ISHALLA JALLAN DËR

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

 

Turqisht do të thotë: “Ishalla është gënjeshtër”!

Aso kohe, në vitin nëntëqind e dymbëdhjetë kjo shprehje kishte përdorim të gjerë. Kosovën tashmë po e ngushtonin shkijet dhe armatat e tyre lëshoheshin në jug. As topat nuk dëgjoheshin, po diçka po ndodhte atje poshtë. Çarshia në Prishtinë ishte e hapur, kafenetë punonin, fetarët mblidheshin, kurse kureshtja ishte në kulm. Futeshin një nga një, i zbathnin jemenitë, uleshin në mindera dhe rrinin këmbëkryq në kafene. Hoxhallarët i mblidhnin xhybetë e tyre kështu që pas shpine  vinte sikur u ka dalë një gungë e madhe. Ju japin selam të gjithëve me radhë. “Merhaba – merhaba”! Porosisin kafe:

– Bir sade! (Një pa sheqer!)

Jo që iu pihet atyre kafeja e hidhët, por disa e kanë se janë pa të holla, kurse të tjerët pse kursejnë. Se pastaj edhe kjo është: kanë ardhur kohë të hidhëta: kush e di se çka do të bëhet nesër. Pastaj thurin cigare, i ndezin, i lëshojnë shtëllungat e para të tymit dhe e shikojnë zjarrin e oxhakut. Heshtin.

Pas një copë kohe ia afron kokën njëri tjetrit dhe e pyet.

– A mos ke dëgjuar diçka?

– E kanë marrë Gostivarin…

– Aman!?

Pakëz më vonë:

– Kush të tha?

– Maneja, sahatçiu.

– Eh, bën me kokë ky.

Pastaj e ngrehin nga një hurbë kafe, heshtin edhe pakëz dhe përshëndeten duke i mbathur jemenitë:

– Ishalla jallan dër! (Ishalla është gënjeshtër!)

Të nesërmen po ajo pamje dhe të njëjtat lëvizje kokësh:

– Çka po flitet?

– E kanë marrë Kërçovën…

– Aman!?

Dhe sërish duke i mbathur jemenitë thotë ai që e ka dëgjuar risinë:

– Ishalla jallan dër!

*

Prej se u përhap fjala për ardhjen e radiçevistëve, u krijua një situatë edhe në Shkup. Qendra e këtij shërbimi informativ natyrisht është sekretari. E ka tepruar me zellin partiak, me shifrat, me raportet me botën, me pasaportat, e s’e ka lehtë. Prandaj vazhdimisht jep demante kur situata nis të zhvillohet për së prapi. Sa i lexojnë gazetat, regjimllinjtë i hapin dyert e zyrave, e pasi thonë mirëmëngjesi, dalin në temë:

– Ata kanë dhënë prokurë.

– Kush të tha?

– Shkruan në gazetë.

– E kanë dhënë prokurën?! Po a do të verifikohet se?

– Paj, po..

– Po, po, i shikon sekretari me triumfalizëm. Do të shohim. Dhe, kur do të verifikohen? Do të arrijnë me qindra ankesa. Me lëri këto pallavra.

– Kurse ata që i rroku shqetësimi zbresin duke u ngushëlluar: “Dhëntë Zoti të jetë gënjeshtër”!

– A ju thashë? paraqitet nga dera shkruesi i lindur në territorin e Austro-Hungarisë. Si njeri më i kulturuar nga ne ballkanasit, të cilët rrahim njerëz vetëm me shkop, ai kishte blerë një gomë angleze nga Lubjana dhe vetëm atë e përdor. Dhe, për këtë arsye kishte dëshirë që risitë e kësaj natyre të jenë gënjeshtër.

Kur, pasnesër, prapë hapet dera:

– Mandatet janë verifikuar!

– E?

– E ke në të gjitha gazetat.

– Po tash nuk dihet a do të betohen.

– Po, po… Nuk do të ishte mirë…

– Eh, jo. Ata  përhapin frikë me “und”. Kurse Baja nuk frikësohet kështu. Fundja ecni këtu.

Dhe duke kapur njërin për krahu, i pëshpërit në besim:

– Ju lutem le të mbetet midis nesh. Kemi lajm plotësisht të besueshëm se Pribiçeviçi nuk është fare për këtë kombinim. Ai është për “linjën serbe”.

– Po ka dhënë leje në klub.

– Ka dhënë leje? Çka nuk dhënka leje njeriu në jetën e vet? Kurse kjo është e saktë, absolutisht. Vetëm… ju lutem që…

– Në rregull, në rregull.

Dhe të shqetësuarit zbresin shkallëve duke u ngushëlluar se gjithçka do të jetë gënjeshtër nç fund të fundit.

E kur dje e takova një profesor me shenjën e regjimit dhe i thashë, meqë unë jam buroja informative në kuptimin e kundërt, se ata njëzetë vetat po vijnë dhe se me vete sjellin tridhjetë prokura, ai e ngriti dorën:

– Ishalla, jallan dër!

Dhe shkoi në ndejë në “Ballkan”.

1924


 

LEXO PJESËN PARAPRAKE: MIDIS KAÇAKËVE DRENICAS

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button