Politika luftënxitëse e Gruevskit rrezikon Maqedoninë

Këto ditë kur shqiptarët në Maqedoni po protestojnë kundër gjykimit me burg të përjetshëm për rastin Monstra, dhuna policore e ushtruar ndaj qytetarëve shqiptarë të përkujton periudhën e Millosheviqit në Kosovë. Të gjithë e dimë se çfarë solli ajo periudhë jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë Jugosllavinë e atëherëshme. Gruevski po ndjek me përpikmëri hapat e Millosheviqit, dhe mbase jo gabimisht, por me një qëllim të caktuar. Politika luftënxitëse e tij kërkon të ndajë Maqedoninë, por për këtë i duhet një luftë.

MONSTRUMI DEMOGRAFIK

Duket se gjithçka u nis nga një raport i dalë para ca vitesh nga Akademia Ruse e Shkencave, raport ky që bëri jehonë të madhe në mediat ballkanike. Fati i Maqedonisë pas vitit 2025 do ishte në dorën e shqiptarëve, të cilët kishin natalitet pozitiv dhe shumë të lartë krahasuar me mortalitetin pozitiv dhe shumë të lartë të komunitetit tjetër që banon në këtë republikë ish-jugosllave. Ky raport ishte ogurzi për politikanët që udhëheqin një popull sllav të cilin duan me forcë t’a bëjnë të mendojë që është antik, sepse analizat që shfaqeshin aty tregonin se shqiptarët do jenë shumicë në Maqedoni nga viti 2025. Për ta bërë frikën akoma më të thellë, një raport të ngjashëm nxorri studiuesi Ivan Saev i Universitetit të Sorbonës që vërtetonte gjetjet e akademikëve rusë.

Në vitin 2011 Maqedonia duhej të zhvillonte një regjistrim të popullatës në vend. Ishte një operacion të cilin Gruevski u detyrua t’a ndërpriste sepse që në ditët e para u vërtetua teza e Akademisë Ruse. Jo vetëm në Maqedoninë Lindore, por edhe në pjesën perëndimore dhe sidomos në Shkup dhe Tetovë shumë qytetarë që llogariten si maqedonasë u regjistruan si serbë e bullgarë. Gruevski u mundua të fajësojë shqiptarët për dështimin, mirëpo shumë prej atyre pjesëmarrësve në këtë regjistrim dëshmuan përcaktimin serbo-bullgar të një pjese bukur të madhe të popullatës sllave.

Për të mbajtur numrin e maqedonasve në një nivel më të lartë, qeveria e udhëhequr nga apetitet e Gruevskit hartoi një plan i cili do i jepte përfitime familjeve sllave të cilat do lindnin më shumë fëmijë, mirëpo gjykata kushtetuese e shpalli ligjin si antikushtetues, dhe për pasojë qeveria u detyrua t’a aplikojë në teritorin e tërë Maqedonisë. Ky ligj jo që nuk solli ndonjë bum lindjesh tek familjet sllave, por ngacmoi shumë familje shqiptare të shtojnë dhe nga një anëtar në familjet e tyre.

Duke dashur të evitojë krijimin e ligjeve që i kthehen si bumerang, marifeti i fundit i kësaj qeverie është reklama televizive vetëm në gjuhën maqedonase që jepet ekskluzivisht në kanalet që emetojnë në këtë gjuhë e ku ju bën thirrje qytetarëve maqedonasë që të lindin sa më shumë fëmijë sepse kjo na qenka traditë e kahmotshme e tyre.

POLITIKA MONSTRUOZE LUFTËNXITËSE

Marrëveshja Kornizë e Ohrit ishte hartuar për të avansuar të drejtat e shqiptarëve etnikë në nivel të barabartë me ato të drejta që gëzon pjesa tjetër e këtij shteti – maqedonasit. Megjithëse qarqe të ndryshme antishqiptare trumpetonin se shqiptarët kërkojnë MË SHUMË të drejta, një gjë e tillë s’ishte e vërtetë. Në thjeshtë kërkonim barazi – asgjë më shumë. Përveç që i dha fund luftimeve, kjo marrëveshje ishte paraparë të sillte dhe paqen, mirëpo implementimi i saj edhe sot e kësaj dite është çështje diskutimi. Kur i duhet partisë shqiptare ne pushtet të numërojë arritjet, atëherë kjo Marrëveshje është implementuar, kur i duhen vota gjatë fushatave të njëpasnjëshme, atëherë duhet që kjo Marrëveshje të implementohet. Pavarësisht këtyre lojërave dhe politikave ditore të partive tona, mosimplementimi i kësaj marrëveshje është problemi më i madh i shqiptarëve dhe i këtij shteti.

Pak para ndërperjes së konfliktit (përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshje), Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë hartoi një plan për të shkëmbyer teritore me Republikën e Shqipërisë. Në vija të trasha – Shqipërisë i jepej Tetova, Gostivari dhe Dibra, ndërsa Maqedonia do merrte ca fshatra në rrethinën e Pogradecit dhe të Prespës. Shqiptarët që do mbeteshin në qytete tjera (Kumanovë, Shkup, Kërçovë, Strugë, Ohër, Veles, Manastir, Prilep, Krushevë, etj) do barteshin me autobusë për në Shqipëri ose Kosovë, nëse nuk do donin të jetojnë ndër Maqedoni. U quajt çmenduri në atë kohë, mirëpo ASHAM tha që një gjë e tillë duhej bërë.

