Zgjedhje lokale, numra dhe probleme

Në një seri shkrimesh të bëra për Portalb në periudhën para zgjedhjeve shqyrtova situatën parazgjedhore dhe për çdo parti politike shqiptare caktova kriteret që mendoja se do të përcaktojnë suksesin apo mossuksesin e tyre në zgjedhje. Duke marrë parasysh atmosferën e keqe që ka shoqëruar gjithë procesin zgjedhor, duke nisur nga problemet me listat e zgjedhësve, ekipin mobil të votuesve nga Pusteci, nëpërmjet intrigave politike me koalicionimet, deri te problemet në vetë ditën e zgjedhjeve, me siguri se sot ka plot tema tjera më të rëndësishme rreth së cilave mund dhe duhet të shkruhet. Megjithatë e ndjej si borxh ndaj lexuesve që kanë përcjellur shkrimet e mia të mëparshme që serinë e këtyre shkrimeve t’a rrumbullakësoj dhe përmbyll me matematikën që rezultoi nga këto zgjedhje.

Fituese e këtyre zgjedhjeve lokale padyshim është BDI-ja. Në vetvete kjo nuk përbën ndonjë befasi të madhe, por për habi është thellësia e fitores së saj dhe shkalla në të cilën përmbushi kriteret e përcaktuara të suksesit. Nga paraqitja e saj në skenën politike BDI ka patur një përqindje gjithnjë e më të vogël të elektoratit shqiptar, duke zbritur për herë të parë nën 50% në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011. Prandaj, si kriter të parë të suksesit të saj pata vendosur kushtin që BDI të rimarrë shumicën e votave shqiptare. Këtë BDI e ka arritur me sukses duke marrë 54% të të gjitha votave shqiptare. Kriterin tjetër, që ishte fitorja në Tetovë ose Gostivar, BDI poashtu e ka plotësuar me sukses, sepse arriti të fitojë të dy komunat, ashtu siç fitoi edhe në Kërçovë dhe në shumicën e vendeve tjera jashtë Pollogut. Për fund pata thënë se nëse kalon me sukses këto sfida, një humbje në Strugë për BDI-në nuk do të ishte edhe aq tragjike. Në përgjithësi pra mund të thuhet se BDI në këto zgjedhje arriti të bëjë çdo gjë që duheshte të bëjë, prandaj edhe humbjet në Strugë dhe Studeniçan janë vetëm njolla të vogla në triumfin e saj të përgjithshëm.

Më kompleks për t’u vlerësuar ndërkaq është rezultati i PDSH-së, sepse ajo ka përmbushur disa nga kriteret e fitores, por ka dështuar në të tjerët. Si caqe të suksesit të saj, para zgjedhjeve mendoja se duhej të ishin: ngushtimi i dallimit në vota me BDI-në, fitore e të paktën një komune urbane, disa komunave rurale në Pollog dhe ndonjë komune rurale jashtë Pollogut. Atëherë pata thënë edhe se “në njëfarë mënyre, një fitore në Strugë do të ishte edhe më e rëndësishme se fitorja në Tetovë”, sepse me këtë PDSH do të tejkalonte lokalizmin e theksuar të koncentruar në Pollog, me çka në parti do të vendosej një baraspeshë më e shëndoshë e të gjitha rajoneve.
Në këtë drejtim PDSH ia arriti qëllimin, sepse arriti të fitojë bindshëm në Strugë dhe në përgjithësi ka përmirësim të rezultatit jashtë Pollogut (dhe shikuar statistikisht duket sikur i është vjedhur fitorja në Likovë dhe Dollnen). Megjithatë, paralelisht me këtë, PDSH nuk arriti të rruajë dominimin e vet në Pollog. Ajo humbi në Tearcë, Zhelinë dhe Bërvenicë, komuna ku kishte fituar vetëm dy vite më parë në zgjedhjet parlamentare. Edhe më dëshpërues është rezultati i matur në vota totale. PDSH vërtetë arriti të shtojë 10.000 vota, por në ndërkohë BDI shtoi 20.000 vota dhe dallimi u rrit në vend se të ngushtohej. Shikuar në përgjithësi kjo ndoshta ishte përfundimi më i keq për PDSH-në, sepse një humbje totale ndoshta do të kishte shtuar presionin për reforma urgjente, përderisa suksesi i këtillë parcial duket se mund të shërbejë si argument për të vazhduar me avazin e vjetër.

