Sela: Menduh Thaçi lufton për përfitime personale, unë jam ndryshe!

Intervistoi: Blerona Jakupi

Në një intervistë ekskluzive për Portalb, kryetari i  Komunës së Strugës, Ziadin Sela i cili doli fuqishëm në opinion si reformatori i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) duke ndërmarrë hapa për një lëvizje të re brenda-partiake thotë se jehona e kësaj lëvizje do të jetë shumë e madhe. Mes tjerash ai thotë që nuk do të jetë si lideri aktual Menduh Thaçi i cili ka hall vetëm interesat e tij personale ndërsa i pengon suksesi i Selës. Ai thotë se BDI qëndron ende më keq në nivelin e demokracisë brenda-partiake dhe premton se surpriza e turizmit shqiptar këtë vit do të jetë Struga.

PORTALB: A ekzistojnë mekanizma brenda-partiake të cilat do të mundësojnë në mënyrë demokratike të tejkalohet mosmarrëveshja mes degës së PDSH-së në Strugë dhe kryesisë qendrore?

Z.SELA: Mekanizma natyrisht që ekzistojnë dhe janë të parapara në statut. E keqja është që nga kryetari aktual i PDSH-së nuk është respektuar asnjëherë ai statut .Thjeshtë, ka një statut partie i sjellë në Kongres dhe një kryetar i cili nuk respekton këto norma statutore dhe ky është pikërisht problemi kryesor që u shfaq brenda përbrenda partisë dhe që rezultoi me moratorium ose ngrirje të aktiviteteve të degës së PDSH-së në Strugë. Natyrisht që të njëjtat mekanizma të statutit janë shfrytëzuar nga dega e Strugës. Statuti parasheh që “ç’do anëtar ka të drejtë të shprehë pakënaqësinë brenda organeve partiake” dhe ne këtë kemi bërë. Nëse flasim se a lejohet hapësirë që të sillet ndryshim në emër të këtyre mekanizmave, unë mendoj që nëse Menduh Thaçi nuk e lejon atëherë anëtarët e PDSH-së nga Likova, në Manastir e Strugë do t’i respektojnë këto norma statutare dhe do e sjellin ndryshimin e shumëpritur në PDSH.  

PORTALB: Demokratizimi i partive në Maqedoni nuk është problem esencial vetëm për PDSH-në. Por, a mendoni që ka vetëdije dhe vullnet brenda strukturave të PDSH-së për të bërë ndryshime kundrejt demokratizimit?

Z.SELA: Demokratizimi i subjekteve politike në Maqedoni, natyrisht qe  lë shumë për të dëshiruar. Por nisja e një procesi të tille për reformim nga ana e strukturave të PDSH-së në Strugë, në mënyrë unanime nga e gjithë struktura e saj tregon se ka edhe vullnet dhe vetëdije por edhe kapacitete qe ndryshimi te ndodh. Ky proces sapo ka filluar dhe pritjet tona janë se do te përkrahet masovikisht nga shumë degë në nivel shteti.

PORTALB: Lëvizja brenda partisë, ç’përmasa pritet të marrë, ç’ndryshime pritet të sjellë?

Z.SELA: Ideja nuk është vetëm për reformim brenda PDSH-së, ky do të jetë një proces paralel i cili bashkë me reformën do te shtojë radhët e njerëzve të cilët do ta përkrahin dhe do ta mbështesin platformën politike te PDSH-se. Debati për PDSH-në është debati kryesor që mbizotëron në hapësirën mediale. BDI e vetëdijshme për këtë vrapoi të zë hapësirën mediale duke thirrur edhe kongres te partisë.
Jam i mendimit që jehona e kësaj lëvizje brenda PDSH-së do të jetë shumë e madhe. Ka për të marrë hov ç’do ditë e më tepër brenda strukturave të PDSH-së dhe njëkohësisht do të shfrytëzohet kjo situate për të fituar përkrahjen e qytetarëve. Është koha t’i jepet fund logjikës së vjetër të funksionimit. I gjithë ky debat natyrisht se ka ndikim edhe tek struktura e BDI-se, ku situata është akoma më alarmante sa i përket demokratizimit te brendshëm.

PORTALB: Meqë jemi te kongresi i BD-së , si i vlerësoni ndarjen e posteve brenda-partiake në këtë parti?

