“Monstrat” dhe “terroristët” shqiptarë

E hëna e fundit të qershorit të vitit 2014 sigurisht edhe gjatë kohë do të mbetet në kujtesën e qytetarëve të Maqedonisë, kur një grup shqiptarësh të Maqedonisë u gjykuan me burgim të përjetshëm për vepër penale terrorizëm në procesin gjyqësor që u quajt “Mostra”. Dhe, ky lajm jo vetëm që ka bërë bujë në të gjitha mediat dhe rrjetet sociale dhe ka shkaktuar dhimbje dhe dëshpërim te secili qytetar i arsyeshëm në vend, por është bërë sebep që pas kësaj të shtrohet edhe pyetja se “A ia vlen t’i besojmë edhe më këtij gjyqësori, po pse jo edhe këtij shteti?”. Por, para se të vijmë në këtë pikë, do të doja të ndalem në dy gjëra, që – duke u marrë me përmbajtjen e rastit – pak i kemi vërejtur: emri i procesit “Monstra” dhe vepra për të cilën u gjykuan – “terrorizëm”.
Monstra në gjuhën latine ka kuptimin e një përbindëshi të shëmtuar, që prodhon frikë, që shkakton dëmtim fizik, që ka paraqitje anormale, madje që është i marrë dhe i tmerrshëm. Kur e vështrojmë këtë përkufizim, detyrimisht na shtrohet çështja se a thua këta gjashtë shqiptarë të gjykuar janë njerëz që e meritojnë këtë atribut nga mediat, të cilat emrin e procesit ua atribuuan të gjykuarve?! Ndonëse nuk mund të mos e theksojmë dhimbjen që kanë pasur para dy viteve familjarët e pesë të vrarëve në liqenin e Smillkovës, fakti që mbrojtja e kontestoi deri në atë masë sa ta shpallë këtë proces krejt të montuar, le për të kuptuar se nuk janë gjykuar vrasësit e vërtetë dhe se aq më pak ata janë “monstra”, siç u konsideruan tashmë dy vite te ne.
Ndërkaq sa i takon akuzës për terrorizëm, duhet të shpjegojmë se terrorizmi është dhunë e paramenduar që ka për qëllim frikësimin e opinionit, që realizohet për arritje të synimeve politike, ushtarake ose ideologjike. Megjithëse nuk mund të mburrem se i mbaj mend të gjitha rastet e këtilla në Maqedoni, sa më kujtohet mua, kjo është hera e parë që dikush në Maqedoni akuzohet për terrorizëm.
Kështu vijmë në përfundimin se tash e tutje shqiptarët e Maqedonisë mund të trajtohen si monstra, përbindësha që ua kallin datën të tjerëve dhe, e dyta, si terroristë, siç konsiderohen aktorët e 11 Shtatorit, ai Brejviku i Norvegjisë etj. Kjo do të thotë se nëse dikush në rrugë ikë nga ne ose na sulmon se ne jemi monstra dhe terroristë, ka plotësisht të drejtë. Sepse kështu ka vendosur “drejtësia” e Republikës së Maqedonisë.
Në të vërtetë, të plotësojmë, edhe sikur ndonjëri nga këta të gjykuar të ishte vrasësi i vërtetë, për çka askush në Maqedoni ende nuk është i bindur, aq më pak dikush do të besonte se këta janë terroristë islamikë vetëm për arsye se vrasja ka ndodhur në vigjilje të Pashkëve. Por, këtij shteti, si duket, i duhen terroristë islamikë shqiptarë dhe ai edhe kur nuk ka të tillë, i prodhon vetë, që ashtu ta mbajë bajrakun e luftës kundër terrorizmit dhe që ashtu shqiptarët t’i paraqesë si element i rrezikshëm në botë. Këtë e dëshmuan edhe disa media të tjera, që u turrën sa më shpejt të alarmojnë se konflikti i Irakut po vjen në Maqedoni. Dhe, pas këtij gjykimi, do të kemi gjithnjë e më shumë trumbetime të këtilla.
