KE publikon nesër progres-raportin për Shqipërinë

Komisioni Europian do të publikojë të martën progress-raportin për Shqipërinë, i cili pritet t’u rekomandojë vendeve anëtare të BE-së dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë.

Sikurse deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, “vlerësimi nga progres raporti që Komisioni Europian do i bëjë të martën Shqipërisë do përcatojë nëse qeveria i ka bërë si duhet ose jo detyrat”.

Ashtu si në dhjetorin e kaluar, KE do t’u kërkojë 28 vendeve të Bashkimit Europian dhënien e këtij statusi për Shqipërinë, pas tre herë dështimesh radhazi në këtë kërkesë.

Ky raport do t’i dorëzohet palës shqiptare nga komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, i cili në datën 4 qershor do të vizitojë Tiranën për të vijuar takimin e nivelit të lartë mes palës shqiptare dhe asaj të BE-së.

Ndërkaq një ditë më parë Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, tha se Shqipëria e meriton statusin në Bashkimin Europian dhe se ka shpresa të mira që kjo të ndodhë në fundin e këtij muaji. Ai shprehu mbështetjen e Italisë në këtë proces dhe theksoi se pavarësisht vonesave në të shkuarën, Shqipëria do të arrinte ta kapte shumë shpejt këtë stacion në rrugën e gjatë të integrimit në Bashkimin Europian.

Ndërsa vendimi përfundimtar për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë do të merret më 23 qershor nga samiti i Parlamentit Evropian.

Lajme të ngjashme

Back to top button