Sidoqoftë, midis Marrëveshjes së Ohrit dhe planit për shkëmbim territoresh – partisë së Gruevskit më shumë i përgjigjet kjo e dyta, marrë parasysh dhe faktorin demografik të përmendur në pjesën e parë të këtij shkrimi. Nëse Tetova, Gostivari dhe Dibra i jepen Shqipërisë – shqiptarët e mbetur (dhe në mos duan të ikin) do ngelen përsëri pakicë dhe do punojnë për të ushqyer apetitet e mëdha të popullit pa të kaluar dhe – me sa duket – pa të ardhme.

Aspiratat e shqiptarëve për t’iu ribashkuar familjes Evropjane – themelet e të cilës i hodhëm mijëra vite më parë – nuk përputhen me interesat e Gruevskit, i cili sipas gjitha gjasave më shumë preferon që ky vend të ndahet se sa të shkojë në Evropë. Shqiptarët i thanë JO ndarjes që në vitin 2001, ndërsa me këto të dhëna demografike, Maqedonia në Evropë do udhëhiqet nga shqiptarët, pavarësisht nëse një gjë e tillë i pëlqen ose jo Gruevskit – përpos nëse ajo ndahet sipas planit të ASHAM.

Nën regjimin e Gruevskit, shqiptarët kanë parë t’ju bëhen padrejtësi të mëdha në shumë sfera, si në arsim, në ndarjen e buxhetit, në drejtësi, në postet udhëheqëse, në investime, etj. Universiteti Shtetëror i Tetovës zakonisht merr më pak buxhet se sa universitetet me mësim në gjuhën maqedonase. Shumica e shkollave në komunat shqiptare janë në gjendje të mjerrueshme, nuk kanë as kushte minimale për t’i vizituar – jo më për të mbajtur mësim aty, ndërkohë që Ministria e Arsimit modernizon shkollat në Maqedoninë Lindore dhe nëpër komuna ku shqiptarët janë të paktë në numër. Komunat shqiptare çdo vit marrin më pak buxhet se komunat maqedonase, pa çka se të ardhurat që realizohen nga komunat shqiptare janë dukshëm më të larta se ato tjerat. Drejtësia është nën ndikim shumë të madh të qeverisë, dhe shqiptarët gati se kurrë nuk takohen me të. Është e vërtetë që ka disa ministra shqiptarë, por në ato dikastere shpeshhere kemi parë që më shumë fuqi të ketë zëvendësi maqedonas, se sa vet ministri shqiptar. Vetëm gjatë periudhës së zgjedhjeve të parakohëshme të vitit 2014 Gruevski solli dhjetëra investime të huaja – të gjitha në zona të banuara me maqedonasë, përderisa Zona Ekonomike e Tetovës akoma s’ka ndonjë zhvillim të dukshëm praktik apo ndonjë realizim konkret.

Projekti Skopje2014 i cili i kushton buxhetit të qytetarëve qindra miliona euro është projekt që mund të aprovohet vetëm nga ndonjë shqiptar që s’ka parë ndërtesa të stilit barok në librat e historisë antike, por pjesa dërmuese e shqiptarëve, dhe të jemi të sinqertë – një pjesë bukur e madhe e maqedonasve nuk e aprovojnë këtë projekt sepse po i kushton shumë të gjithëve.

Mos harrojmë të përmendim se shqiptarët në Shkup ndihen të rrezikuar sapo dalin nga dera e shtëpisë sepse ua rrahin fëmijët në shkollë, në autobusa, në stacion, në stadium, në park, në sheshin Makedonija.

Pse i bën Gruevski të gjitha këto padrejtësi, edhe shumë më tepër? Pse rrezikon aq shumë të tallet ashiqare me partinë e dalë nga lufta të cilën e ka pjesëmarrëse në qeveri, dhe s’i lë as të nxjerrë zërin? A nuk mendoni se Gruevski dëshiron luftë, që të fajësojë shqiptarët për mungesë tolerance dhe bashkëjetese dhe t’a ndajë Maqedoninë sipas planit të ASHAM? A nuk ju duket e çuditshme që ai i ik integrimeve si gjarpërit sepse ai e di mire që po u bëmë pjesë e BE-së dhe NATOs, ëndërra e tij për Maqedoni të maqedonasve ka marrë fund?

