QYQJA NËNA, E MJERA, O BALI!

Si u krijua Serbia e madhe e para Luftës së parë botërore, si ndërtohej ajo, cila ishte politika e saj ndaj “Jugut”, pra ndaj Kosovës dhe Maqedonisë, treva këto që ranë në duart e Serbisë pas ngjarjeve të përgjakshme në vitet 1912/13? Disave nga këto pyetje lexuesi do t’ua gjejë përgjigjet edhe drejtpërsëdrejti, por edhe midis rreshtash në fletëzat vijuese nga dëshmitë e njërit nga ideologët dhe krijuesit e projektit të ashtuquajtur Serbia e madhe, Milosav Jeliçit, që i shtron në Librin Kronikë e jugut. Përndryshe M. Jeliçi ka marrë pjesë aktive në pushtimin e këtyre anëve shqiptare si oficer i lartë dhe pastaj edhe në ndërtimin e pushtetit shovinist serb të asaj kohe. Tekstin e përshkojnë fjali të qarta, përshkrime mjaft interesante, me një dozë romantizmi “patriotik”, prapa së cilës fshihet bërthama e politikës serbomadhe ndaj njerëzve të pambrojtur të këtyre anëve, e veçmas ndaj shqiptarëve….

QYQJA NËNA, E MJERA, O BALI!

Para pak kohësh z. Gr. Bozhoviçi e botoi tregimin e tij “Akrabaja”. Deshi që me penën e tij të bukur ta paraqesë një ngjarje interesante ku poturi Giniç Beu e merr hakun për një të fisit të vet ortodoks nga Vasojeviçët, e nga shtëpia e Deleviçve. Tregohet këtu se si një zullumqar i njohur nga Rugova paska thënë se e ka therur një djalë nga ai fis dhe kur paska dëgjuar Giniçi qenka çuar dhe e ka vrarë Baliun.

Rrëfimtarit i lejohet që rreth motiveve interesante të rendisë rrethana të trilluara, po tërheqëse. Mirëpo kur është fjala për historinë thuaja ende të gjallë dhe për emrat e vërtetë, atëherë, sipas të dhënave që kam unë, ngjarja është zhvilluar kësisoj. Murat Be Giniçi ka qenë kajmekam i Beranit, i lindur në fisin e Kuçve nga Roshaci. Dhe një ditë del të lavdërohet në kafene një potur i Vasojeviçve se paska vrarë dy barinj të rinj prej Kuçve.

– I vrava, thotë, nja dy qenë (Serbisht: убих два кучета – vrava dy qenë, në vend se të thotë: два кучета, që do të thotë dy kuçë, pra dy veta nga fisi Kuç. Le të theksojmë se fisi i Kuçve pjesërisht janë shqiptarë, pjesërisht malazezë dhe një pjesë janë boshnjakë. Shën. i përkthyesit). Dhe nisi pastaj ta përshkruajë si i kishte vrarë. Dhe si i paskëshin thënë barinjtë para vdekjes: “Ka kush na e merr gjakun nga fisi, ja turk ja i krishterë” (pra: ose mysliman ose i krishterë).

E dëgjoi Giniç Beu dhe e pyeti:

– A vrave dy qenë apo dy kuçë?

– Vrava dy qenë prej kuçve.

– Dhe të thanë se do të gjendet dikush nga gjaku i tyre që do ta marrë hakun për ta, qoftë turk (shqiptar, shën. i përkth.) ose i krishterë?

– Thanë.

– Vallahi?

– Vallahi!

– Bilahi?

– Bilahi!

– Tallahi?

– Tallahi!

– Epo mirë të paskan thënë kuçët, tha Giniç Beu, pastaj e nxori revolen dhe të gjitha plumbat ia numëroi vrasësit aty para njerëzve në kafene.

Dhe kështu e mori gjakun.

Mirëpo Baliu është vrarë ndryshe dhe në rrethana të tjera. Mos të nxirret në shesh si është vrarë do të thotë të bëhet mëkat ndaj kujtimit të dy trimave nga fisi i Vasojeviçve1.

