E kanë me “Monstrat politike”!

Protestat e shqiptarëve në Maqedoni kanë tejkaluar sot shkakun përse nisën dhe përpjekjet për infiltrime fetare, duke u rikthyer në kryeqendrën e shqiptarëve në Tetovë dhe duke u mbështetur nga thuajse gjithë qytetet shqiptare me flamuje kombetare. Edhe pse nisën për shkak të procesit “Monstra”, ato duket se nuk kanë më lidhje me arsyen pse shpërthyen. Edhe pse startuan nga ndonjë oborr xhamije, ato nuk kanë sot më karakter fetar, edhe pse militantë myslymanë mund të depërtojnë mes tyre për marketing.

Protestat në Maqedoni, duket se janë një problem i ri politik, më shumë për politikën shqiptare atje, se sa për pushtetin maqedon, dhe nëse vazhdojnë me këtë ritëm mund të  gjunjëzojnë Maqedoninë duke detyruar riformatimin politik të shqiptarëve.

Së pari Bashkimi Demokratik për Integrim, apo siç njihet parti e Ali Ahmetit, po agresohet nga protestuesit në cdo qytet, pas një rezultati shumë të lart që ka marrë në zgjedhjet e fundit, kur u shtirë si parti nacionaliste, kundër Gruevskit dhe kandidatit të tij për president. Gjesti simbolik i BDI, duket se zbuloi ndarjen e thellë etnike mes shqiptarve dhe maqedonëve dhe ata i dhanë asaj partie maksimumin e mbështetjes.

Por pas fitores ata panë se arsyeja për të cilën ata votuan, u kthye në një gënjeshtër banale dhe arrogante, duke rihyrë në qeveri dhe duke rinjohur e lëpirë cfarë ishte pështyrë në fushatë. E gjitha ngjau me një lojë kalamjash, ku në fund, Ali Ahmeti, i qeshur duket sikur u thotë votuesve, “ua hodha dhe këtë herë”.  Kjo ka shaktuar zemërim tek ajo pjesë që ka votuar BDI jo si militante, por si qytetarë të irrituar nga padrejtësitë sociale dhe etnike.

Në këto kushte BDI e Ali Ahmetit, është duke shpresuar si PPD e dikurshme para konfliktit të vitit 2001, se ata që janë në rrugë, nuk kanë udhëheqës dhe nuk mund ti rrëzojnë. Ky mentalitet mund tu kushtoj shtrenjt, pasi rruga dhe mali nuk vujanë kurrë për komandant.

Së dyti partia opozitare me BDI, e kryesuar nga Menduh Thaçi, është vendosur në një pozitë edhe më qesharake. Në deklaratën  e sotme Menduh Thaçi, duket sikur ishte gati bodigardi i qeverisë dhe pushtetit shqiptaro maqedon, duke i dhënë vetes atribute që nuk ja kanë dhënë shqiptarët.

“Ne i mbështesim protestat, mirëpo ne jemi edhe koka intelektuale dhe racionale e kombit shqiptar këtu. I bëj thirrje të gjithë shqiptarët që mos ta humbin shpresën tek procesi demokratik, dhe e dyta mos ta humbin shpresën tek aleatët tonë perëndimor, NATO-ja UE-ja dhe SHBA-ja” tha Thaçi.

Kjo deklaratë është për tu pasur zili nga çdo zëdhënës pushteti dhe statukuoje në Maqedoni. Ata që janë në rrugë, as që u hynë në punë fakti që Thaçi dhe Ahmeti mund të vetquhen “koka intelektuale dhe racionale” edhe pse s’janë të të tillë. Ata që janë në rrugë nuk janë as intelektualë dhe racionalë, por revolucionarë, që duan një përgjigje për zhgënjimin e tyre. Në rastin konrket ata nuk kanë gjë me Thaçin se nuk e kanë votuar, por me BDI që ua mori votat si antimaqedone dhe pastaj e përdori këtë për të forcuar pozitat në pushtetin maqedon.

Së treti, VMRO, si parti në pushtet në Maqedoni, është më e qartë se Ahmeti dhe Thaçi për rrezikun e protestave. Ata shikojnë më qartë, se dy partitë poltike shqiptare, nuk kanë autoritet bi protestat dhe nuk janë as pas tyre dhe as mbi to. Kjo ka detyruar Gruevskin të hidhet vet në betejë duke sulmuar mediat shqiptare që mbështesin protestat sic është Alsat i Maqedonisë apo portale të tjera me ndikim. Dy partitë politike shqiptare, nuk kanë më asgjë në dorë, as prostuesit, as medien, dhe as ndonjë ide si duhet dal nga kjo situatë.

Ndryshe nga e premtja, kur protestat nisën nga disa xhamija, dhe kur ndonjë flamur jeshil arab të dëshpëronte më shumë se Gruevski, sot protestat nisën nga sheshet e qytetave dhe sidomos nga Tetova. Flamujtë shqiptarë u bën imazhi kryesor i tyre, dhe zhgënjimi nga partitë politike shqiptare u bën motivi i tyre. Nëse vazhdon kështu, me ndihmën e rrjeteve sociale dhe medias së pavarur, ato mund ti bëjnë Maqedonisë, atë që nuk i ka shkuar në mendje as Gruveskit, as Ahmetit dhe as Thaçit.  Protestat nuk kanë më lidhje më aq shumë me procesin “Monstra” edhe pse ai proces, gërvishti një plag të vjetër që ka të bëj me diskrimnimin e tyre. Protestat kanë të bëjnë më shumë me monstrtat politike, që i kanë braktisur njerëzit dhe kanë shitur besimin e tyre. Kanë të bëjnë me pazarxhinjtë.

Lajme të ngjashme

Back to top button