Të gjallërojmë trashëgiminë tonë kulturore!

Blerina Llalla

Ajo që më shtyu ta bëj këtë zgjedhje, është pasioni ndaj artit, kulturës dhe traditës së vendit tonë, duke përfshirë atë materiale, shpirtërore, monumentale e më gjerë. Prandaj ajo që dua të them është së veç të tjerave, ne brezi i ri, duhet të besojmë e të provojmë atë që bota e qytetëruar ka vite që e realizon, e shfrytëzon: Rolin dhe vlerat e trashëgimisë së një komuniteti në nivel rajonal, kombëtar e botëror. Them botëror, pasi shumë kombe, përfshirë edhe shqiptarët, disponojnë site historike, arkeologjike, arkitekturore si edhe pasuri të karakterit shpirtëror. Këto, si elemente të identitetit kombëtar, duhen regjistruar e më pas ruajtur, konservuar, restauruar dhe përdorur në kuptimin më të mirë të fjalës.

Mund të them me krenari se vendi ynë disponon elementë të rrallë dhe me vlera të mirëfillta historike e artistike duke sjellë prova për t’u renditur ndër qytetërimet më të hershme, të cilat i kanë mbijetuar kohërave dhe vetë faktorëve historike apo ngjarjeve e periudhave të ndryshme.
Por sa po kujdesemi realisht për studimin, zbulimin, ruajtjen dhe promovimin e këtyre pasurive?
Ka shumë studime, doktrina, teori e qëndrime në lidhje me këtë argument, por ajo që të bie në sy është konvergjenca e çdo kombi për të vlerësuar trashëgiminë e vet. Shembull është Italia, Greqia që çmojnë dhe bëjnë maksimumin për çka parashtrova më sipër.
Duke qenë se kam edhe një formim artistik laureat, e shoh edhe më të arsyeshme të insistoj se një vend, një komb, një komunitet duhet të bëjë kujdes dhe të shfrytëzojë vlerat e trashëgimisë në dy aspekte themelore, atë edukativ, ekonomik, plus edhe atë të përfaqësuar.
Kam studiuar, por kam pasur fatin edhe të vizitoj mjaft site apo lloje të tjera të trashëgimisë në Itali dhe nuk mund të mos përmend se sa kujdes tregohet, sidomos në aspektet e mësipërme.
Ka kohë që pretendohet se trashëgimia në Shqipëri është e pasur dhe me vlera, por fatkeqësisht institucionet përkatëse që detyrohen me ligj për sa më sipër nuk kanë qenë aq efikase sa duhet. Mund të shtoj se shprehje e moskujdesit është dhe ajo se treguesit e buxhetit janë nga më të ulëtit, gjë që bie në kundërshtim me natyrën e vetë punimeve që kryhen gjatë punës restauruese në  natyrë që dikton detyrimisht një buxhet edhe më të madh.
Pra, konkluzioni është: Së pari, nevojitet një përmirësim i kuadrit ligjor ekzistues i cili sot për sot materializohet nga një dualizëm, Ministri Kulture, Institut i Monumenteve. Dualizëm që prodhon një burokraci që shpesh shndërrohet në përplasje. Në më të shumtën e rasteve, në përplasje interesash. Ndoshta një unifikim i procedurave, kompetencave dhe të tjera elementeve juridike si këto, mund të lehtësonin funksionimin e makinës së rënduar shtetërore. Këtë e them pa asnjë qasje politike të caktuar, por thjesht si një mendim teknik të një profesionisti të lirë.
Trashëgimia në Shqipëri ka nevojë të hapet për publikun e kjo jo thjesht me një akt normativ, por në formën e një lëvizjeje bashkësie, sidomos të të rinjve. E them këtë, pasi më intrigon negativisht një lloj indiferentizmi  nga çdo shtresë. Duket sikur kjo sfera e trashëgimisë i përket vetëm specialisteve dhe jo publikut. Bota e qytetëruar ka eksperienca e praktika të mrekullueshme të hapjes së trashëgimisë për komunitetet. Ato kanë ditët e muzeve apo siteve të hapura falas. Kanë lehtësi pagesash për rininë studentore. Organizojnë një sërë aktivitetesh në muze apo të tjera objekte me vlera trashëgimor dhe këto jo për përfitime ekonomike, por kryesisht edukative (në parantezë fjala edukative është jashtë konotacionit të së kaluarës).
Vijmë këtu tek ajo që quhet jo vetëm hapje, por edhe vitalizëm i serisë së monumenteve, por jo për të realizuar interesa së grupeve të ngushta përfituese, por për komunitetet.
Të gjithë e dimë se shumë vende e organizojnë jetën e vet rreth një monumenti apo një siti arkeologjik ose arkitekturor me të cilat lidhet edhe një histori e caktuar, p.sh Shën Stefani, Mezhdugorje, Kallabaka e Manastireve. Po përmend këto që kemi afër, pasi janë të shumtë shembujt. Pra, nevojitet thjesht një mentalitet më civil, më teknik, më profesionist, më pragmatik dhe gjithçka që i përket kësaj fushe futet në hullinë e duhur të zhvillimit e të shfrytëzimit.
E di që jam duke folur për një fushë specifike, për të cilën mund të flasim shumë herë më gjerë, por ajo që dua të them tani është se duhet që trashëgimia të ri-marrë veten dhe të vihet në piedestalin e duhur. Më pas, do të shihemi më me respekt edhe nga të tjerët, pasi qëndrimi ndaj trashëgimisë është edhe një kriter apo parim vlerësimi prej botës ku aspirojmë prej vitesh të hyjmë.

Anëtare e Grupit nr. 2 “Rinia për Ndryshim” (Shkolla Elita Politike)

Lajme të ngjashme

Back to top button