Brazili e mohon që Snowden ka aplikuar për azil

Ministri i jashtëm i Brazilit e ka hedhur poshtë lajmin se ish kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, ka aplikuar te qeveria e Brazilit për azil.

Snowden, i cili momentalisht po qëndron në Rusi me azil të përkohshëm i cili skadon në muajin gusht, i ka thënë një televizioni brazilian më 1 qershor se ai ka aplikuar formalisht për azil në Brazil.

Mirëpo ministri i jashtëm brazilian, Luiz Alberto Figueiredo, ka thënë se kjo nuk është e vërtetë.

Kryediplomati brazilian iu ka thënë mediave të vendit të tij “nëse kërkesa arrin, do të merret në konsideratë. Por, ajo nuk ka ardhur”.

Snowden, vitin e kaluar ka zbuluar detaje rreth programit amerikan të vëzhgimit, duke përfshirë edhe të dhëna masive të mbledhura përmes telefonatave dhe të dhëna spiunimi të liderëve botëror.

Presidentja braziliane, Dilma Rousseff kishte anuluar vizitën në Vashington vitin e kaluar pasi dokumente që i kishte publikuar Snowden thonin se ajo ishte një nga caqet e spiunimit.

Ndërkohë, regjisori hollivudian, Oliver Stone, ka thënë më 2 qershor se ai do ta shkruaj dhe udhëheqë një film për Snowdenin.(REL)

Lajme të ngjashme

Back to top button