Z.SELA: Ata ka kohë që kanë pranuar absolutizmin e z.Ahmeti dhe këtë kemi rastin ta dëgjojmë çdo ditë nga goja e funksionarëve të BDI-së të cilët lehtë-lehtë dhe pa u shqetësuar thonë do të vendos lideri. Ne kemi vullnet dhe dëshirë që të stimulojmë konkurrencën brenda PDSH-së, të jemi të hapur për të gjithë që duan të jenë pjesë e jona, sepse vlerat janë synimi ynë i ri.

PORTALB: A keni përkrahjen edhe të ndonjë dege tjetër të PDSH-së dhe përkrahjen e partive tjera politike shqiptare?

Z.SELA: E theksova, procesi duhet të rrjedhë natyrshëm që të mos ketë vend për indoktrinimin e anëtarëve të PDSH-së. Ky debat që ka nisur duhet zhvilluar dhe jo vetëm nga anëtarë të PDSH-së. Unë do të lë kohë që njerëzit vetë të arrijnë konstatimet e duhura. Kjo që po ndërmarr është një rrugë e drejtë, rrugë e cila përfundimisht do të sjellë atë që ka kohë që PDSH-së i ka munguar. Kjo ka për të qenë rruga që do i sjellë fitoren kësaj partie dhe pas kësaj faze natyrisht që do të pasojë faza tjetër.
Do të bëhen debate dhe forume në të gjitha qytetet ku ka struktura të PDSH-së dhe e gjithë kjo rrugë do të përfundojë me Kongresin e PDSH-së i cili do të sjellë ndryshime. Sa i përket përkrahjes nga partitë e tjera nuk bëhet fjalë sepse është proces brenda PDSH-së dhe ne as nuk ju kemi kërkuar e as nuk kane se si te na ndihmojnë. Në momentin që do të përmbyllet i gjithë procesi dhe do të kemi arritur ndryshimin, atëherë që do të ketë kontakte dhe ofertë për bashkëpunim mes subjekteve të tjera politike opozitare në mënyrë që t’i jepet fund keqqeverisjes dhe legjitimitetit të BDI-së nga njëra anë dhe nxjerrjen në skenë të opsionit kombëtar shqiptar nga ana tjetër.

PORTALB: Nëse jo brenda PDSH-së, a keni përkrahjen e nevojshme për të krijuar një subjekt të ri politik?

Z.SELA: Nuk është kjo rruga që unë zgjedh, realisht kjo është rruga më e lehtë në situate të tilla. Veç të tjerash, kjo është praktikë të cilën e kemi parë. Në vitin 2009, Imer Selmani pakënaqësinë e shprehu duke formuar subjekt të ri politik dhe me këtë  pamundësoi që pakënaqësia e grumbulluar brenda PDSH-se asokohe të shpërndahet në formën e krijimit të një subjekti të ri politik dhe që rezultoi me mbijetesën e Menduh Thaçit edhe për ca vite në skenën politike. Ndërsa pamundësoi atë që ishte imperativ i kohës që në at vit 2009, reformën brenda PDSH-së. Krijimi i subjekteve të reja politike ka vetëm një funksion: shpërndarjen e pakënaqësive të grumbulluara brenda subjektit dhe pamundëson reformimin dhe maturimin politik të tij.
Një proces shumë i rëndësishëm ky sidomos për një parti politike e cila sapo ka humbur zgjedhjet dhe që është në opozitë. Ne bëjmë rezistencë brendapërbrenda, sepse gjykojmë që kjo është forma më e mirë për të krijuar mundësi, konkurrencë vlerash për të gjithë shqiptarët që e duan ndryshimin.

PORTALB: E keni potencuar që suksesi juaj e pengon Menduh Thaçin, pse?

Z.SELA: Menduh Thaçi nuk ka pasur asnjë shkak që të ndihet i rrezikuar nga ana ime. Por, siç duket suksesi i treguar nga ana ime në zgjedhjet lokale të 2013-tës e ka bërë të ndjehet i rrezikuar atë. Nuk e kuptoj pse por në të njëjtën kohë as që e marr mundimin ta kuptoj një gjë të tillë. Thjeshtë paranoja e disa njerëzve nuk mund të mjekohet. Janë sjellje të njerëzve të cilët më të vlefshme se gjithçka kanë ruajtjen e pozicionit politik. Për ndryshim nga unë, Thaçi fatkeqësisht përfaqëson interesin e tij personal dhe aspak të partisë, anëtarëve të saj dhe aq më pak popullit.

