Instituti Parlamentar në funksion të imazhit të deputetit

Themelimi i Institutit Parlamentar është një hap pozitiv drejt ngritjes së kapaciteteve administrativo-hulumtuese të shërbimeve të Kuvendit të R. së Maqedonisë, ndërsa ekziston rreziku që ky Institut ta shtojë edhe më tepër pasivitetin por edhe parazitizmin tek deputetët, të cilët nëpër seanca do të shkojnë gjithnjë të papregaditur. Varshmëria e tyre prej këtij Instituti do të jetë goxha e madhe.

Gjatë përbërjes së shtatë parlamentare të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë (25.06.2011 – 05.03.2014) janë zhvilluar 87 seanca plenare, ku është debatuar për 1910 pika të rendit të ditës dhe janë sjellë 907 ligje, prej të cilëve 888 të propozuara nga Qeveria ndërsa 19 propozim ligje të propozuara nga vet deputetët, ndërsa përafërsisht rreth dy të tretat e amendamenteve ishin përgatitur nga vet deputetët. Shifrat në fjalë flasin për një nevojë imediate për ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve analitike e hulumtuese të vetë deputetëve, të cilët, veç të tjerave, janë të thirrur të iniciojnë, të përgatisin, të analizojnë dhe të shpjegojnë ligje në Kuvend. Së këndejmi, duke e pasur parasysh se, delegatët e popullit po vijnë prej profileve të ndryshme, me përgatitje të llojllojshme akademike (pra, një numër i vogël nga sferat përkatse juridike dhe politike), për të qenë sa më të dinjitetshëm, për të pasur prezantime sa më profesionale, Kuvendi i Maqedonisë u detyrua që, në kuadër të vetin, të ngris një institucion i cili do të jetë kryekëput në shërbim të deputetëve. Kohë më parë, Kuvendi miratoi ligjin (‘Gazeta zyrtare e RM-së’, Nr. 104/2009) me çka themelohet Instituti Parlamentar në kuadër të shërbimeve të Kuvendit, i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Instituti Nacional Demokratik për Marrëdhënie Ndërkombëtare, si pjesë e përcaktimeve të Raportit të Komisionit Europian për progresin e vendit.

Sipas këtij Ligji, ky Institut duhet të jetë një trup i pavarur dhe profesional brenda Kuvendit, i cili do të ofrojë informata, analiza, hulumtime dhe trajnime, me të vetmin qëllim që të fuqizohen kapacitetet ligjvënëse dhe mbikëqyrëse, nëpërmjet hulumtimeve dhe analizave krahasuese të pavarura dhe objektive.

Shërbimet e Institutit përfshijnë hulumtime dhe analiza, shërbime të edukimit dhe informacionit, bibliotekë hulumtuese dhe arkiv legjislativ, që do të jenë në dispozicion të deputetëve dhe punonjësve në Kuvend. Praktika e deritanishme ka treguar se deputetët kanë qenë më pak të interesuar dhe të papërgatitur gjatë seancave me informata dhe analiza krahasuese nga sferat e ndryshme të jetës, si nga sfera ekonomike, politike, kulturore, arsimore, shëndetësore etj. Duke dashur që sa më denjësisht ta prezantojnë elektoratin e vet, përmes angazhimit në hartim të amendamenteve, propozim-ligjeve e të akteve të ndryshme pozitive, në të shumtën e rasteve i kanë përgatitur ose me një fjalor letrar, ose me një fjalor patriotik, duke mos qenë në përputhshmëri adekuate dhe profesionale me fjalorin e gjuhës juridike. Shpesh herë kanë vrapuar pas juristëve dhe ekspertëve, të cilët, jo rrallëherë ua kanë hartuar tekstet e tilla shkarazi. Kurse, tash e tutje, kjo barrierë pa dyshim që do të eliminohet. Përmes Institutit Parlamentar, në foltoren e Kuvendit gjithnjë e më shumë do të shohim deputetë më të përgatitur, me qasje më profesionale, të pajisur me informacione burimore e origjinale. Është shumë e natyrshme që deputetët të mos jenë të gjithanshëm.

Vijnë në parlament sepse kështu përcakton populli me votën e vet, ndërsa është obligim dhe detyrë e Parlamentit që përfaqësuesit e popullit t’i ngris profesionalisht dhe, pavarësisht profileve të tyre, t’i bëj sa më të aftë për debate dhe kontribute juridike, ekonomike, kulturore, sociale, shëndetësore etj. Pra, tash e tutje, çdo deputet, mund t’i drejtohet Institutit me kërkesë në formë elektronike apo të shkruar, për informacione përkatëse e të detajuara, për analiza krahasues dhe statistikore që janë në interes të tij. Përmes këtij Instituti Parlamentar do të shprehet kujdesi për imazhin intelektual dhe profesional të çdo deputeti. Deputetët gjithnjë e më tepër do të na shfaqen të përgatitur dhe në nivel të detyrës të cilën e kërkon Kuvendi. Kusht është që në këtë Institut të punësohen persona profesionistë me përgatitje adekuate dhe të gatshëm për bashkëpunim me të gjitha shërbimet e Kuvendit.

(Autori është PhD kandidat për Administratë publike të krahasuar)

Lajme të ngjashme

Back to top button