Hashim Thaçi shpalli fitoren e PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi pak minuta para mesnate ka shpallur fitoren e PDK-së, për të cilën tha se ishin qytetarët ata që vendosën dhe e dhanë verdiktin e tyre.

Duke uruar qytetarët për fitoren e PDK-së, ai tha se nga nesër do të filloj punën e re me “Misionin e Ri”, përmes të cilit synon krijimin e mijërave vendeve të reja pune dhe zhvillim ekonomik të vendit.

“Misioni i Ri vlen për të gjithë. Ne do tu shërbejmë të gjithëve. Ftoj partitë tjera të festojnë, ndonëse nuk janë ndarë të kënaqur me zgjedhjet”, theksoi Thaçi.

Sipas tij, sot qytetarët e Kosovës janë përballur me një pyetje të thjeshtë, por vendimtare për Kosovësn.

“Kosova ka nevojë për ju, ka nevojë të qëndroj e bashkuar. Kemi nevojë për cdo të ri, për cdo grua, fermer. Nëse ju votuat PDK apo ndonjë parti tjetër, ne jemi përsëri këtu për të mirën e vendit. Nëse ka një qytetar të vetëm që dyshon në këtë, unë them se qytetarët dhanë përgjigjen e duhur për këtë pyetje”, tha tutje Thaçi.

Ai shtoi se përgjigjen e tyre e dhanë të rinjtë dhe të moshuarit pa dallim të cilët votuan Misioni e Ri të PDK-së.

“Shteti ynë është i gatshëm të realizoj ëndrra të mëdha. Ne do të ecim përpara dhe do t’i tregojmë botës së pavarësia e vendit ishte vetëm fillimi dhe jo fundi. Fitorja e PDK-së është fitore e gjithë Kosovës”, potencoi Thaçi.

Ai po ashtu tha se Kosova tani më do të identifikohet me atë që do të bëj në të ardhmen dhe jo me atë që ka bërë në të kaluarën.

“Kosova duhet të jetë krenare me këto zgjedhje, të cilat ishin zgjedhje ku qytetarët vendosen për modelin e shtetit të tyre, ishin zgjedhje demokratike, pozitive, fer dhe korrekte”, theksoi kryetari i PDK-së.

Ai falendëroi vëzhguesit evropian, Bashkimin Evropian dhe të gjithë ata që kanë mbështetur dhe ndihmuar procesin zgjedhor të 8 qershorit.

Lajme të ngjashme

Back to top button