ÇFARË PRET O KATUL?

Qeveria “e re” me emra të moçëm po bëhet. Para nesh  hapet rehatia me plot fytyra dhe me një cektësi rekorde. E gjerë, e gjerë. Mënjanë qëndron populli në rehatinë e pafund që gjithmonë shpreson se vetvetiu do të vijnë ditë më të mira, në anën tjetër  janë ambiciet e aktivistëve anonimë partiakë që presin të ngjiten “majave” pushtetare, bashkë me ministrat e përhershëm shqiptarë që s’kanë kurrfarë suksesesh në stazhet e tyre të gjata ministrore. Ndërkaq lart, në një ballkon të stolisur me cingla-mingla baroku të vonuar, prej nga ne, njerëzit e rëndomtë, dukemi si thnegla, shikon udhëheqja e njëmendtë, në krye me presidentin dhe me kryeministrin e përhershëm të vendit. Na shikojnë këtu poshtë si përpëlitemi në baltën politike dhe ndër thërrmijat ekonomike nga të cilat nuk dolëm se nuk dolëm dot as pas njëzet e sa vjet pavarësie të Maqedonisë. Na shikojnë ata nga ballkoni lart dhe qeshin. Qeshin me mjerimin tonë. Me këtë hapësirë metafizike ku pushtetarët tonë na kanë ndarë në dy taborë armiqësorë: “tonët” që do të thotë të partisë shqiptare në qeveri (jo në pushtet) dhe “të atyre”, pra të partisë shqiptare që nuk ia doli të hyjë në qeveri (por që s’është opozitë). Dëgjohet vetëm zëri i gazit të udhëheqjes së njëmendët. Ne të shkretët, që gulçohemi në këtë baltë e ndër thërrmija plot myk, heshtim. Kuptohet, të jesh në baltë, pa tjetër do të jesh edhe i hutuar. Nuk e dimë kah të shkojmë, kah të gjurojmë. Nuk e dimë, pastaj,  a jemi “tanët” apo “të atyre”, a jemi “me ne”, apo jemi “me ata”. Prandaj heshtim. Dihet se po të jemi “me ne”, nuk do na pranojnë se nuk kemi ngjitur pllakate, po të jemi “me ata” duhet ta kemi të qartë se gjithmonë do të ballafaqohemi me pasoja. Kështu e kemi hallin: as në qiell, as në tokë.

Situata e tashme është e tillë që në mënyrë joshëse e shpreh absurdin, e shpreh “barokninë”  tonë që na ka futur e na mban në gërshërët e kacadrerit. Kjo situatë paraqet demonstrimin e sabrit tonë, sepse thonë pleqtë: sabër selamet.

Ne sabërlinjtë e amshueshëm, si e morëm vesh se Musa Xhaferi do të jetë zëvendëskryeministër për realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, Fatmir Besimi do të jetë zëvendës kryeministër për evrointegrime dhe Abdylaqim Ademi do të jetë ministër i arsimit,  e ngritëm edhe pak intensitetin e sabrit. Dhe, jemi të qetë, të qetë. Plot sabër. Shumë të qetë jemi, sepse ministrat dhe politikanët tonë, përveç të drejtës së vetme e të patjetërsueshme që do ta kenë t’i kontrollojnë mendimet e shqiptarëve, ta shohin se a jemi “me ne” apo “me ata”, nuk  do të kenë punë tjetër fare. As ne nuk do të mundohemi, nuk do të lëvizim fare, sepse nuk do të kemi kujt t’i kërkojmë përgjegjësi për realizimin e Marrëveshjes tashmë të harruar të Ohrit. Nëse marrim të kërkojmë përgjegjësi prej qeverisë, do të na thonë: e patët ministrin tuaj, Musën. Shkoni e pyeteni atë! Çfarë kërkoni prej nesh? E si ta pyesim Musën kur e dimë se një makineri e madhe burokratike nuk lejon as një hap të bëhet në drejtim të realizimit të mbarë të Marrëveshjes.