Pika e dytë që dua ta shtroj këtu është roli i shqiptarëve që janë në institucionet e shtetit, por që nuk kanë pushtet, që kaq vite janë pjesë e qeverive të Maqedonisë dhe nuk kanë arritur të bëjnë asgjë në drejtim të kuptimësimit të drejtësisë në vend. Madje, edhe pse e kanë pasur disa herë Ministrinë e Drejtësisë, përveç vetvetes, nuk kanë arritur ta shpëtojnë askënd. (Siç e dini, në vitin 2011 Ali Ahmeti e pranoi koalicionin me Gruevskin, sepse gjyqësori i Maqedonisë pranoi t’i anulojë rastet e kthyera nga Tribunali i Hagës, ku ishte i akuzuar edhe vetë ai). Dhe, kur neve na ka ndodhur Sopoti, i cili ende nuk ka përfunduar, dhe kur tash gjykatat maqedonase na bënë edhe monstra e terroristë dhe kur ne jemi mbështetur për muri dhe nuk kemi asnjë zgjidhje, jemi të detyruar t’u themi përfaqësuesve shqiptarë që së paku të mos tallen duke na e treguar derën e Gjykatës së Apelit. Së paku le të heshtin, nëse nuk mund të ndihmojnë më shumë, dhe le t’u vijë turp për derexhenë në të cilën na kanë sjellë.
Dhe, pika e tretë që duhet ta themi kur flasim për këtë proces është gjyqësori. Pas këtij procesi, ku fjala e Polices u përputh me fjalën e prokurorit dhe të gjykatësit, përfundimisht duhet ta shqiptojmë hapur dilemën se a duhet (ne shqiptarët e Maqedonisë) t’i besojmë edhe më këtij gjyqësori. Për neve në Maqedoni drejtësia nënkupton që kombi maqedonas ta imponojë vullnetin e tij mbi kombin shqiptar. Në këtë proces, si edhe në shumë të tjerë të këtillë, u gjykuan shqiptarët nga maqedonasit. Kështu ishte raporti që në fillim dhe kështu doli. Këtu nuk kishim viktima dhe vrasës, por kishim “viktima maqedonase” dhe “terroristë shqiptarë”. Rrjedhimisht, kishim gjykatës maqedonas dhe të gjykuar shqiptarë.
Për këtë arsye, aty ku shteti përmes shërbimit sekret mund të të montojë proces, pastaj aty ku shteti përmes policisë mund të të arrestojë si mos më keq, më tej aty ku shteti përmes prokurorisë mund të ta ngrejë aktpadinë si t’ia dojë qejfi dhe, në fund, aty ku gjykata vetëm e konfirmon vullnetin e shërbimit sekret, të policisë dhe të prokurorisë, thjesht mund të konstatojmë se ne jemi në gjendje kidnapimi. Kjo është dëshmi se ky sistem i drejtësisë është në funksion vetëm të kombit maqedonas, i shërben vetëm interesave të tij dhe nuk e përfaqëson shtetin e të drejtës. Fakti që nuk ndodhi asnjëherë as shefi i shërbimit, as ai i policisë të jenë shqiptar, por as prokurori e as gjykatësi në këto raste të jetë shqiptar, por rregullisht ai është një maqedonas i devotshëm, na bie të konkludojmë se ne shqiptarët në këtë shtet jemi thjesht në mëshirë të maqedonasve. Ata mund të na vrasin kur të duan, mund të na montojnë procese e të na arrestojë si të duan, të na krijojnë aktakuza dhe të na gjykojnë si të duan dhe për këtë të mos e kenë fare dert. Madje, edhe ndërkombëtarët, që bëjnë karrierë në fatkeqësinë tonë, heshtin dhe bëhen se gjoja gjithçka është në rregull. A thua si do të kishin vepruar ata nëse kjo do të ndodhte në vendin e tyre?!
Prandaj kujtoj se pas kësaj si duket ka ardhur koha që shqiptarët ta mendojnë seriozisht refuzimin e sistemit të drejtësisë së Republikës së Maqedonisë, ta mendojnë seriozisht mosnjohjen e gjykatave, ndërsa arrestimet, proceset dhe gjykimet ndaj tyre t’i konsiderojnë thjesht kidnapime.
Ndërkaq sa për informacion të maqedonasve dhe rrogëtarëve të tyre shqiptarë se, megjithëse ata na quajnë monstra e terroristë, shqiptarët janë sot në botë ambasadorët më të mirë të paqes, shqiptarët e Maqedonisë kanë dy çmime Nobël dhe shqiptarët e Maqedonisë janë të vetmit që kanë sjellë medalje olimpike në Shkup… Maqedonasit (dhe shqiptarët që u rrinë pranë atyre) duhet ta kuptojnë se ne nuk jemi monstra, e aq më pak terroristë, si ata gjemixhinjtë që janë vendosur në sheshin e Shkupit, me të cilët ky shtet mburret.

Botuar në gazetën Koha

Lajme të ngjashme

Back to top button