Ky kapadahi rugovas ia ka pas shtirë tmerrin si rrethit të Pejës, poashtu edhe viseve kufitare të Malit të Zi dhe Sanxhakut. Viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar (pra të shekullit nëntëmbëdhjetë. Shën. i përkthyesit) ishte bërë i njohur me kapadahillëk edhe ndër turq (pra shqiptarë. Shën. i përkthyesit) edhe ndër të krishterë. Ishte ky një katallan për nga shtati dhe për të të merret një jetë njeriu ishte puna më e rëndomtë në botë2. Flitej se kishte vrarë dyzet e pesë serbë. Mbante tesha të shtrenjta me dofarë tufash të veçanta, kishte pasur martinë të bukur3 dhe pistole të stolisura në argjend. I frikësoheshin agallarë e bejlerë dhe nga pak ia kishin zili për famën. Njerëzit thoshin atëherë se një shka  edhe dhjetë gjakëra t’u kishte borxh turqve (shqiptarëve myslimanë, shën. i përkth.), prapë do të shkonte lirisht nëpër Malësi vetëm po të kishte ndonjëfarë nishani nga Baliu. Vetëm ta tregonte kutinë e tij të duhanit, kamishin, unazën ose revolen, askush nuk do të guxonte ta prekë.

Në atë kohë kur për arnaut Baliun e Rugovës flitej si për Smail Agë Çengiçin në Shekullar, në fshatin Mezgallë jetonin dy vëllezër – Milija dhe Ilija Milinçiçi, të bijt e Nikolinës. Mbiemrin e mbanin të nënës, e në të vërtetë ishin Vasojeviçë, të ardhur në Shekullar nga Lumi i Majtë, nga Dushku “që s’ka frikë nga pushkët e turkut”. Fshat ky i atij Radoje Gjurovit, i cili në vitin 1862 (kur turqit kishin sulmuar fisin e Vasojeviçve kur po ktheheshin nga Serbia) ia kishte këputur kokën Smajo Megjugorcit, të parit të Sanxhakut “midis dy ushtrive”3 . Këtë farë Smajën e kishte vrarë me xheferdare nishanxhiu më i mirë Tomica Vukovi. Atëherë Radoja ia kishte marrë hanxharen Smajos, kurse në këtë hanxhare ishte gravuar kurora otomane dhe emri i Sulltan Mexhitit, siç këndohet edhe në këngën popullore. Këtë hanxhare e ka mbajtur pastaj kral Nikolla gjithmonë në oxhaklinë e tij.

Mirë është kur kështu futemi midis emrave të trimave t’i kujtojmë ato ditë. Radoje Gjurovi, të ungjin e Milisë dhe të Ilisë e ka vrarë midis pazari në Guci zullumqari gucias Selman Deka. Kral Nikola atëherë kërkoi drejtësi prej sulltanit personalisht, kurse Sulltani kishte urdhëruar që Selman Deka të varej në të njëjtin vend ku e kishte bërë vrasjen5.

Milija Shekullarci ka qenë nënkomandant, kurse Ilija bajraktar kur ndaheshin kufijtë midis Malit të Zi dhe Turqisë në vitet 1876 – 786. Komisioni turk fushonte  në majë të Mokrës, kurse komisioni malazez në krye me Ilija Plamencin dhe me konsullin rus e atë francez diku në afërsi të Javorkut përmbi Shekullar. Dhe, atëherë Baliu vendosi që bëmave7 të tij t’ia shtojë edhe një duke vrarë ndonjë nga anëtarët e Komisionit malazez8.  Po që të mund të depërtonte atje, ai e kurdisi një dredhi[1]. I mori dy desh të mëdhenj e të bukur me brirë të mëdhenj dhe u nis me ta në Shekullar. Deshtë në të vërtetë i shërbenin si pasaportë se udhës kur e pyesnin turqit  ku shkonte, ai thoshte se ia çon deshtë dhuratë kryetarit të Komisionit turk, kurse malazezve se ia çon kryetarit të Komisionit malazez, vojvodë Pllamencit. E hetuan këtë shekullarasit dhe e lajmëruan Milinë dhe Ilinë të cilët vendosën që ta zënë të gjallë. Iu afruan ngadalë dhe iu hodhën me shkathtësi[2], kështu që nuk pat mundësi të shtijë me pushkë. Megjithatë nuk ishte lehtë që gjithë këtë burrë të madh ta rrëzosh, kështu që lufta zgjati gjatë kohë10. Baliu në këtë luftë arriti të shtijë me revole pa e nxjerrë prej brezi, po nuk bëri dëm të madh, vetëm e gërvishti pakëz Ilinë. Të çarmatosur dhe të lidhur dy vëllezërit e dërguan te vojvodë Plamenci, i cili në shenjë mirënjohjeje ia dha Milisë martinën dhe fishekoren, kurse Ilisë stolitë dhe revolen e Baliut. Baliun urdhëroi që me një përcjellje prej dhjetë vetash t’ia çojnë dhuratë gospodarit11 Mirëpo përcjellësve iu dukej gjakësor i madh, prandaj e vranë diku në Treshnjevik12 dhe kështu e shpëtuan kufirin nga rreziku i madh13.

