Në vend të frikës dhe të akuzave qëllimkëqija!

(Një përpjekje për t’i kuptuar rrjedhat e fundit)

Në vend të frikës së vrullshme, mendoni duke qenë larg frikës së harlisur dhe larg krenarisë së harbuar. Mos harroni se shkenca është e prangosur mes këtyre dy dukurive. Lirojeni atë!

Të kërkosh shtet Islam, në mungesë të shoqërisë që i ka përqafuar me dëshirë vlerat e vërteta të kësaj feje, është sikur të kërkosh të blesh këpucë në një ëmbëltore. Madje të vrasësh të pafajshëm në kohë paqeje dhe në kohë lufte në emër të fesë Islame, është dëshmi e një dështimi të pritshëm. Është dëmtim i asaj pak vlere që ka qenë më parë. Është ushqim dhe shkas i urrejtjes së gjësendit të mirë. Është kushtrim i armikut për t’i bombarduar vendet paqësore. Ngjashëm si rrodhi pas vitit 2001 në Lindjen e Mesme. Ajo mund të ketë qenë nismë e projektuar prej vetë shteteve perëndimore, por këtë nismë hapur e përkrahën forcat e errëta, që pastaj filluan t’i mallkojnë këto shtete vetëm pasi kishin bërë kërdi nëpër vendet e tyre.

Ndërsa përskaj këtyre sjelljeve dhe veprimeve mynxyrë, unë habitem edhe me disa shtete demokratike. Çfarë shtete janë këto, kur dëshirën për themelimin e një shteti Islam në vendet pak më të pjekura për pranimin e një vlere të tillë, nxitimthi e marrin dhe e mëtojnë për terrorizëm dhe kërcënim për vendet e tyre. Për shembull, nuk mund të jetë kërcënim për shtetin e Zvicrës, nëse një banor i këtij vendi që është me kombësi palestineze, kërkon që Palestina të çlirohet dhe atje të qeveriset me sistem Islam. Unë mund ta shoh botën ashtu siç e ëndërroj! Kjo nuk është thirrje për homogjenizim të botës. As nuk është nxitje për hegjemoni kundër atyre që nuk mendojnë sikurse unë. Vallë të ndiqem penalisht vetëm pse dua të kem të drejtë t’i kem dëshirat e mia në një sistem ku e drejta e shprehjes së lirë është e garantuar me kushtetutë? Unë dua që trojet shqiptare të mos jenë të ndara. Të mos kufizohemi me vetveten. Thjesht, dua që vendet ku jetojnë shqiptarët të jenë nën pushtetin e shtetit të Shqipërisë. Kjo është dëshira ime, kurse tani ka kuptim që unë të prangosem vetëm pse kam dëshirë t’i shprehi aspiratat e mia?

Sikurse frika për një shtet Islam, ashtu edhe mënyrë për themelimin e një shteti të tillë, janë të paduhura, janë në binarë të ndryshkura dhe të mbushura përplot me gurë! Natyrshëm pyesim. Përse kaq frikë të madhe për një qeverisje Islame, duke qenë se vetë sistemi demokratik përputhet në shumë segmente me atë Islam. Qeverisja e mbështetur në parimet, vlerat dhe normat Islame nuk është kërcënim për kombet, as për traditat e mira të atyre kombeve. Kombi mbetet komb, identiteti identitet, njashtu edhe shteti shtet.  Fundja, kjo botë përjetoi sisteme nga më të ndryshme, sisteme të atilla që e çuan botën buzë përmbytjes dhe njerëzimin brenda baltës gëlltitëse. Përse të kihet kaq shumë frikë për një sistem që është në përputhje me vetë natyrën njerëzore? Në saje të jetësimit të këtij sistemi, mendimtarët janë vetëm zbërthyes dhe komentues të fjalës së Atij që krijoi çdo gjë për të mirën e njerëzimit, kurse zbuluesit janë të shpërblyer prej Atij që krijoi gjëra të fshehta për njeriun duke pasur për qëllim aftësimin e tij përmes lëvizjes dhe sfilitjes. Mbase muskujt nuk kanë mundësi të zhvillohen duke ndenjur! Kush ka mundësi ta njoh njeriun, sjelljet, veprimet dhe nevojat e tij më mirë se vetë Ai që e krijoi atë? Vallë, përse pajtohemi të gjithë se sistemi kamatar është shkak i paraqitjes së krizave financiare dhe i humbjes së vullnetit për t’i ndihmuar njëri-tjetrit? Kurse në anën tjetër lemeritemi dhe trishtohemi për një sistem pa kamatë, sistem ky që edhe praktikisht është dëshmuar se funksionon si është më së miri.

Megjithëkëtë, vrasjet dhe thirrjet e zhurmshme janë shpërdorime të pacipta të kësaj feje të paqes, të ligjit, të adhurimit dhe të diturisë. Shteti i së drejtës me të cilën është i kënaqur Zoti i gjitha krijuesave, pra edhe i të krishterëve, i hebrenjve, i ateistëve, i budistave etj, duhet ditur se nuk krijohet duke i vrarë ata që nuk janë sikurse ti, por duke punuar, duke mësuar, shkruar, analizuar, zbuluar, komentuar fjalët e Zotit, pastaj të të Dërguarit alejhi selam dhe të dijetarëve të mëhershëm, si dhe duke pranuar në gjirin tuaj edhe atë që nuk është dhe nuk mendon sikurse ti.

Kështu që, rruga dhe mënyra që është përzgjedhur për një jetësim të shtetit Islam, është pikërisht përpjekje për dëbim prej një botëkuptimi të tillë, sepse nuk mund të jetë Islame mjeti i keq që synon arritjen e një qëllimi të mirë. Zoti na frymëzoftë për më të mirën!

 

Lajme të ngjashme

Back to top button