Lidhur me aspektin kushtetues të formimit të Qeverisë së Kosovës

Në demokracitë perendimore me sistem presidencial (SHBA) dhe gjysmëpresidencial (Franca) qeverinë e formon presidenti i vendit i zgjedhur paraprakisht nga populli.

Në demokracitë perendimore me sistem parlametar (në shumicën e vendeve të Evropës) presidenti i jep mandatin për ta formuar qeverinë e re kandidatit për kryeministër, të nominuar nga partia ose koalicioni parazgjedhor që ka marrë shumicën e votave. Nëse ai nuk mund ta formojë qeverinë duke siguruar shumicën parlamentare brenda afatit të paraparë kushtetues atherë mandati i kalon partisë (koalicionit) të dytë në rradhë.

Paqartësitë në rastin e Kosovës qëndrojnë në formulimin në nenin 95 të shprehjes ‘partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë’. Një formulim i tillë lë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe ky është një lëshim serioz i hartuesve të kushtetutës së Kosovës, i cili nuk do të duhej të kishte ndodhur.

Kush është partia politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë? Nëse bëhet fjalë për parti apo koalicione parazgjedhore: asnjë parti apo koalicion!

Sado që PDK-ja (brenda së cilës janë përfshirë edhe parti të tjera) ka fituar më shumë vota në zgjedhjet e fundit se partitë apo koalicionet tjera, sërish ajo nuk ka marrë ‘shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë’, siç e parashikon Kushtetuta e Kosovës dhe, logjikisht, nuk mund t’i jepet mandati kandidatit të saj për të formuar qeverinë, vetëm mbi bazën se është partia (koalicioni) me numrin më të madh të votave, pra pse se ka dalur e para, sepse kjo nuk thuhet askund në Kushtetutë.
Meqë nuk ka asnjë koalicion parazgjedhor fitues athere zgjidhja është tek koalicionet paszgjedhore.
Problemi me koalicionet paszgjedhore qëndron në mënyrën e zyrtarizimit të tyre, për të cilën nuk ka ndonjë rregullim në kushtetutë apo në ligj. Kur jemi tek marëveshja e fundit e arritur mes LDK-së, AAK-së dhe ‘Nismës’ si një marrëveshje për koalicionim paszgjedhor, sado që ajo arrin shumicën parlamentare, pa votat e së cilës nuk mund të zgjidhet qeveria, sërish ajo nuk ka rregullim ligjor dhe institucional. Nesër p.sh. AAK-në mund të bëjë koalicion të ri me PDK-në. Dy ditë më vonë mund të bëhet një koalicion i tretë. Pas një jave Kryetari i PDK-së mund të deklarojë se ka marrëveshje që siguron shumicën me LDK-në dhe LDK-ja thjeshtë të hesht e të mos thotë asgjë. Gjerat nuk mund të bëhen përmes njoftimeve në media, sepse Presidenti nuk do bëjë hetime për verifikimin e fakteve dhe vërtetësinë e lajmeve.

Presidenti i vendit (të paktën në vendet tjera) e jep mandatin për formimin e qeverisë pas marrjes së rezultateve zyrtare nga Komisioni qendror zgjedhor, si institucion zyrtar për shpalljen e tyre dhe jo në bazë të njoftimeve të shtypit. Çështja është këtu tani se si të zyrtarizohet marrëveshja LDK-AAK-Nisma. Kjo mund të bëhet përmes një ligji të ri ose ndryshimi në Kushtetutë ose në ligjet ekzistuese ku do të qartësohej kjo çështje dhe institucionalizoheshin koalicionet fituese paszgjedhore. Mënyra e dytë që është karakteristikë e vendeve anglo-saksone (por jo të Evropës kontinentale) dhe kjo bëhet përmes precedentit, d.m.th. veprohet njëherë në një mënyrë dhe pastaj gjithmonë veprohet nëjsoj. Kështu në Angli shumë detaje nuk janë të rregulluara nga ligji por nga praktikat e zbatuara në të kaluarën.

Në fakt këtu ka edhe diçka tjetër shumë interesantë që sërish nuk shkon në dobi të PDK-së. Ajo edhe në të kaluarën e ka marrë mandatin e saj për formimin e qeverisë pa fituar në zgjedhje si koalicion parazgjedhor me AKR-në dhe pakicat por duke e plotësuar kushtin kushtetues ‘shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë’ si koalicionim paszgjedhor, njësoj si në situatën aktuale pa i bërë rregullim ligjor kësaj çështje, por duke vendosur një precendent!

Nëse kandidati i PDK-së e ka marrë mandatin në të kaluarën sepse ai ka qenë i nominuar i partisë që ka fituar më shumë vota (por jo shumicën e votave) atherë kjo është bërë në mënyrë antikushtetuese. Nëse ai e ka marrë mandatin në të kaluarën pasi ka arritur marrëveshje paszgjedhore me partitë tjera për plotësimin e kushtit kushtetues të ‘shumicës së nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë’ atherë kjo mund të përbëjë precedent (pa rregullim të detajuar ligjor) që mund të ndiqet edhe tani dhe në të ardhmen.

PDK nuk mund të thirret në sistemet ligjore të vendeve tjera ku mandati i parë i jepet partisë (koalicionit) parazgjedhor që merr më shumë vota (edhe pse nuk merr shumicën e votave), sepse Kushtetutat e vendeve tjera nuk kanë fuqi juridike në Kosovë. Kushtetuta e Kosovës përcakton ‘partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë’ dhe e cila as si parti (koalicion) para zgjedhjeve e as aktualisht pas zgjedhjeve nuk është PDK-ja.
Aktualish PDK-në e shpëton vetëm nëse ajo arrin tua prish mendjen partive të tjera dhe ta arrijë shumicën në Kuvend. Nëse nuk arrin ta bëjë këtë asaj nuk i takon as marrja e mandatit të parë për të formuar qeverinë e as nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Mbetet të vendosë se si ajo do ta legjitimojë qeverinë e re, pjesë e së cilës nuk do të jetë.

Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë] 1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.
2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.
3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës
procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button