KAMPIONATI BOTËROR, MAQEDONIA DHE TË TJERA

Kanë mbetur edhe pak ditë deri në fillimin e Kampionatit Botëror në Brazil. Të gjithë sytë e botës janë të drejtuara drejt vendit nikoqir. Është evenimenti më i shikuar dhe më i vizituar nga të gjitha evenimentet që mund t’ju bien ndërmend. Por vec shikueshmërisë, më të rëndësishme për një vend i cili synon organizimin e këtij festivali botëror janë reputacioni I shtetit si vend i zgjedhur ndërmjet shumë të tjerëve dhe shtysa që pritet t’I japë ky eveniment Brazilit në aspektin ekonomik. Pritet një influks turistësh prej rreth 4 milionë në vetëm një muaj që do të sillnin rreth 3 bilion dollarë amerikanë të hyra.

Ndërkaq që nga viti i kaluar në Brazil janë të përditshme protestat dhe dhuna në rrugë si pasojë e këtyre protestave. Protestat po shtohen sa më shumë që afrohet kampionati. Po cila është arsyeja e këtyre protestave? Brazili është shtet i cili pësoi një boom të vërtetë ekonomik gjatë 20 viteve të kaluara, falë resurseve gati të pashtershme natyrore dhe investimeve të mëdha kineze. Në ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për mbajtjen e këtij kampionati janë shpenzuar rreth 11 bilion USD. Ndërsa nga ana tjetër sipas analizave të institucioneve relevante financiare botërore, standardi i jetesës në këtë vend, përskaj këtij boomi ekonomik nuk është përmirësuar në nivelet që duhej të priteshin. Sipas një studimi të Bankës Botërore rreth 16% e popullsisë jeton në varfëri, dallimet sociale janë të mëdha si rezultat i një mosbarazie të skajshme mes klasës së pasur dhe asaj të varfër.

Pikërisht këtu mund të gjehen arsyet e protestave masive. Njerëzit të cilët protestojnë janë të pakënaqur sepse mendojnë se organizimi i Kampionatit Botëror nuk ishte i nevojshëm për vendin në këto momente krize financiare dhe sociale. Sipas tyre këto 11 bilionë USD mund të ishin investuar shumë më mirë në aspekte që do të përmirësonin pasqyrën sociale të këtij vendi, kaq të largët. Do të mund të ishin investuar në projekte që do të zvogëlonin varfërinë dhe të përmirësonin sistemin shëndetësor.

Për një vend në të cilin futbolli ka status religjioni, këto protesta nga larg mund të duken të pakapshme nëse nuk e kupton thelbin e tyre. Por në realitet ne si banorë të kësaj Maqedonie nuk mund ta kemi shumë të vështirë ta kuptojmë këtë thelb. Një analogji me Brazilin mund të jetë shumë e lehtë. Në Maqedoni, gjithmonë sipas të dhënave zyrtare nga Banka Botërore, 27.1% e popullsisë së vendit jeton në varfëri absolute. Dhe nëse në Brazil janë investuar 11 bilion USD për të organizuar një eveniment që do të sjellë 4 milion turistë dhe 3 bilion USD të hyra immediate nga ky turizëm, në Maqedoni janë investuar shuma të pamendueshme për të ndërtuar përmendore dhe ndërtesa të bukura. Synimi i këtyre investimeve sipas burimeve zyrtare është futja e Maqedonisë në hartën botërore të turizmit.

Një sektor të cilit po i kushtohet vëmendje e skajshme dhe e pakuptimtë kur mendohet që Maqedonia nuk i përmbushën kushtet themelore për të thithur turistë nga jashtë të cilët do të binin të hyra të mjaftueshme për të arsyetuar këto shtrydhje financiare të buxhetit të vendit. Sepse Maqedonia, jo vetëm që nuk ka dalje në det por as edhe infrastrukturë të nevojshme për të zhvilluar turizmin. Nuk ofrojmë asgjë të më ndryshme sesa një vend si Kazakistani. Edhe në kryeqytetin e këtij vendi kaq të largët janë ndërtuar ndërtesa të një bukurie të rrallë.

Kjo politikë e zhvillimit të turizmit si faktor të zhvillimit të Maqedonisë, është në përputhje me politikat tjera jo shumë profitabile dhe të qëndrueshme ekonomikisht që po bëhen në vendin tonë që nga krijimi i tij si shtet I pavarur. Ndoshta të kapluar nga një megalomani e kotë e nxitur nga një histori e dyshimtë, ndoshta të nxitur nga interesa të klaneve të ndryshme të fuqisë, por edhe nga arsye të cilat janë të sinqerta, por gabimet e programeve të gabuara shtetërore i paguajnë njerëzit e zakonshëm. Në një vend ku nuk ka prostesta, sepse të gjithë janë të mësuar të jetojnë në heshtje dhe të kënaqen me pak, të paktën mund të organizohen rrethet intelektuale për të krijuar debat të shëndoshë publik për çështje qenësore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button