“Historia e kurvave” në kohën e Zogut

​Një libër i pazakontë do të jetë në qarkullim së shpejti në libraritë e Tiranës, i sjellë nga Shtëpia Botuese “Dituria”. Dy autorët, Klodiana Kapo dhe Fatos Baxhaku, kanë shkruar për “Gratë e përgjithshme”… për ta kuptuar se kush janë këto gra, nëntitulli është: Historia e prostitucionit në periudhën e Zogut. Libri siç kuptohet, rrok periudhën e shtrirë nga viti 1922 deri më 1939-ën.

Ideja e këtij libri lindi vite më parë, kur në rubrikën “Exclusiv” në Top Channel, gazetarja Klodiana Kapo, pas muaj kërkimesh në Arkivin e Shtetit zbuloi histori të prostitucionit shqiptar, siç e emërtojmë sot, apo “kurvnisë”, siç emërtohej në fillim të shekullit të kaluar. Por ky libër nuk është thjesht histori. Autorët nuk kanë marrë përsipër të shkruajnë një histori mirëfilli shkencore. Qëllimi i tyre, siç do ta mësoni në intervistat e tyre, është tjetër.

Por të rikthehemi tek e pazakonta e këtij libri.

Vetë autorët janë befasuar nga dokumentacioni i bollshëm që kanë zbuluar në Arkivin e Shtetit mbi këtë temë. Për “gratë e përgjithshme”, “gratë e përdaluna”, “kurvat”, apo “gratë publike” (quajini si të doni) flitej në raportet e policisë, në ankesat e qytetarëve, në fatet e trishtueshme të tyre, por dhe në letrat e klientëve të dashuruar pas tyre. Koha e Zogut është e vetmja periudhë kur në Shqipëri prostitucioni ishte i legalizuar. Madje ekzistonte një rregullore me 26 pika, që kontrollonte gjithë aktivitetin e këtyre grave dhe shtëpive publike të asaj kohe. Pra, në një vend oriental si Shqipëria e asaj kohe, Ahmet Zogu vendosi që t’i hapte rrugë legalizimit të “kurvnisë” dhe hapjes së shtëpive publike në qytete kryesore të Shqipërisë.

Po kush ishin këto gra? Si trajtoheshin ato, a pranoheshin këto gra nga shoqëria? Cili ishte fati i tyre? Pse Ahmet Zogu vendosi ta legalizonte prostitucionin? Si ka funksionuar? Cilat ishin anët pozitive dhe negative të këtij vendimi? Si reaguan shqiptarët? …Dhe më kryesorja…A duhet legalizuar sot prostitucioni në Shqipëri?… Shumë pikëpyetje ngrihen në pritje të këtij libri.

Lajme të ngjashme

Back to top button