E fituar, mbetet për ta gëzuar

Me përfundimin e djeshëm të rrethit të dytë, gati, përfunduan zgjedhjet lokale në Maqedoni. Gara vazhdon vetëm në një komunë, atë të Dollnenit, ku mes vete, pas dy javëve do garojnë dy kandidatë kundërshtarë nga koalicioni qeverisës DPMNE dhe BDI. Dy parti politike këto që, sipas gjithë parametrave, ishin edhe fituesit në këto zgjedhje.

Analizat e mëtutjeshme do mund të bëhen rreth asaj se sa kjo ishte një fitore e këtyre partive apo më shumë ishte një humbje e partive opozitare, para se gjithash, debaklit të LSDM-së dhe RDK-së. Për një përgjigje më të plotë duhet të shtohet edhe pyetja humbëse e pathënë e krerëve të PDSH-së opozitare, rreth fitoreve të vetme të tyre në Strugë dhe Studeniçan të Shkupit: pse nuk fitojmë aty ku duam ne, po vetëm aty ku duan votuesit?!

Ashtu përgjigjja më e saktë dhe e plotë do ishte se partitë opozitare nuk mund të fitojnë dot me kalkulime, llogaritje dhe numra lokalë, dy partitë e pushtetit, kur ata numra llogariten me një formulë nacionale, të bërë sipas këtyre dy partive të fundit dhe që ndodhet në duar të tyre. Ashtu partitë qeverisëse arritën të përdorin fondet, institucionet dhe pushtetin qendror për numra dhe llogaritje lokale kurse përdorimi i temave nacionale për opozitën ishte i pamundshëm. Kjo sidomos ndodhi kështu në terrin mediatik në të cilin u zhvilluan këto zgjedhje. Pasi matur cilësisht, partitë opozitare patën qasje në media, gati aq sa kishin shoqatat joqeveritare vendase, që monitoronin këto zgjedhje.

Rezultati që më së miri ilustron pamundësinë që numrat të fitojnë formulën është Gostivari ku “partia” e mundi “komunën”, thënë ndryshe:  BDI-Maqedoni e mundi RDK Gostivarin.
Por, ndoshta nga ky rezultat opozita tani më do e kuptojë se nuk mund të sillesh dhe punosh sikur një parti opozitare në Suedi kur nga ana tjetër këtu televizioni publik, MRTV, edhe në shqip edhe në maqedonisht, ka tone dhe kontroll të njëjtë si televizioni kombëtar i Koresë Veriore. Poashtu edhe atë se nuk mund të cilësosh, me të drejtë, regjimin si ai i Bjellorusisë, Millosheviçit dhe Rankoviçit kurse nga ana tjetër të ulesh në tavolina bisedimi me Shtefan Fyle dhe Gruevskin sikur je një Sejdo Bajramoviç (një karakter simulant politik kosovar i paraluftës).

Kurse në garën etnike e këtyre zgjedhjeve lokale shqiptarët ishin fitues, pasi ata ishin ata të cilët u sfiduan nga kryeministri Gruevski, disa herë gjatë kampanjës zgjedhore. Shqiptarët fituan me një rezultat zyrtarë: 3:0, Kërçovë, Strugë dhe Bërvenicë. Kur kësaj ti shtohet edhe autogoli që morri në portën e vet Nikolla Gruevski, nga importimi i votuesve nga Pusteci i Shqipërisë, e të cilët provokuan qytetarë maqedonas dhe shqiptarë, që ende më shumë të dalin të votojnë kundër kandidatit të partisë së tij në komunën Qendër të Shkupit, ku ndodhet projekti i tij kontravers “Skopje 2014”. Por edhe humbja që pësoi nga një kandidat i pavarur në komunën Mogilë afër qytetit të Manastirit. Në atë komunë ku shkoi kryeministri vet, madje deri edhe personalisht iu kërcënua kundërkandidatit, i cili ja e fitoi. Këto humbje simbolike mund të bëjnë që fitorja të jetë për tu uruar por që le mundësi të mos jetë e gëzuar. 

Fituar por jo edhe e gëzuar mund të dalë edhe për fituesin tjetër nga këto zgjedhje lokale BDI. Ajo hidhëtinë e parë e ka marrë me falsifikimin zgjedhor të vërtetuar në komunën Çair të Shkupit në rrethin e parë, e që, për më keq, në rrethin e dytë u vërtetua se ka qenë edhe i panevojshëm. 

Por, më e rënda për BDI-në tek tani vjen. Me rezultate kësisoji, pasi e morri edhe fushën e Pollogut, me fitoret në Tetovë dhe Gostivar, ajo tani ka arritur në maje dhe është në pozitë të ngjashme me alpinistët në Himalaje. E, aty dhe në të lartat maje, siç e dimë të gjithë, ka probleme me frymëmarrje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk
Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button