Termet antieuropian, ekstremistët në krye në Francë e Britani

Nuk duket se ka ndonjë gjë të mirë për Shqipërinë nga zgjedhjet europiane. Mediat ndërkombëtare njoftojnë për një rritje masive të së djathtës ekstreme dhe kundërshtarëve të tyre të majtë, në pjesën më të madhe euroskeptikë dhe jo në favor të zgjerimit të mëtejshëm të BE. Franca ka parë përmbysjen më të rëndë në historinë politike, ndërsa Fronti National i Marie Le Penn rezulton partia e parë në vend me 25 për qind të votave, ndërsa socialistët e Hollande që qeverisin vendin gjenden të tretët me 14 për qind të votave. Antieuropianët e djathtë të akuzuar fort edhe për racizëm janë duke kryesuar edhe në Britaninë e Madhe, ku UKIP mund të fitojë zgjedhjet, duke lënë Laburistët të dytët dhe kaluar Konservatorët që qeverisin vendin të tretët, kjo sipas sondazheve, edhe pse Laburistët mund t’i fitojnë zgjedhjet me diferencë të vogël. Kjo do të ishte hera e parë që një parti e tretë (veç Laburistëve dhe Konservatorëve) fiton zgjedhjet në Britaninë e Madhe që prej 1906.

Ekstremistët e djathtë dhe parti kundër emigrantëve kanë fituar në Danimarkë, Austri dhe Belgjikë. Në Greqi, “Agimi i Artë” pritet të konfirmohet parti e tretë, duke e çuar PASOKU-n në vend të katërt, ndërsa Syriza e majtë jo fort dakord me politikat europiane, ka marrë kryesimin e vendit duke shënuar një fitore në 28 për qind sipas exit-polleve.

Exit-Pollet në të gjithë kontinentin tregonin një rritje të ndjeshme të ekstremeve, veçanërisht atij të djathtë, madje edhe në Gjermani një parti euroskeptike ia ka dalë të marrë vende në Parlamentin Europian. Gjermania sidoqoftë duket se ka qenë më e stabilizuar politikisht. Konservatorët e Merkel kanë fituar shumicën edhe pse me rënie, ndjekur nga Social Demokratët dhe menjëherë pas tyre, Të Gjelbrit.

Në Itali exit-pollet i japin fitore me 30-33 për qind të majtëve të Partisë Demokratike të Mateo Renzit, ndërsa nxjerrin “5 yjet” antieuropianë të Grillos në vendin e dytë me 26 për qind dhe Berluskonin dhe Forca Italia në vendin e tretë me 20 për qind.

Nga 400 milionë qytetarë të BE-së kanë të drejtën e votës për të vendosur për 751 vendet në Parlamentin e BE-së vetëm 43 për qind kanë dalë në zgjedhje, pak më shumë se në zgjedhjet e 2009, çka tregon se PE i jepet pak rëndësi edhe pse ai ka marrë fuqi të reja. Në Lindje, dalja në votime ka qenë më e vogël deri në shifra ekstreme. Kryetari i Komisionit zgjedhor në kryeqytetin e Letonisë, Riga, pas mbylljes së qendrave të votimit të shtunën përllogariti një pjesëmarrje prej vetëm 30 për qind. Në Çeki kërkohen ndërkohë shkaqet për pjesëmarrjen me sa duket të ulët edhe atje. Rreth gjysma e çekëve i konsideronin zgjedhjet europiane të panevojshme, pasi ato nuk ndryshojnë asgjë, ishte rezultati i një anketimi të kryer me porosi të televizionit çek.

Në shtatë vende të BE-së zgjedhjet europiane janë mbajtur ndërkohë: në Britaninë e Madhe, Holandë, Irlandë, Letoni, Çeki, Sllovaki dhe në vendin më të vogël të BE-së, Maltë, qytetarët patën mundësi të votonin që të enjten, të premten dhe të shtunën. Ndërkohë në Gjermani dhe 20 vende të tjera të BE-së u votua të dielën. Gjermania si vendi me popullsinë më të madhe, dërgon më shumë parlamentarë se të gjitha vendet e tjera në Bruksel dhe Strasburg – 96 europarlamentarë, në radhë vijnë Franca, Italia, Britania e Madhe, Spanja dhe Polonia, që po ashtu kanë numrin më të madh të zgjedhësve.

Ndërkohë, se si zgjedhjet europiane do të ndikojnë për Shqipërinë, kjo pritet të shihet në qershor, kur vendit i është premtuar statusi kandidat. Europa mund të ketë të tjera ngurrime, pasi ekstremistët e djathtë kanë fituar terren të konsiderueshëm në parlament, edhe pse vështirë se do të jenë ata që do e drejtojnë Parlamentin apo të kenë shumicën e tij. Në një projeksion të lëshuar nga vetë Parlamenti Europian, duket se Partitë Popullore dhe Kristiandemokratët do të kenë shumicën e 751 vendeve me 211 parlamentarë, të ndjekur nga Socialdemokratët me 193 parlamentarë, Liberalët me 74 anëtarë, të Gjelbrit dhe të Majtët me 58 dhe 47 vende, grupe të tjera konservatore marrin rreth 100 vende, ndërsa 56 mbeten të pavendosura pasi u përkasin partive që futen për herë të parë dhe nuk dihet se në cilin grup do të bëjnë pjesë. Një pjesë e europarlamentarëve po ashtu janë të pavarur.

Nga ana tjetër, rritja e ekstremit të djathtë mund të sjellë një ndryshim të planeve dhe gjasat që Shqipëria të marrë një shtyrje të re të statusit janë tani më të mëdha, madje në rast të një presioni të fortë nga deputetët e të djathtës ekstreme mund të ndodhë që të ketë presion edhe për marrjen e rekomandimit apo miratimin e tij në Parlamentin Europian, edhe pse ky do të ishte një skenar ekstrem.

Lajme të ngjashme

Back to top button