SHLYERJA E BORXHEVE: Kush do të shlyejë dhe kush do ta kontrollojë procesin?

Shlyerja e borxheve për kreditë në banka, lirimi nga pagesa e taksës radiodifuzive, legalizimi falas i ndërtimeve pa leje. Këtë pako të masave që qeveria e paralajmëroi si strategji për t’i ndihmuar kategoritë e lëndueshme sociale të qytetarëve, në mesin e ekspertëve hapi një sërë dilemash. A do t’i vë ky veprim në pozitë të pabarabartë qytetarët që nuk do të përfitojnë nga masat, kush dhe si do ta kontrollojë zbatimin e planit dhe në fund a do të ketë kjo masë edhe dimension demografik, gjegjësisht përfaqësim të barabartë të qytetarëve me përkatësi të ndryshme nacionale dhe fetare.

Shlyerja e borxheve – zgjidhje sistemore ose populizëm….

Masat konkretet për t’u ndihmuar familjeve të rrezikuara janë të mirëseardhura, por duhet të bëhet dallim ndërmjet veprimeve sistemore dhe atyre incidentale për zbutjen e varfërisës, konsiderojnë ekspertët.

“Ligji për mbrojtjen dhe parandalimin e diskriminimit jep mundësi për ndërmarrjen e masave të caktuara pozitive për t’u ndihmuar qytetarëve, por mendoj se vendimi i qeverisë për shlyerjen e borxheve ka dy dimensione që mbeten të paqarta. E para, masat duhet të jenë sistemore, e ato nuk janë përpunuar në mënyrë sistemore. Kjo do të thotë se duhet të precizohet në mënyrë të saktë se cilat do të jenë kritertet, si do të realizohet dhe kuj do t’i adresohet kjo masë. E dyta, që të shmanget mundësia për diskriminim duhet të përcaktohen saktë procedurat dhe rregullat, procedura duhet të jetë precize dhe transparente që të eliminohet mundësia për keqpërdorime” – sqaron Mirjana Najçevska, profesor universitar.

Edhe sociologët konsiderojnë se masat duhet të zbatohen në mënyrë transparente, e jo si ofertë populiste.
“Ndihma për familjet e rrezikuara sociale është hap pozitiv që çon në përmirësimin e klimës shoqërore, por megjithatë, politika populiste reflektohet edhe në këtë dimension, gjegjësisht në ambientin e stimulanseve që qeveria aktuale e krijon në tetë vitet e fundit, veçanërisht me populizëm. Ne kemi qeveru që fokusohet në marketing dhe ky model shfrytëzohet në vazhdimësi. Për efektet e mirëfillta nevojiten zgjidhje sistemore e kjo në shoqëritë e civilizuara nuk bëhet me prezantime mediatike dhe reklama” – thotë profesori universitar, sociologu Ali Pajaziti.

Kusht kryesor për eliminimin e të gjitha mundësive për partizim ose politizim të masave për shlyerljen e borxheve është sigurimi jo vetëm i shkallës së lartë të transparencës, por edhe i sistemit për kontroll, thonë ekspertët.

“Ajo që është me rëndësi është se kush do ta kontrollojë zbatimin e masave. Së pari duhetë të sigurohet mundësi ligjore për qytetarët që do të refuzohen, të mund të ankohen, gjegjësisht të reagojnë. Nuk duhet të lejohet që njerëz që kanë, për shembull automobila, të kenë mundësi për shlyerljen e borxheve ose të mos paguajnë TRD. Sipas meje, siç është vendosur koncepti, bëhet fjalë për një zgjidhje ad-hok që i vjen era jotransparencë. Konsideroj se këto masa nuk janë pjesë e një veprimi sistematik që nevojitet nëse shteti dëshiron të deklarohet si shtet social” – konsideron profesoresha Najçevska dhe shton:
“Zgjidhja e këtillë nuk fund mund t’i kthejë njerëzit njëri kundër tjetrit”.

Jo vetëm kontroll për zbatimin e masave për t’u ndihmuar familjeve të rrezikuara sociale, por duhet të sigurohet edhe përfaqësim i drejtë, theksojnë sociologët.

“Duhet të merret parasysh edhe komponenta demografike, gjegjësisht masa duhet t’i përfshijë të gjithë qytetarët që janë pjesë e kësaj shoqërie multikulturore. Qytetari, pa marrë parasysh përkatësinë e tij fetare, nacionale ose religjioze ballafaqohet me problemet e njëjta, varfërinë dhe papunësinë, dhe për këtë arsye duhe të merret parasysh edhe ky dimension” – konsideron profesori Pajaziti.

Kush do të përfitojë nga kjo masë?

Sipas vlerësimeve të para të qeverisë, masa për shlyerljen e borxheve është planifikuar si shlyerje e njëhershme e borxheve të krijuara më parë. Sipas paralajmërimeve, qytetarët që do të përfshihen duhet të plotësojnë disa kritere. E para, të kenë status të shfrytëzuesit të ndihmës sociale dhe të ndihmës së vazhdueshme në para, për ata që janë të papunësuar dhe kërkojnë punë më shumë se 12 muaj, për personat që ballafaqohen me rrezik social për shkak të vdekjes së bashkëshortit, invaliditetit. Me këtë rast, të papunësuarit dhe ata që ballafaqohen me rrezik social në vitin 2013, së bashku me bashkëshortin/en nuk duhet të kenë realizuar të ardhura më të mëdha se 105.600 denarë, që është e barbartë me shumën vjetore të rrogës minimale. Poashtu, nuk duhet të posedojnë pronë tjetër përveç asaj ku jetojnë. Si argument kryesore për miratimin e kësaj zgjidhjeje, sipas përpiluesit të ligjit, qenka kriza.

“Në një periudhë të tilllë, të gjithë vuajnë, më pak ose më tepër, mirëpo, pranuesit e ndihmës sociale janë ata që më së shumti vuajnë. Prandaj, vendosëm në përfundimin e kësaj krize, t’u ndihmohet me një masë të njëhershme atyre që kaluan më së vështiri në këtë periudhë. Kjo masë nuk do të përsëritet në të ardhmen, ajo është e lidhur me krizën botërore dhe evropiane” – deklaroi kryeministri Nikolla Gruevski.

Vlerësimet iniciale tregojnë se me këtë masë do të përfshiheshin prej 50 deri në 100 mijë njerëz. Sipas qeverisë, qytetarër që dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi do të duhet të paraqiten me dokumentacionin e nevojshëm, ndërsa kufizim sa i përket lartësisë së borxhit që mund të shlyhet, nuk ka.

“Nuk ka kufizim. Qëllimi jonë është që këtyre tre kategorive të qytetarëve, nëse i plotësojnë kushtet qind për qind, krejtësisht t’u shlyhet borxhi, edhe pjesa kryesore edhe kamata, borxhi i qytetarit të jetë zero. Për aq sa subjekti do t’ia shlyejë borxhin qytetarit, për aq ne do t’ia shlyejmë obligimin që të paguajnë tatim. Nuk ka kufizim për shumën e qytetarëve individualë” – deklaroi ministri për financa, Zoran Stavrevski.

Sipas planit, në operacionin për shlyerjen e borxheve duhet të kyçen EVN-ja, Balkan Energy Group, përmbaruesit, notarët dhe bankat, që do të thotë se do të shlyhen borxhe për rrymë, ngrohje qendore dhe për kredi të kategorisë G dhe D që nuk janë të siguruara me hipotekë, si dhe borxhe për taksën radiodifuzive. Do të llogariten borxhet që janë bërë deri më 31 dhjetor 2013.

Lajme të ngjashme

Back to top button