Lajmi për vrasjen e Baliut i gëzoi të gjithë dhe i bëri të famshëm vëllezërit e Ilinçiçve14. Si çdo ngjarje e rëndësishme, as kjo nuk ka kaluar pa u nxjerrë në këngë[3]. Kjo këngë dihet edhe sot dhe këndohet si vaj i nënës së Baliut, pas vrasjes. Fjala “Quqe” në këngë domethënë “kuku”, kurse “façenzija” – mistrec në arnautisht.

Shënim i përkthyesit: Kështu Jeliçi e jep këngën për Baliun:

Ћуће, сине, Бал-Алија

Бал – Алија фачензија

Код мартине и левора

Ти допусти да те свећу

Шекуларац зли Милија

Зли Милија и Илија –

Ћуће, сине Бал’Алија.

Përkthimi i këtij teksti të shpikur nga ndonjë njeri që mezi e flet shqipen (do të ketë qenë jetë Jeliç, ndoshta) do të kishte qenë si vijon:

Quqe bir Ball-Alija

Ball Alija faqenzija

Te martina e levori

Të të lidhin ti lejove

Shekullarci i ligë Milija

Milija i ligë dhe Ilija

Quqe biro Ball-Alija

(Ja si është  Kënga për Bali Trimin):

Qyqja nana e mjera o Bali

me kja vetin bir a me t’kja ty

ta vunë lakun bir ata shki’

t’ranë mas shpine me dredhi

Kur u nise me rujt Shypninë

me lan nam-o n’gjithë Malsinë

t’ra mas shpine shka Milija

faqeziu aj pis Ilija

po t’kjan nana bir sot e mot

gur e dru po t’kjajnë me lot

Ka ra n’zi bir krejt Gucia

ni kreshnik ka hup Shypnia

t’kjan Shypnia, t’kjan krejt bota

zemra e nanës, bir, copa-copa

(Komenti për konstruksionet e autorit është i tepërt. I tregon kënga vetë ligësitë propagandistike antishqiptare. Shënim i përkthyesit)
____________________________________________________________________________________________________

1 Autorët serbë trimërinë e kanë shpallur pronë private serbe. Natyrisht për nevojat e programit nacionalist serbomadh, të ideologjisë dhe të propagandës së tyre. Po ashtu edhe të vërtetën: vetëm ata e thonë të drejtën, vetëm ata kanë të drejtë, vetëm ata i dinë gjërat, vetëm ata, vetëm ata…
2 Kur vrasin serbët, atëherë vrasja është trimëri. Kur vrasin shqiptarët, atëherë vrasja është krim…
3 “Humanisti” e veçon bukurinë e martinës. Prej “dashurisë’ që ka ndaj njerëzve mendjen e ka te martina… dhe te pistolet…
3Me çfarë lehtësie këputen kokat e njerëzve, me çfarë kënaqësi tregohet krimi duke e cilësuar si trimëri. Këputet koka e bashkëqytetarit. Vrasësi malazez, viktima malazez. Vrasësi ka të drejtë të marrë shpirtëra se është i krishterë dhe mbi të gjitha pse është serb
5 Shqiptarë nuk kanë pasur mbrojtje as nga Turqia, e cila me intervenimin e kujtdo i ka vënë në litar njerëzit.
6 Vite kur malazez e turq bënin kërdi në hapësirën etnike shqiptare, duke ia falur Malit të Zi viset e epikës sonë
7 Ja këtu s’ka kah ia mban, ia pranon bëmat Baliut
8 Baliu ka qenë kryengritës, i cili nuk është pajtuar me copëtimin e trojeve etnike shqiptare nga hoshtaplerët e atëhershëm politikë rusë e francezë
[1]Malazezët e serbët  ta hedhin me shkathtësi, kurse shqiptarët me dredhi
10 Si në këngët popullore
11 Shqiptarët autori i konsideron si gjësende të rëndomta, të cilat mund të jepen si dhurata, si trofe
12 Arsyetim i tillë gjendet vetëm ndër nacionalistët serbë për vrasjen e njeriut
13 Menjëherë del në shesh pse e kanë vrarë Baliun. Pra jo pse ka qenë kapadahi, por pse ka qenë trim i cili e ka dhënë jetën për mbrojtjen e trojeve etnike
14 Shikoni absurdin si gëzohen serbët për vrasjen e njeriut. Ky autor në disa vende pohon se paska pasur miq shqiptarë.
[3]Krimet serbe ndaj shqiptarëve gjithmonë janë ngjarje të rëndësishme.

Autor i librit: M. Jeliç
Përktheu, komentoi dhe përgatiti për botim: Xhabir Ahmeti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button