Nga partia e tretë, RDK, realisht nuk pritej as që të dalë e dyta në këto zgjedhje. Sfida kryesore e partisë ishte që të dëshmojë se nuk është fenomen kalimtar si DR-ja, e për të arritur këtë i duhej të plotësonte disa kritere elementare. Së pari, RDK duhej të tubonte një minimum prej 45.000 votash, mandej të kishte shtrirje më të mirë gjeografike jashtë Gostivarit (për shembull 6.000 vota në Tetovë, 4.000 në Çair, 3.000 në Strugë dhe disa komuna tjera më të mëdha). Nëse do të kishte arritur këto qëllime, për partinë nuk do të ishte aq kyçe madje as fitorja në Gostivar. Mirëpo partia dështoi në të gjitha këto caqe. Ajo rruajti votat e fituara në 2011 (afër 29.000), por nuk shënoi aspak rritje. Në komunat e mëdha shqiptare kaloi keq: në Tetovë morri afër 2.000 vota, në Strugë rreth 2.600, ndërsa në Çair më pak se 1.000. Në këto rrethana, ajo erdhi në situatë që rrethi i dytë në Gostivar të jetë çështje ekzistence për gjithë partinë dhe për fat të keq e humbi edhe këtë bastion të saj. Në pikëpyetje tani është vënë vetë ekzistenca e partisë, e cila lehtë mund të pësojë fatin që duhej t’i shmanget, atë të DR-së.

Analiza e mësipërme natyrisht është e bazuar te rezultatet zyrtare të shpallura nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Pa marrë parasysh indikacionet për problemet e shumta që shoqëruan gjithë procesin zgjedhor nga fillimi deri në fund, të gjitha partitë relevante politike i kanë pranuar këto rezultate si legjitime, andaj përbëjnë edhe bazën e llogaritjes dhe analizës.

Përndryshe këto zgjedhje ishin nga më të neveritshmet që kemi parë ndonjëherë. Intelektualisht, për nga oferta programore, ato ishin më të varfërat në histori, ndërsa koalicionimet e bëra në rrethin e dytë treguan se partitë politike, qofshin shqiptare apo maqedonase, nuk udhëhiqen më nga asnjë princip përveç interesit të ngushtë partiak dhe se janë të gatshme të bashkëpunojnë edhe me dreqin vetëm e vetëm për të fituar kolltukun.
Paralelisht me këto intriga ndërpartiake, rrëfim në vete ishin problemet zgjedhore, dëshmitarë okularë të të cilëve me siguri ka qenë çdonjëri prej nesh, por që në përgjithësi u heshtën nga mediat. Pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për blerje votash në Tetovë, falsifikim procesverbalesh në Çair ose mbushje kutish në Likovë, këto probleme disi u kaluan në heshtje, me çka shoqëria jonë pak a shumë dëshmoi se i pranon këto gjëra si legjitime dhe normale.

Për fund vlen të thuhen nja dy fjalë edhe për fenomenin e blerjes së votave. Për shitblerje duhen dy palë. Prandaj, edhe më dëshpërues se fakti që partitë blejnë vota, është fakti që ende ka njerëz që shesin votat, që shesin të drejtën e tyre për të thënë fjalën e vet një herë në katër vjet. Prandaj besoj se këto palë zgjedhje për çdo njeri të vetëdijshëm, më tepër se çdo gjë tjetër, rezultuan me një besim të lëkundur në procesin demokratik dhe kapacitetin tonë për demokraci të mirëfilltë.

Të drejtat e publikimit në shqip i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button