Statusi kandidat: Si të mos veprojë Shqipëria

Pas anëtarësimit në NATO, marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, padyshim se është lajmi më i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët më gjerë. Megjithatë, për t’i pasqyruar përfitimet në jetën reale, viti në vijim duhet ta shënojë kthesën e madhe reformuese.

Nuk ka recetë të lehtë, por në esencë, nëse gjërat nuk ndryshojnë dhe gjithçka ec si më parë, vendi nuk është në rrugë të mirë. Sa më të thella të jenë reformat qenësore, aq më tepër do të rriten gjasat për uljen e mbështetjes për partitë qeverisëse. Historia e integrimit tregon që partitë të cilat i kanë djegur gishtërinjtë me reforma të dhembshme, shpejtë janë ndëshkuar në zgjedhje.

Përderisa mbështetja e elektoratit matet me milimetra çdo mëngjes, duke kalkuluar për çdo votë më tepër, përmbyllja e negociatave do të mbetet cak i pakapshëm. Ajo që duhet të kuptohet nga udhëheqësit e shtetit është që mirëqenia e shtetit dhe qytetarëve është në radhë të parë.

Përllogaritjet se kur mund të kurorëzohen përpjekjet për anëtarësim në BE nuk janë aq të rëndësishme, pjesërisht edhe për shkak të faktit se Shqipëria nuk do të mund të ndikojë mbi të gjithë faktorët. E rëndësishme është që të veprohet me përkushtim për një sistem të drejtë dhe shtet të bazuar në sundimin e ligjit, një detyrë aspak e lehtë për të gjitha vendet e Ballkanit.

Me kalimin e kohës, përsëritja e retorikës evropiane do të duket si një zgjidhje ekspres për ta demonstruar angazhimin politik dhe institucional. Po, është shumë e lehtë të përsëriten deklaratat e zyrtarëve evropianë se reformat nuk bëhen për Brukselin, por për shtetin dhe qytetarët. Veçse, është po aq e vërtetë që fjalët boshe nuk do ta përmirësojnë as për një milimetër gjendjen dhe kjo do të del sheshazi. Loja e papagallit përfundon shpejtë duke e nxitur erozionin e besimit tek udhëheqësit.

Kritikat do të shtohen, kundërshtimet do të rriten dhe sfidat do të shumëzohen nga ata që preken realisht, si dhe nga palët e panumërta që rrezikojnë të humbin shumë nga “shkatërrimi kreativ”, kryesisht falë gjyqësorit funksional që pritet t’i jep fundit zhvatjes në të gjitha format.

Edhe këtu, heshtja e zërave kritikë dhe mediave do të tingëllojë si rrugëdalje e kollajshme. Disa mund të blihen, tjerët të kërcënohen dhe ata më kokëfortët të denigrohen publikisht si tradhtarë. Por, në fund, nuk do të mbetet askush për ta shpallur lajmin për afrimin drejt greminës.

Joshja me të hollat evropiane do të duket si fillimi i një Eldoradoje, por ky është vetëm fillimi. Nëse administrata publike rekrutohet nëpër dajallarë dhe dega partiake, të trajnuarit për projekte dhe punë do t’i ikin sistemit shkatërrues dhe në fund, arka e shtetit do të mbetet bosh.

Këto nuk janë profeci, por vetëm ca përvoja nga Maqedonia, pas marrjes së statusit kandidat.

Pa i nënvlerësuar rreziqet dhe sfidat e pafund, mjafton që Shqipëria të sheh në lindje dhe të kuptojë se çka duhet evituar. Maqedonia nuk është një shembull i mirë, pavarësisht lajkave të funksionarëve këtej kufirit, të cilët me të shpallur lajmi, shpejtuan t’i dërgojnë telegrame bashkëkombësve duke e përshkruar suksesin shtetëror dhe kombëtar si një fillim për një jetë më të mirë.

Si që shihet me rastin e Maqedonisë, statusi kandidat nuk garanton se shteti do të drejtohet mbarë. Disa prej atyre që ishin më të zhurmshëm në përgëzime, janë pikërisht ata që e bllokojnë avancimin evropian të Maqedonisë, për arsye të përfitimit personal e klanor, ani pse deklarohen pro- evropianë.

Dhe për fund, evitoni maksimalisht folklorin e tipit se dielli i shqiptarëve lind në perëndim. Bashkëbiseduesit e Brukselit janë lodhur aq shumë me frazat e këtilla nga pushtetarët shqiptarë të Maqedonisë, sa që nuk do t’i besojnë përkushtimit tuaj për asnjë moment.

Puna e zellshme dhe reformat e mirëfillta institucionale janë rruga më e sigurt për ta afruar Shqipërinë ndaj perëndimit, aty ku vërtetë takon. Një detyrë aspak e lehtë, që është arsyeja se pse liderët e vërtetë mbahen mend me gjenerata për vendimet e drejta, që jo gjithmonë kuptohen menjëherë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button