Evrointegrimet nuk janë pjesë e strategjisë së atyre që na shikojnë nga ballkoni e prej së larti, kurse në fushë të arsimit VMRO-ja nuk ka ndonjë plan për ndryshim. Pastaj edhe gjuha shqipe “është hedhur” nga programi qeveritar, sepse kështu ka vendosur BDI-ja: e kanë braktisur gjuhën shqipe për ta inkuadruar vendin në NATO. Askush nuk tregoi se çfarë pengese na qenka gjuha shqipe në të ashtuquajturën rrugë të vendit drejt BE-së e NATO-s? Ç’do të thotë ky kompromis? Dhe, a mund t’i thuhet kompromis fare? Ndoshta kanë menduar se nuk dimë ta shtrojmë këtë pyetje. Ndoshta me të përmendur të NATO-s kanë dashur të na hedhin ndonjë bonbone që të na e bëjnë qejfin. Se jemi fëmijë ne. Të gëzohemi pse hyjmë në Aleancën, ku ata vetë nuk kanë qasje. Kanë menduar se gjuhën tonë e lëmë në çështjet e dorës së tretë.

U bë si u bë në arsim e në shkencë gjuha shqipe këta katër vjet do të mbetet mbyllur në sirtar e Abdylaqimi s’ka pse të mërzitet. As në drejtësi e as në pushtetin lokal nuk do të ketë punë. Atje  nuk munden ministrat tonë as një presje ta lëvizin. Sa për ekonomi, VMRO-ja, sipas traditës, do ta ketë një zëvendëskryeministër i cili do t’i ketë nën kontroll të gjitha ecuritë e kësaj fushe. Kështu që Musa do të jetë rehat, Fatmiri, po ashtu – rehat. Edhe Abdylaqimi. Po edhe ministrat emrat e të cilëve i dëgjojmë për herë të parë e që do të ulen në kolltukët me kadife pa push që i “fali” Gruevski.

Ajo që veçohet në këtë hapësirë metafizike e barokiane është  hija e pushtetit “tonë”. Ajo është prodhim i tmerrshëm e unik “vendor”. Ajo është shenja njohëse e përpëlitjeve  jofrytëdhënse të politikës shqiptare që ka vetëm një detyrë: të bëhet sy i partisë, të bëhet dhe vesh i saj dhe të shikojë çdo cikërrimë, të dëgjojë çdo fëshfërimë që mund ta prishë rehatinë e të ndenjurit në kolltuk. Ajo mund të mos na lërë të qetë. Mund  të vijë pas nesh, qofshim të njohur a të panjohur, gazetarë, bujq, të papunë e punëtorë “që nga Shkodra deri në Vlorë”, të gjithëve që kemi mbetur në lloç e në thërrmija. Se neve na konsiderojnë si njerëz që e prishim demokracinë e tyre!

Janë nja katër vargje të poetit të madh të lashtësisë romake Katulit, që ka jetuar në kohën e Cezarit. Një poet që e ka mbrojtur lirinë personale dhe krijimtarinë letrare të kohës. Në një rast kur janë caktuar disa funksionarë të kohës së tij ka reaguar me vargje. Pesë para s’ka dhënë as për Cezarin (edhe kundër tij ka shkruar). Këto vargje  i paraprijnë një atmosfere të këtillë politike, ose, të themi, të mundësive që i kemi. Ato janë:

Quid est, Catulle? quid moraris emori?

sella in curuli struma Nonius sedet,
per consulatum peierat Vatinius:
quid est, Catulle? quid moraris emori?

 

Çfarë pret, o Katul, pse s’vdes menjëherë

N’ kurje  është ulur gushëdali Nonius,

e konsull bëhet besëshkeli Vatinius:

Çfarë pret, o Katul, pse s’vdes menjëherë?

Rehatisë sonë që zhvillohet në premtime ciklike të politikanëve “të pazëvendësueshëm” dhe  guximit të  tyre të pashembullt që të mos realizojnë asnjë nga premtimet e dhëna, do t’i shkonte kjo poezi, ama vetëm e kompozuar, e poetit romak të shekullit të parë para erës së re. Neve na mbetet, pastaj,  ta këndojmë me zë sa më të ulët këngën e kompozuar. Mos të na dëgjojnë. Se ashtu e kemi punën. Çfarë kemi parë – nuk kemi parë, çfarë kemi dëgjuar – nuk kemi dëgjuar…

Dikush mund të pyesë, ama ngadalëz: “Çfarë pret o Katul”?

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button