Mbrëmje perfekte

Aromën e blinit për herë të parë sivjet e ndjeva rrugës për në Zanzibar ku atë mbrëmje kremtonim me petulla të bëra enkas për fëmijën e pestë të një miku, nga gruaja e tij e tretë. Po, e treta-e vërteta gjykuar sipas asaj se sa herë që e përmend bashkëshorten e re thotë “e dashura ime”, “e bukura ime”, anise nuk janë në fillim të martesës. Kur dikush në një institucion të tillë arrin të ruajë të freskëta emocionet kjo është vërtet për medalje, mjafton të shikojmë rrotull dominimin e shembujve të kundërt.

Para se të arrij në vendtubimin me petulla ndanë Parkut, ktheva shkurt në Muzeun e qytetit të Shkupit sa për t’ia përgëzuar ekspozitën piktorit Manev.

E pyes se a i kujtohem, ai gjindet mirë, thotë se nuk i kujtohem “por, sigurisht për shkak të kapelës”.

I them që jemi “komshi” në Dnevnik: çdo të dytën të mërkurë dalim bashkë në dy faqet fqinje.

Manev më shikon me gjysëmhabi.

Nëse nuk e lexon tekstin e vet në gazetë apo sajtin e gazetës dhe haberin s’e ka kush është në faqen tjetër, kjo më duket super.

Egoja e ulët çmohet lartë, anise shpesh na duket se nuk është ashtu, posaçërisht në kohëra kur shumëçka është tersëne. Vlera e individit shpesh më duket në disproporcion me mendimin e tij për veten, ngase mbahen kryelartë kryesisht tipat jocilësorë me vetëinvestime modeste. Kjo ndodh kur barabani i fatit të katapulton ku nuk e ke vendin, prandaj fillon të shashërdisesh, ndërsa kompleksi i vlerës së lartë është pikërisht simptom i dezorientimit dhe humbjes së kontaktit me realitetin.

Kuvendojme edhe pak me piktorin spirituoz dhe vazhdoj tutje.

Pak më tutje, aty ku takohen Bulevardi dhe Orce Nikolov, e ndjej aromën e parë të blinit për sivjet që don të thotë se afrohet vera në Shkup. Aty në qoshin e rrugës një studio ndoshta e posahapur për enterier.

Vitrina e plotë me hijeshi, mirë që çmimet në etiketa nuk lexohen në dritën e dobët difuze, kështu që vetëm kënaqem duke shikuar. Më i bukur më duket eksponati më i thjeshtë – llambë tavoline me poç të rëndomtë të cilit nga të dyja anët i janë vënë si fleta nga pëlhura dhe duket si zog në fluturim. Përsosmëri e thjeshtësisë. Vërtet, “the less is more”.

Lum për atë që e ka punuar, me kusht të mos jetë, të themi, kopje nga Interneti. Nëse e ka bërë “nga brenda” duhet të ketë qenë i lumtur pasi ta ketë kryer pasi pak gjëra e bëjnë njeriun e lumtur siq mund ta bëjë ajo ndjenjë e mirë pas aktit të krijimtarisë.

Por me krijimtari nuk nënkuptoj vetëm veprimin artistik, pasi në një farë mënyre ne krijojmë edhe duke shijuar veprën e dikujt që në kontakt me shqisat tona bëhet vepër e plotë, fiton kuptime apo interpretime të reja duke mundësuar Estetikë, Vetëdije dhe Fisnikëri. Këto të trejat janë zakonisht në simbiozë-kur mungon njëra, mungojnë edhe dy tjerat, është thuaja ligj.

Me krijimtari nënkuptoj edhe përzgjedhjen e njerëzve me të cilët shpenzojmë më të vlefshmen – kohën që na është dhënë, kohën e kufizuar.

Mbrëmja e ngrohtë e fundmajit,  që nisi me ekspozitën e bukur, akoma të hapur në Muzeun e Shkupit, vazhdoi me atë vitrinë plot hijeshi te qoshi i rrugës në Debar Maallo ku spikatej llamba-zog në fluturim dhe përfundoi në Zanzibar ku me njerëz të dashur dhe inspirativë kremtuam lindjen e një jete të re, ishte një nga ato mbrëmje që duken të paharruar jo vetëm më vonë në kujtesë, por edhe derisa zgjasin.

Vërtet mbrëmje perfekte!

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button