DETONATORI I MONSTRUMIT

Në momentin që Gruevski kupton se shqiptarët nuk duan të bëjnë luftë, ai përdor një DETONATOR, i cili morri jetën e 5 të rinjëve maqedonasë. Gazetari Zoran Bozhinovski (Burevesnik) që tash është në paraburgim me akuzën për spiunim para dy vitesh shkroi në profilin e tij në facebook se vrasja në Smilkovc ishte bërë nga njerëz të afërt të Gruevskit të cilëve po ju rrezikohej biznesi ilegal në Shkup, me aparate të lojërave të fatit. Vrasja – sipas Bozhinovskit – ishte kryer që të tërhiqej vëmendja e opinionit nga operacioni DETONATOR (që kishte për qëllim grumbullimin e aparateve ilegale të pokerit), operacion ky i detyruar nga interpoli dhe Bashkimi Evropjan. Më 1 Maj 2012 u burgosën 20 shqiptarë, në mesin e tyre edhe dy gra. Ministri i Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska tha që ishin kapur ekzekutuesit e 5 të rinjëve në Liqenin e Smilkovcit, dhe ata ishin terroristë të Al Kaedës. Dëshmitë që i lidhnin të arrestuarit me vrasjen ishin Kur’ani i shenjtë, ilahi në kompjuterët e tyre, dhe këngë të reperit Gold-Ag. Dështimi i Boshkovskit me “5 terroristët e Vreshtave të Rashtakut” i dha një mësim Jankullovskës, e cila kishte pas vetes mediumet, gjykatën, qeverinë – dhe si për çudi, i kishte mbyllur gojën edhe Avokatit të Popullit, i cili nuk nxorri zë për të mbrojtur dinjitetin e qytetarit i cili akuzohej dhe quhej terrorist nga një ministre. Operacioni MONSTRUM dhe procesi gjyqësor ndaj të arrestuarve ka qenë një nga proceset më të parregullta dhe më jotransparente që është parë ndonjëherë në Maqedoni, por edhe më gjerë. 6 shqiptarë u dënuan me burgim të perjetshëm, dhe kjo shkaktoi pakënaqësi dhe protesta – të cilat po shuhen me dhunë nga policia maqedonase. Nëse dhe kjo nuk i nxit shqiptarët të bëjnë luftë, atëherë Gruevskit do i duhet të mendohet shumë për të gjetur një detonator të ri, diçka që me siguri do e shpërthejë një luftë, dhe Maqedonia do të ndahet.

ÇFARË DUHET TË BËJNË SHQIPTARËT ME MONSTRUMIN?

Kjo është pyetja më e vështirë që mund t’i bëni sot dikujt. Shqiptarët e Maqedonisë nuk protestojnë kundër shtrejtimit të rrymës, derivateve të naftës, kundër padrejtësive, kundër rrahjeve të fëmijëve, por ama kemi protestuar disa herë në mbështetje të kryeministrit turk Erdogan, ish-presidentit egjiptian Mursi,  si dhe kundër shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri.

Në çdo vend të botës qytetarët dalin dhe protestojnë kundër padrejtësive që iu bëhen ose mund t’ju bëhen, por në Maqedoni nuk protestohet. Po dole në protestë, të vënë ngjyrë. Del të protestosh kundër ndotjes (Maqedonia është vendi me ajrin më të ndotur në Botë) – thonë je kundër ministrit të ekologjisë. Del kundër shtrejtimeve (Maqedonia është një nga shtetet më të varfëra në Evropë) – je kundër ministrit të ekonomisë, del kundër rrahjeve – je kundër zëvendës ministrit të punëve të brendshme. Del kundër njërit – je me tjetrin. Pastaj del kundër atij tjetrit – je me këtë tjetrin.

Fuqia e protestës dhe aktivizmi qytetar sidomos tek shqiptarët në Maqedoni gati po zhduket tërësisht. Shqiptar – do thoshte Shekspiri – të protestosh apo të mos protestosh?

Protestat janë shumë të nevojshme, biles edhe demostratat nganjëherë, sepse do i shërbenin të gjithë qytetarëve, pavarësisht asaj se cilin numër e kanë rrethuar në fletëvotim gjatë zgjedhjeve të fundit. Protestat do duhej t’i drejtohen lidershipit shqiptar i cili duhet të bashkohet për të mbrojtur popullin që i ka zgjedhur nga kurthet e Gruevskit.

Është momenti i fundit që udhëheqësit shqiptarë të bashkohen dhe të jenë unik ndaj këtyre planeve luftënxitëse të Gruevskit, për të mbrojtur të ardhmen e vendit të tyre, dhe për të mos i lejuar kënaqësinë askujt që të nxisë luftë, dhe të na copëtojnë edhe njëherë. Është sot momenti që të gjithë të lidhin një besa-besë dhe të rrëzojnë këtë diktator nga pushteti, duke krijuar një qeveri teknike dhe duke bërë një regjistrim të popullatës, një ligj të ri për zgjedhjet dhe një ristrukturim të këtij shteti. Nëse sot nuk e bëjnë këtë, nëse sot nuk i tejkalojnë dallimet dhe nuk ngjiten përtej interesave personale, nesër edhe ata vet do i kenë duart e lyera me gjakun e popullit të tyre, dhe do mallkohen nga gjeneratat që do vuajnë në këtë shtet, siç po vuajmë ne sot.

Shkruan Arianit Xhaferi – qytetar i Tetovës

Lajme të ngjashme

Back to top button