qumështit dhe të mishit. Sipas ekonomistëve, cunami i çmimeve pritet të vijë së shpejti. Shtrenjtimet më së shumti dhe më fuqishëm do të vërehen në vjeshtë.

Në shtator – jetesa do të shtrenjtohet për 5%?

Shtrejntimi i energjisë elektrike pa dyshim do të shkaktojë valë shtrenjtimesh, veçanërisht të produkteve ushqimore. Rritja e çmimeve në korrik do të kulminojë në shtator, kur pritet rritje e çmimeve për pesë përqind, konsiderojnë ekspertët.

“Shtrenjtimi i rrymës do të shkaktojë edhe shtrenjtime të tjera edhe atë logjikisht për shkak se energjensët janë inputi kryesor në prodhimtari. Shpenzimet e rritura për shkak të rrymës më të shtrenjtë do ta rrisin çmimin e prodhimtarisë e me këtë edhe çmimin e produkteve finale. Këto shtrenjtime që filluan në korrik do të kulminojnë në shtator, kur prodhimet me inpute të përfshira, gjegjësisht me shpenzime të rritura të llogaritura, do të shiten me çmime më të larta për 5%. Tani, këto disa muaj të verës prodhuesit i harxhojnë rezervat dhe ka mundësi që të mos ndjehet kjo valë, por që në fillim të vjeshtës prodhimtaria do të punojë me harxhime të reja të cilat do të llogariten në produktin final” – thotë për “Portalb”-in profesori universitar Sami Bislimi.

Pas shtrenjtiit të energjisë elektrike për përafërsisht 3,5%, disa nga firmat më të mëdha të industrisë së miellit, paralajmëruan çmime të reja, më të larta të bukës. Sipas informatave nga qarqet afariste, llogaritje bëhen edhe nga firmat e industrisë së qumështit dhe të mishit. Nuk përjashtohet mundësia që pas përfundimit të sezonit veror, produkte e mishit, qumështi dhe produktet e qumështit prej shtatorit të shiten me çmime më të larta. Kritike bëhet gjendja edhe në sektorin e transportit, veçanërisht pas shtrenjtimit të fundit të derivateve të naftës për 2 denarë për litër.

“Në sektorin e transportit kriza akoma nuk është tejkaluar. Rritja e harxhimeve bën presion mbi të ardhurat, gjegjësisht në përgjithësi, biznesi i transportit është shndërrua në përfitimin minimal ose madje do të thoja edhe humbje. Zakonisht kthimi i TVSH-së, veçanërisht nga udhëtimet jashtë vendit, është edhe fitimi në këtë biznes. Çmimet e karburanteve janë rritur jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon dhe në Evropë, dhe gjithsesi kjo ndikon mbi rentabilitetin e sektorit transportues. Të ardhurat përfundojnë për t’i mbuluar harxhimet rrjedhëse, dhe shumë pak para mbeten për investime. Në vend, akoma 70% e parkut vozitës është në gjendje të keqe. Tani, edhe përkundër shtrejntimit të fundit të derivateve të naftës, transportuesit do të përpiqen t’i mbajnë çmimet ekzistuese të mbajnë punën” – thotë Biljana Muratovska nga shoqata transportuese “Makam-trans”.

Ministri i ri për ekonomi Bekim Neziri deklaroi se qeveria është duke e ndjekur trendin e shtrenjtimeve dhe masat e deritanishme për t’u ndihmuar kategorive të lëndueshme në aspekt social të qytetarëve kanë ndihmuar që të zbuten pasojat për standardin jetësor.

“Ministria për ekonomi në vazhdimësi i ndjek të gjitha ngjarjet që ndërlidhen me shtrenjtimet dhe përpiqemi që në mënyrë të drejtpërdrejtë ose indirekte të kontribuojmë që ato shtrenjtime të jenë në brenda kornizave që mund t’i përballojë çdo qytetar. Në këtë drejtim, qeveria në vazhdimësi miraton pako me masa për t’u ndihmuar kategorive të lëndueshme në aspekt social të qytetarëve” – deklaroi ministri Neziri.

Në ndërkohë, statistika në muajin maj, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, regjistroi zvogëlim të çmimeve me pakicë për 0,8%. Por, sipas ekonomistëve duhet të merren parasysh çmimet sezonale të pemëve dhe të perimeve, të cila në këtë periudhë të vitit zvogëlohen dhe me këtë kontribuojnë për zvogëlimin e përqindjes së përgjithshme të shpenzimeve për jetesë. Të dhënat tregojnë se në pesë muajt e parë të këtij viti, rritje më të madhe të çmimeve prej 13,2% ka te barnat dhe produktet e tjera për shëndet, shërbimet e komunikacionit janë shtrenjtuar për 4,9%, shërbimet shëndetësore për 1,5%, pastaj çmimi i qumështit të përpunuar është rritur për 4,6%, i qumështit për 3,5% ndërsa i perimeve të freskëta për 2,9%. Të dhënat tregojnë se mbi dy të tretat e të ardhurave mujore përfundojnë për ushqim dhe komunalie. Nëse analizohet struktura e shportës konsumatore për një familje katëranëtarëshe, të cilën e publikoi LSM-ja, në maj kanë qenë të nevojshme 32.200 denarë që të mbijetohet muaji. Në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, shpenzimet janë rritur për 1.500 denarë, ose për nevojat dhe produktet e njëjta nevojiten më shumë para. Nga shpenzimet e përgjithshme mujore 42,22% përfundojnë për ushqim, madje 31,81% për banim, gjegjësisht komunalie, dhe si shpenzim i tretë më i lartë është transporti që merr pjesë me 7,28%.

“Fuqia blerëse e popullatës është e vogël, ne kemi 400 mijë qytetarë që nuk mund t’ia lejojnë vetes t’i blejnl produktet kryesore për jetesë, gjegjësisht nuk mund t’i plotësojnë nevojat ekzistenciale. Nëse i krahasojmë çmimet në Maqedoni në krahasim me mesataren evropiane, te ne çmimet nuk janë të larta, pro rrogat janë të vogla.” – thotë profesori Bislimi dhe shton:

“Që të ndjehet përmirësim i standardit jetësor, ekonomia duhet të rritet me përqindje prej rreth 6% edhe atë disa vite me radhë. Nga ana tjetër, asnjë ekonomi nuk mund të llogarisë në rritje të qëndrueshme pa e zgjeruar prodhimtarinë, gjegjësisht pa investime, e te ne neto-investimet janë një deri në dy përqind e PBB-së, e në disa periudha investimet madje ishin në minus. Është e saktë se ekonomia kishte rritje, por duhet ta shohim strukturën e kësaj rritjeje. Ne tani kemi gjendje të rritjes në arsim, shëndetësi dhe në sektorin publik, ndërsa jo mungon ose është e ulët në sektorin real, i cili duhet të jetë lokomotivë e ekonomisë.”

Sipas matjes së fundit të Entit evropian për statistikë, Eurostat, çmimet në Maqedoni janë 47% e mesatares evropiane, me çka vendi numërohet në grupin e vendeve me çmime më të ulëta konsumatore në krahasim me ekonomitë e rajonit dhe të Evropës. Mirëpo, nga ana tjetër, Maqedonia bën pjesë edhe në grupin e vendeve me standard më të ulët – – vetëm 35% e mesatares evropiane, që tregon se çmimet në vend ndoshta janë të ulëta për evropianin mesatar, por tepër të larta për standardin e qytetarëve të Maqedonisë. /Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button