PORTALB: Ju keni nisur një ‘betejë’ që e kanë provuar dhe të tjerë, a mendoni se do të keni rezultat me nismën tuaj?

Z.SELA: Di që qëllimet tona janë shumë të pastra, janë të drejta dhe konform shqetësimit të përgjithshëm që kanë shqiptarët e Maqedonisë. Për pasojë, kjo iniciativë nuk ka për të ngelur si iniciativat e tjera, të cilat nuk kanë qenë e njëjta gjë. Ne nuk ju bëjmë apel njerëzve të vinë me ne se do bëhen pjesë e qeverisë, por ju themi hajdeni me ne se kjo është rruga më e vështirë por edhe me e drejtë. Ne  kemi zgjedhur vet të vështirën sepse kjo është rruga e vetme. Populli do të dijë ta vlerësojë këtë gjë.

PORTALB: Me këtë iniciativën tuaj, do i përfaqësoni shqiptarët e Maqedonisë, realisht si do ju vini në ndihmë dhe çfarë duhet të presin ato nga ju?

Z.SELA: Atë që ne e kemi të shkruar tanimë. Shqiptarët e Maqedonisë janë në një situatë tejet të vështirë politike dhe të ekzistencës së tyre në këtë shtet. Situata ç’do ditë e më tepër përkeqësohet. Po zgjedhim përfaqësues legjitim dhe nga ana tjetër menjëherë pas zgjedhjeve janë shumë të pambrojtur. Shqiptarët e Maqedonisë patjetër duhet ta rregullojnë statutin e tyre juridik. Natyrisht që shqiptarët duhet ta kenë mekanizmin e Vetos ose më saktë demokracinë konsensuale, në formën e parlamentit dy-dhomësh dhe kjo është rruga që duhet ndjekur. Për lëvizjen që përfaqësoj është shumë e rëndësishme mbrojtja e qytetarit, pasurisë së tij dhe më e rëndësishmja të jemi çdoherë pranë tyre.

PORTALB: Pas përfundimit të mandatit , çfarë hapa do ndërmerrni?

Z.SELA:  Ka edhe tre vite përpara se të përfundojë mandati dhe primare kam sjelljen e ndryshimit brenda PDSH-së. Unë do të jem aty ku do të kërkojnë njerëzit të cilët i përfaqësoj. S’them gjë konkretisht sepse nuk e di cila do të jetë nevoja e rradhës, por unë do të jem atje ku populli do ta ketë të nevojshme prezencën time.

PORTALB: Si i shpjegoni ndodhitë e fundit me marrjen e parave të buxhetit që i thoni se i takojnë komunës së Strugës?

Z.SELA:  Ashtu siç shpjegohet pozicioni i shqiptarëve në Maqedoni: eksploatim, vjedhje parash, pengim të zhvillimit të Strugës, nxitjen e pa-perspektivës që do të detyronte migrimin e shqiptarëve nga trojet e tyre.

PORTALB: Si komunë, meqë jemi në fillim të sezonit turistik a ka ndonjë plan ose projekt?

Z.SELA:  Do të kemi një verë përplot me aktivitete kulturore. Struga do të ketë ofertë interesante kësaj vere. Shumë shpejtë do të bëhet publike orari i këtyre aktiviteteve. Thjeshtë, surpriza e turizmit shqiptar këtë vit do të jetë Struga. 

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. TI JE NJE MEGLOMAN. PO MENDON SE JE NDRYSHE , HAPE NJE PARTI TANDEN! TI ME QELLIM E BOJKOTOVE PDSH NE ZGJEDHJE QE TE KRIJOSH ALIBI PER KETE VERPIM QE BAN TANI.

  2. z.Sela ti lejme anesh per nji cast mardheniet tuaja dh te z.Thaqi por do te ishte shume me randesi nji deklarate e juaja se a MERITONTE VOTUSESI I PDSH-se MEMORANDUMIN TUAJ DHE NJI GRUPI RETH JUSH dhe luksuzin e fotografimeve tuaja me kryesine e RDK-se po ne ate momente, por pa pergjigje POLITIKE nese ju lejon koha.

Back to top button